Vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit janë kryer në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, dhe konkretisht Ligjin Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, si dhe Vendimin e KKT Nr.14, datë 10.11.2017 “Për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Territorit”.
Që prej datës 1 shtator 2016, i gjithë procesi i aplikimit dhe shqyrtimit për leje zhvillimi dhe ndërtimi pranë Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit kryhet online nëpërmjet sistemit e-leje, duke u siguruar që procesi të jetë transparent dhe shërbim me një ndalesë.
Sistemi e-leje realizon ndërveprimin e të gjitha subjekteve të përfshira në proces, aplikuesin, autoritetet përgjegjëse për dhënien e lejeve dhe institucionet publike që kanë detyrimin ligjor të japin informacion apo pëlqim lidhur me kërkesën për leje, duke lehtësuar procedurat për qytetarët dhe duke i dhënë mundësinë që të gjurmojnë aplikimin e tyre hap pas hapi.
Në përputhje me rregulloren e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Territorit mbledhjet kryhen me dyer të mbyllura për publikun, me përjashtim të çështjeve me interes të veçantë, si vendimmarrja për planet kombëtare, sektoriale apo vendore, për të cilat mbledhjet mund të bëhen publike. Rendi i ditës për mbledhjet botohet në faqen zyrtare të Sekretariatit Teknik të KKT-së, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Miratimi i ndërtesave shumëkatëshe në Bashkinë e Tiranës është kryer në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi dhe Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë, pas një procesi të gjerë konsultimi me publikun dhe bashkinë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë