TAP Shqipëri ndërmjetësoi takimin e parë zyrtar midis AlbGaz, shoqëria e krijuar për operimin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, dhe DESFA-s, operatori grek i sistemit të transmetimit të gazit, në Selanik të Greqisë.
Pak pas nënshkrimit të Amendimeve të Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës (MQP) midis TAP-it dhe Qeverisë së Shqipërisë, u krijua shoqëria shtetërore për operimin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror në Shqipëri, AlbGaz.
TAP-i mbështet krijimin e një Shoqërie të Përbashkët (JV) midis AlbGaz dhe DESFA-s, e cila nëse krijohet brenda afateve të kërkuara dhe arrin një marrëveshje me TAP, do të mundësojë veprimtarinë e sigurt dhe efikase në gazsjellësit dhe mirëmbajtjen e tij pas vitit 2020.
Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i DESFA-s, Sotirios Nikas, hapi takimin duke i uruar mirëseardhjen pjesëmarrësve në Greqi dhe duke shprehur gatishmërinë e shoqërisë që ai drejton për të bashkëpunuar plotësisht me AlbGaz.
Në fjalën e tij Klodian Gradeci, Drejtor Ekzekutiv i AlbGaz, falenderoi homologun e tij grek dhe paraqiti një panoramë të shkurtër të krijimit të shoqërisë që ai drejton.
Gradeci, gjithashtu sugjeroi ngritjen e një grupi të përkushtuar pune për të diskutuar çështje të lidhura me krijimin e Shoqërisë së Përbashkët.
Takimi i Selanikut u shoqërua nga një vizitë në Qendrën e Operacioneve dhe të Mirëmbajtjes së DESFA-s në Nea Mesimvria, ku përfaqësuesit e DESFA-s paraqitën veprimtaritë e transmetimit të gazit natyror në Greqi dhe karakteristikat teknike të Qendrës.
Pjesëmarrësit vizituan gjithashtu stacionin e kompresorëve të DESFA-s në po atë vendndodhje.
Pjesa e fundit e vizitës iu kushtua programit të trajnimit të DESFA-s mbi kompetencat dhe diskutimit se si ky program mund të ndihmojë në trajnimin e ekspertëve të AlbGazit në faza të mëvonshme. AlbGaz dhe DESFA shprehën gatishmërinë e tyre për të nisur një program për trajnimin e stafit, paralelisht me diskutimet rreth Shoqërisë së Përbashkët.
TAP-i, i përfaqësuar nga Shkëlqim Bozgo, Manaxheri i TAP për Shqipërinë, Ioannis Skoufogiannis, Menaxher i Aseteve dhe Ambienteve të TAP-it për Greqinë dhe Vugar Veysalov, Menaxher i Zhvillimit të Tregut Shqiptar të Gazit, mirëpritën angazhimin e palëve për të vijuar bashkëpunimin dhe ritheksuan gatishmërinë e Shoqërisë TAP për të ofruar asistencë kurdoherë është e nevojshme.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë