Trafiku rrugor, dy ministri po hartojnë udhëzim në prag të sezonit turistik - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/05/2018

Trafiku rrugor, dy ministri po hartojnë udhëzim në prag të sezonit turistik

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme po përgatisin një udhëzim të përbashkët mbi kufizimet e qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave në periudhën e sezonit veror.

Në kuadër të konsultimeve për këtë udhëzim, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me Shoqatën e Transportuesve Ndërkombëtare rrugor, Drejtuesit e Porteve Detare dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ministri Gjiknuri tha se tanimë është përcaktuar periudha e disiplinimit të lëvizjes nga 15 Qershori në 15 Shtator që përkon me sezonin turistik.

“Gjatë sezonit turistik, nisur edhe nga kushtet e disa segmenteve rrugore dhe për të krijuar lehtësi për pushuesit, sidomos në ato zona që kanë intensitet me turizmin, bazuar në legjislacionin në fuqi, sëbashku me Ministrin  e Brendshëm do nxjerrim një udhëzim ku do të disiplinojmë trafikun e mjeteve të rënda. Duke vendosur nga 15 Qershori në 15 Shtator kufizim të trafikut të mjeteve të rënda në periudhat e fundjavave. Duke nisur nga e premtja përfshirë ditën e diel trafiku i mjeteve të rënda do të ndalohet në disa segmente kryesore rrugore”, u shpreh Gjiknuri.

Gjatë diskutimit me grupet e interesit, u dakordësua periudha e disiplinimit 15 Qershor-15 Shtator ndërsa në ditët e ardhshme do të përcaktohen nga specialistët edhe oraret e kufizimit të qarkullimit në këto tre ditë të fundjavave dhe gjithashtu akset në të cilat do të zbatohet për të krijuar lehtësitë e lëvizjes por dhe mos penguar bizneset në aktivitetin e tyre.

Udhëzimi do të ndiqet e zbatohet në terren në koordinim mes Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe agjencive tjera që rregullojnë transportin rrugor përfshirë dhe Portet dhe Doganat.