Zëvendës ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enis Aliko, ishte sot i pranishëm në konferencën e organizuar nga Shoqata e Bankave në Shqipëri, me temë ‘Bankat dhe rritja ekonomike’. Diskutimet gjatë këtij takimi mes përfaqësuesve të qeverisë dhe bankave vendase e të huaja u përqëndruan në gjetjen e formave për nxitjen e dialogut me synim përballimin e sfidave drejt rritjes së mëtejshme ekonomike.
“Strategjia e qeverisë shqiptare për të përqëndruar financimet tek projektet ende të pambyllura në infrastrukturën rrugore. Paralelisht me mbylljen e rrugëve që prej vitesh janë pezull (psh. bypass Fier dhe bypass Vlorë, Tiranë-Elbasan, Lin-Pogradec) qeveria do të orientojë investimin në infrastrukturë tek ato projekte të cilat konsiderohen të financueshme”, nënvizoi Aliko.
Sipas tij, Buxheti i Shtetit për vitin 2018 fatmirësisht dëshmon për vëmendjen e shtuar të qeverisë tek infrastruktura rrugore, fondet për rrugët janë rritur me 42% krahasuar me një vit më parë.
“Programi “1 miliard euro” do të jetë një shtysë e rëndësishme për ekonominë e vendit dhe pjesa më e madhe e projekteve që do mbështeten në këtë skemë ka të bëjë me infrastrukturën rrugore. Qeveria shqiptare ka marrë tashmë edhe shprehjet e para të interesit për disa projekte të mundshme të partneritetit publik privat të cilat po shqyrtohen me vëmendje. Tre skemat e mundshme të financimit për projektet e rrugëve janë ato të Partneritetit Publik Privat, Financimit nga Buxheti i Shtetit dhe Project Financing përmes vendosjes së toll-eve. Disa nga projektet e evidentuara si potenciale për tu ndërtuar me skemat e partneritetit janë aksi Tiranë-Thumanë-Vorë; rruga Kardhiq-Delvinë; rruga Milot-Balldren; rruga Orikum-Himarë dhe Rruga e Arbrit për të cilën është shpallur fituesi dhe pritet që fillimvitin e ardhshëm të nisë ndërtimi në terren”, insistoi Aliko.
Zv.ministri tha se qeveria po ndërmerr tashmë edhe një operacion kombëtar për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm. Kjo nënkupton se shumë shpejt edhe kjo fushë do të jetë atraktive për investitorët pasi një sektor që performon më mirë është garanci për kthimin e investimit.
“Në sektorin e energjisë elektrike qeveria ka ndërmarrë hapat ligjore për mbështetjen dhe promovimin e energjive të rinovueshme ashtu sikurse edhe efiçencës së energjisë. Bankat mund të kenë një rol të rëndësishëm në financimin e projekteve të investimit në këtë fushë mjaft të rëndësishme dhe me një të ardhme të sigurtë. Siç ju e dini, Shqipëria ka një varësi të plotë nga burimet hidrike ndaj investimet në energjinë diellore dhe atë të erës janë të domosdoshme”, vlerësoi Aliko.
Referuar industrisë hidrokarbure, Aliko tha se Shqipëria ka përmbyllur hartimin e masterplanit të gazit dhe tashmë përpara shtrohet një mundësi e madhe për investime në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit në vend. Sipas tij, masterplani ka identifikuar tre projekte parësore investimi në kuadër të krijimit të infrastrukturës së gazit në vend.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë