Shqyrtohet në Komision shtesa e kontratës së koncesionit për Portin MBM në Porto Romano - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 19/02/2018

Shqyrtohet në Komision shtesa e kontratës së koncesionit për Portin MBM në Porto Romano

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë z.Gentian Këri  paraqiti para deputetëve të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektligjin “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano, Durrës, miratuar me ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)””.

Z.Këri sqaroi deputetët se shoqëria porti MBM ka paraqitur kërkesë në ministri për ndryshimin e kontratës e cila ka qëllim garantimin e funksionimin e linjës prinicipale teknologjike. “Nga ana e Ministrit të Infrastrukturës është ngritur një grup pune i cili pasi shqyrtoi kërkesën gjeti të argumentuar kërkesën e shoqërisë për të ndryshuar elementë të veçantë të strukturës të natyrës teknike. Shoqëria në kërkesën e saj bazohet në faktin që në fazën përgatitore të shtrirjes së tubave në det është vënë re që niveli i tabanit, detit, është i ndryshueshëm nga aluvionet që vijnë nga hidrovori Porto- Romanos që derdhet në krah të tubacioneve dhe që do të kishte një distancë aksiale 50 milimetra linearë nga aluvionet që sjellin rrymat e detit”, u shpreh ai.

Sekretari i Përgjithshëm i MIE sqaroi se shtesa kërkohet për ndërtimin e një argjinature pasi aluvionet në këtë zonë e bëjnë të pamundur punën.

“Sipas relacionit teknik të paraqitur nga shoqëria kjo gjendje e bën linjën e tubave të paqëndrueshme dhe të rrezikuar nga dallgët e detit. E gjendur përpara këtij fakti në konsultim me studio prestigjioze në Europë shoqëria ka paraqitur një kërkesë për një shtesë të projektit për kalimin e kësaj zone me tubacione mbi argjinaturë artificiale. Në komunikimet e saj shoqëria në relacionin teknik ka mbajtur qëndrimin se shtesa ka për qëllim vetëm garantimin e funksionimit të linjës principale paraqitur në kontratën fillestare dhe mbrojtjen nga dinamikat e shumëlloj të fundit të detit në këtë zonë” , tha z.Këri.

Po ashtu për të garantuar një qëndrueshmëri të argjinaturës së tubacioneve të vendosura pas ndryshimit në argjinaturë shoqëria në bazë të studimeve ka konkluduar se është i nevojshëm edhe një dallgëthyese. Pra, një mjet tjetër mbrojtës me të njëjtin profil tërthorë në vendin më ta afërt të kodrës, në anën jugore të linjës. Sipas mendimit edhe të projektuesit kjo argjinaturë garanton teknikisht linjën teknologjike mbi tokë të portit MBM.

Z.Këri shpjegoi se ndryshimi i kontratës është bazuar në nenin 31 të ligjit për koncesionet e partneritetin publik-privat, kur thuhet që në raste të tjera që bëjnë ndryshimin e situatës reale ose ligjore, mund të kërkohet dhe nëse pranohet nga shoqëria ndryshime të aspektit teknik.