Në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe KfW Frankfurt AM MAIN (KfW), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të eficencës së energjisë, faza II”. Projekti parashikohet të fillojë në vitin 2018 dhe do të zgjasë nga 18 deri në 24 muaj. Kostoja e projektit të rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë vlerësohet në shumën prej 7.8 milionë eurosh, e cila do të financohet nga: KfW-ja me anë të granteve në shumën totale prej rreth 6.5 milionë eurosh (rreth 2 milionë euro nëpërmjet marrëveshjes aktuale të financimit dhe 4.5 milionë euro me anë të një marrëveshjeje tjetër financimi); Buxheti i Shtetit i cili do të mbulojë TVSH-në dhe kostot lokale të projektit, kosto këto të parashikuara në shumën totale prej 1.3 milionë eurosh.
Zëvendës/ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Dorina Çinari bëri prezantimin e këtij projektligji para deputetëve të komisionit. Zëvendës/ministrja u shpreh se marrëveshja që propozohet për ratifikim me anë të këtij projektligji synon financimin me një fond grant prej 2 032 179.23 eurosh të programit rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë, faza II. Sigurimi i këtij financimi, theksoi ajo, synon zbatimin e masave të efiçencës së energjisë në rehabilitimin e godinave të konvikteve të Universitetit të Tiranës, ku parashikohet rehabilitimi i pesë godinave.
Çinari sqaroi se ky financim me grant do t’i bashkohet një financimi tjetër të dakordësuar me qeverinë gjermane në vlerën prej 4 500 000 (katër milionë e pesëqind mijë) eurosh ku marrëveshja përkatëse qeveritare është lidhur dhe ratifikuar gjatë vitit 2016.
“Financimi shtesë që akordohet me anë të marrëveshjes bashkëlidhur këtij projektligji (e cila emërtohet si fazë e dytë vetëm për arsye të koncepteve të palës gjermane mbi alokimin e fondeve nga vite të ndryshme buxhetore) vjen si rezultat i bisedimeve qeveritare mbi bashkëpunimin për zhvillim të mbajtur po në vitin 2016, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, ku qeveria gjermane propozoi të shtojë shumën e financimit për ta bërë investimin më të plotë. Aktualisht, po procedohet me marrëveshjet përkatëse të financimit që do të lidhen me KfW-në (marrëveshja që i bashkëlidhet këtij projektligji si dhe marrëveshja tjetër e financimit e cila gjithashtu po i nënshtrohet procedurave që parashikon kuadri ligjor në fuqi për bërjen efektive)”, nënvizoi Çinari.
Duke vazhduar më tej zëvendës/ministrja tha se qëllimi i përgjithshëm i “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin Universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë, faza II” është “Aplikimi i masave të efiçencës së energjisë në godinat e konvikteve të Universitetit të Tiranës me objektivat, si më poshtë: auditimin energjetik të ndërtesave për të identifikuar konsumin e energjisë dhe masat përkatëse që duhen për të reduktuar konsumin e energjisë; identifikimi i nevojave të rinovimit të ndërtesave në lidhje me gjendjen aktuale të tyre me qëllim për të zgjatur ciklin e jetës së ndërtesave; identifikimi i masave të ndryshme të efiçencës së energjisë që mund të aplikohet, si dhe llogaritja e kursimit të energjisë në secilën prej godinave; reduktimi i konsumit të përgjithshëm të energjisë së ndërtesave duke synuar që treguesi i performancës së energjisë të jetë të paktën 75 kwh/m2 në vit dhe të sigurojë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve; llogaritjen e reduktimit të karbonit si rezultat i masave dhe vendosjes në kushte të performancës së lartë (sipas synimit të mësipërm 75 kwh/m2vit) dhe standardeve të Bashkimit Europian, etj”, përfundoi Çinari.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë