Kapacitetet e ulëta vendase dhe një pasqyrë jo e qartë e përmasave të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) pengojnë vlerësimin faktik të tij.
Zhvillimi ekonomik dhe social i Shqipërisë, i përshtatur me tregun konkurrues botëror kalon detyrimisht nga përshpejtimi dhe përdorimi masiv i TIK që janë sot faktori kyç i rritjes së produktivitetit ekonomik në administratë, në biznes, në prodhimin industrial, në tregjet financiare. Për të mundësuar edhe në Shqipëri rritjen ekonomike të dhjetëvjeçarit të ardhshëm, falë inovacionit dhe TIK, lipset të përforcohen kushtet ligjore, ekonomike dhe te aftësohen kapacitete të rëndësishme njerëzore.
Qeveria do të punojë në 3 drejtime kryesore duke vendosur objektiva të matshme: Së pari, për shtimin dhe promovimin e shërbimeve dixhitale, e-shërbimeve, për qytetarët dhe biznesin. Prioritet do të jetë rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve në administratën publike sipas parimeve të iniciativës Open Government Partnership. Së dyti, në futjen masive të shërbimeve në arsim për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të aftësuar rininë. Politikat do të jenë të orientuara drejt përmirësimit dhe zgjerimit të kapaciteteve njerëzore në mënyrë që të rritet si numri i përdoruesve ashtu edhe numri i ofruesve vendas të e-shërbimeve. Në këtë mënyrë do të nxitet krijimi i vendeve të punës në këtë fushë për tregun shqiptar, rajonal e më gjerë. Së treti, konsolidimi i infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar me rigorozitet parimet evropiane të konkurrencës së lirë e të ndershme.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë