Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë znj.Dorina Çinari, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Drejtuesit kryesorë të Tregtisë Elektronike, Posta, Logjistika dhe Shërbimet e Pagesave” e cila zhvilloi punimet në Antalja të Turqisë, më 20 e 21 nëntor. Tregtia elektronike luan një rol qendror në ekonomi, duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit, mallrave, shërbimeve dhe pagesave. Ndikimi në rritje i tregtisë elektronike po i detyron të gjithë operatorët postarë që të rishqyrtojnë mënyrën se si menaxhojnë rrjetet e tyre të transportit si dhe gamën e pagesave.
Zv/ministrja Çinari ishte pjesë e panelit të të ftuarve ku u ndanë eksperienca për shkëmbimin e përvojave dhe informacionit, gjetjen e zgjidhjeve për problemet e përbashkëta si dhe negocimin e mënyrave të bashkëpunimit.
Në fjalën e saj zv/ministrja Çinari u shpreh se Shqipëria është shumë ambicioze për të përparuar me shpejtësi në axhendën dixhitale dhe promovimin e ekonomisë dixhitale apo tregtisë elektronike, veçanërisht për biznesin e vogël dhe të mesëm të shesin produktet dhe shërbimet e tyre drejt një tregu global. Folësit dhe të pranishmit në këtë aktivitet ishin liderë të industrisë nga tregtia elektronike logjistika, kompanitë e financave, akademikët dhe operatorët postarë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë