Transporti rrugor, Gjiknuri: Shmangie burokracish, dokumentet do merren online - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 27/09/2017

Transporti rrugor, Gjiknuri: Shmangie burokracish, dokumentet do merren online

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri:

Jam sot para jush për të ju komunikuar një tjetër vendim në kuadër të hapave që po ndërmerr qeveria për lehtësimin dhe eliminimin e çdo lloj burokracie të tepërt dhe të panevojshme për marrjen e shërbimeve publike nga ana e institucioneve shtetërore.

Për të gjithë ata qytetarë që duhet të marrin apo dorëzojnë dokumente në zyrat e administratës, ne shtojmë listën e këtyre dokumenteve që mund të tërhiqen online në portalin e-Albania, si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet publike të cilave u nevojiten ato.

Duke filluar nga java e ardhshme, asnjë institucion shtetëror, për nevojat e procedurave të veta, nuk do tua kërkojë më qytetarëve konfirmimin për gjendjen aktive të mjetit. Do jenë vet institucionet që do ta bëjnë këtë verifikim përmes portalit online e-Albania.

Autorizimi për rifitimin e lejes së drejtimit dhe vërtetimi për lejen e drejtimit, të cilat janë shërbime me pagesë do të kryhen nga qytetari online. Pra, përmes portalit e-Albania, çdo qytetar që ka nevojë për këto dokumente mund ta bëjë pagesën online dhe gjithashtu merr vërtetimin online.

Gjithashtu, ju bëj me dije se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke studiuar të gjitha aspektet ligjore me synim lehtësimin e  procedurave dhe shërbimeve të tjera që kanë të bëjnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me objektiv eliminimin e çdo mundësie për abuzim ndaj qytetarëve.