Zhvillimi i territorit, Gjiknuri: Projektet e investimit të përputhen me planet vendore - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 13/12/2017

Zhvillimi i territorit, Gjiknuri: Projektet e investimit të përputhen me planet vendore

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit organizuan sot forumin me temë “ Planet e përgjithshme vendore, një instrument dhe qasje e re për konsolidimin e reformës territorial”. Në forum morën pjesë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë , Damian Gjiknuri, drejtoresha e përgjithshme e AKPT-së, Adelina Greca, ambasadori zvicerian Christoph Graf, kryetarë të bashkiv, si edhe drejtues të institucioneve qëndrore e vendore në vend.

Në fjalën e tij përshëndetëse ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, theksoi se planifikimi është gjëja më e vështirë, por njëkohësisht edhe më e rëndësishme.

“ Dinamika njerëzore dhe natyra e zhvillimit që unë do ta quaja shpesh herë spontane, ka bërë që Shqipëria asnjëherë të mos kishte një plan dhe asnjëherë mos t’i qëndronte edhe tyre pak planeve që vetë kishte miratuar. Territori i Republikës së Shqipërisë deri në vitet 2014, ka patur vetëm 7% të territorit të mbuluar me planifikim, pjesa tjetër ishte pjesë e spontanitetit. Këtë raport e kemi ndryshuar radikalisht këto vite, duke bërë të mundur që me miratimin e planeve të pjesës më të madhe të bashkive, kemi bërë që pjesë më të madhe te territorit të Shqipërisë, rreth 77 % të territorit, e kemi të mbuluar me plane tashmë të qarta zhvillimore dhe që realisht iu takon autoriteve vendore por edhe qeverisë, për mënyrën si do ndërveprojnë mes tyre në mënyrë që ky zhvillim të jetë me të vertetë i qëndrueshëm dhe në përputhje më këto instrumenta strategjik që kemi miratuar, ndryshe gjithcka që bëjmë do të jetë një dështim” – u shpreh ministri.

Ministri Gjiknuri garantoi krerët e bashkive se do të kenë mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për përfundimin e planeve vendore.

“ Qeveria do të angazhohet në këtë pjesë, nga ana tjetër meqënëse kemi ambasadorin e Zvicrës por edhe përfaqësues të tjerë nga komunitetit ndërkombëtar, ju bëj thirrje që të na ndihmoni edhe me pjesën tjetër financiare në mënyrë që e gjithë Shqipëria të jetë e mirëplanifikuar. ”

Në vijim Ministri Gjiknuri vuri theksin në zbatimin e planeve të përgjithshme vendore.

“ Ky forum duhet të shfrytëzohet të ketë një dimension shumë praktik, cfarë duhet të përmirësojmë cfarë duhet të bëjmë? Agjensitë qëndrore qeveritare, agjencitë zhvillimore, fondi i zhvillimit, fondi i zhvillimit të rajoneve të gjitha këto duhet se si duhet të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm.  Si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe parë nga këndvështrimi i kompetencave dhe ministrisë që drejtoj, një planifikim i integruar i shumë zhvillimeve infrastrukturore duhet  të jetë pjesë e kësaj. Dhe ky është avantazhi. Shpesh herë planifikimi i infrastrukturës kombëtare, ndërthuret edhe me planet vendore, apo prek interesat vendore, atëherë ku ka më mirë se të kemi një planifikim të integruar të këtyre interesave.”

Ministri Gjiknuri kërkoi nga kryetarët e bashkive të pranishëm në këtë forum, të thonë se cfarë problemesh kanë hasur me planet në fuqi e cfarë duhet përmirësuar, në mënyrë që kjo gjë të zbatohet sic duhet.

“ Pra, instrumenti strategjik të mos ndryshojë, jo t’i përshtatet interesave të ndryshme lokale, apo sa herë ka zgjedhje lokale apo edhe qëndrore. Shpesh herë presioni më i madh i instrumentave strategjikë është populizmi i rastit, interesat e vogla lokale të cilat do të bëjnë presion për të ndryshuar një instrument që është strategjik. Duhet të ketë një pasqyrim që shkon me një kah të zhvillimit të qëndrueshem dhe me një cikël kohor të pranueshëm, jo sa herë ka një grupim interesi apo sa herë ka një ndryshim rrotacioni në pushtetin vendor të kemi presion për ndryshimin e tyre. Ndryshe ne do të përsërisim gabimet që kanë bërë edhe të tjerët me parë dhe asnjëherë Shqipëria nuk do të ketë një zhvillim të qëndrueshëm.”

Në përfundim, Ministri theksoi edhe rëndësinë e përfshirjes së diasporës në këtë proces, një tjetër inciativë kjo e qeverisë shqiptare.

“ Diaspora është një potencial shumë i madh, jo thjesht e parë në aspektin e remitancave. Problemi është që diaspora jonë është e integruar, diaspora jonë mund të ketë edhe pozicione kyce, ka njerëz që kanë bërë para, kanë krijuar kapital, janë shumë mirë të integruar në ekonominë e vendeve të zhvilluara, atëherë si mund ta kthejmë edhe këtë mundësi të madhe kapitali dhe njohurie që të vijë në Shqipëri dhe të bëhet pjesë e këtij zhvillimi. Prandaj Ministri i Shtetit për Diasporën edhe ne me mbështetjen si qeveri, duke futur këtë dimension së bashku me pushtetin vendor kemi mundësi që t’i japim jetë këtyre planeve zhvillimore që kemi miratuar.”