"TBM Tirana 2017", Gjiknuri: Projekte me interes në infrastrukturë dhe energji - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 26/10/2017

“TBM Tirana 2017”, Gjiknuri: Projekte me interes në infrastrukturë dhe energji

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, ishte i pranishëm sot në Forumin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, ‘Tirana Business Matching 2017’. Në takim ishin të pranishëm gjithashtu Kryeministri z. Edi Rama, ministra të kabinetit, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë z. Nikolin Jaka si edhe sipërmarrës të huaj dhe vendas. Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri theksoi se në kuadrin e gjithë politikave qeveritare, prioritet mbartin investimet e huaja në Shqipëri. Duke iu përgjigjur interesit të të pranishmëve, lidhur me projektet e mëdha si TAP apo Devolli, Gjiknuri u shpreh se çdo investim i madh sjell një zinxhir investimesh të tjera ndaj nuk duhet të shqetësohemi, tha ai nëse mbaron një investim i madh.

Sa i përket projekteve në infrastrukturë, ministri Gjiknuri u shpreh se qeveria shqiptare ka plane serioze edhe në këtë fushë. “Sapo kemi marrë ofertat e para dhe jemi në fazën e shqyrtimit për të nxjerrë fituesit e bypass të Fierit dhe Vlorës dhe kjo infrastrukturë do të hapë hapësira të tjera për investime në këtë zonë”, u shpreh ai. Sa i përket iniciativës për partneritet publik privat në sektorin e rrugëve, Gjiknuri tha se qeveria shqiptare ka llogaritur që me të ardhurat e saj brenda një parashikimi krejt normal të rritjes ekonomike dhe hapësirës fiskale që i krijon vendit për investime në rrugë ne do të kemi mundësi të kontraktojmë deri në 1 mld $ vepra në rrugë, ku prioritet do të kenë akset kryesore kombëtare. Në projektet e së ardhmes, ministri Gjiknuri përmendi edhe investimet në hekurudhë duke nisur me linjën Tiranë – Durrës – Rinas, e cila pritet të kontraktohet vitin e ardhshëm falë edhe një kredie nga BERZH. Sa i përket energjive të rinovueshme, Gjiknuri tha se kanë nisur hapat e para dhe nënvizoi se në fillim të vitit tjetër pritet të organizohet ankandi i parë i madh për një impiant serioz rreth 30 mega për të prodhuar energji diellore. Në përfundim, Gjiknuri u shpreh i sigurtë se Shqipëria do ketë një fluks të madh investimesh, të cilat do të inkurajojnë investime të tjera edhe në turizëm.

Sa i takon sektorit energjitik ministri Gjiknuri u shpreh se është një ndër sektorët që ka mbajtur peshën më të madhe të investimeve të huaja, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare po promovon edhe investimet ne infrastrukturë.

“Sektori i energjisë elektrike do të jetë një sektor që do të vazhdojë të thithë gjithnjë investime të huaja. Po mbaron projekti i Devollit por sot që flasim, janë edhe disa projekte të tjera të rëndësishme që do të zhvillohen në Kalivaç dhe në Poçem. Kalivaçi do të jetë një investim mbi 120 mln euro, krahas atij të Poçemit, në këtë kaskadë të pjesës së poshtme të Vjosës. Ne do i qëndrojmë atij angazhimi zyrtar që nga Kalivaçi e sipër nuk do të ndërtojmë hidrocentrale për shkak të sensibilitetit mjedisor dhe për ta shpallur këtë zonë një Park Kombëtar. Vetëm këto dy projekte do të gjenerojnë një investim direkt prej 220 mln euro të tjera që janë 1/3 e HEC të Statkraftit, një investim goxha i madh në vitet e fundit “, u shpreh Gjiknuri.

Ndër të tjera Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh se po investohet në industrinë e përpunimit të kromit në Elbasan dhe në Mat, kapacitete të cilat nënvizoi ai janë në tendencë rritje, dhe që sjellin prodhim për vendin. Gjiknuri tha se përfundimi i projektit TAP do të sjellë në valë tjetër investimesh në territorin shqiptar, duke hapur mundësi edhe për gazifikimin e vendit, si për shembull në zonën e Fierit e cila justifikon plotësisht gazifikimin.