Zëvendës ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Dorina Çinari mori pjesë në samitin e parë dixhital të Ballkanin Perëndimor (# DSWB6). Samiti zhvilloi punimet për dy ditë radhazi, më 18 e 19 prill, në Shkup të Maqedonisë. Eventi bëri bashkë përfaqësues nga qeveritë, bizneset, organizatat rajonale, akademia dhe të rinjtë me qëllim ngritjen e një platforme dixhitale për shkëmbimin e ideve dhe propozimeve. Samiti u hap me panelin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor për integrimin e rajonit në tregun dixhital paneuropian. Në fjalën e saj zv/ministrja Çinari bëri një pasqyrë të trafikut të të dhënave në Shqipëri, si edhe lehtësitë e krijuara përmes përdorimit të telefonisë celulare. Çinari theksoi se në të ardhmen qeveria shqiptare do të fokusohet në krijimin e politikave për të kontribuar në zhvillimin e internetit me brez të gjerë.
Termat dhe kushtet praktike për lidhjen dixhitale të Ballkanit Perëndimor u diskutuan në sesionin e tretë dhe të katërt me titull “Rrjetet dhe shërbimet mjedisore dixhitale, lidhshmëria dhe qasja” si dhe “Ekonomia dixhitale dhe shoqëria”, me qëllim krijimin e një kuadri të përshtatshëm për lidhjen e tyre dixhitale, panel i cili u moderua nga ish- ministrja e Inovacionit, znj.Milena Harito. Në kuadër të kësaj platforme, u diskutua mbi rëndësinë parësore të zhvillimit të brezit të gjerë dhe cilësinë e tij si parakusht për integrimin në tregun unik dixhital të BE-së, si dhe interesin e Ballkanit Perëndimor për të vazhduar punën në rrjetin e roaming – zonën e lirë ekonomike dhe integrimin brenda regjimit të lirë të roaming në BE.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë