Shqipëria fiton përballjen në arbitrazh ndaj shoqërisë Hydro S.R. - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/01/2018

Shqipëria fiton përballjen në arbitrazh ndaj shoqërisë Hydro S.R.

Përmbledhje e arbitrazhit me reference ICC Case 20564

Republika e Shqip­ërisë (duke vepruar nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë) u padit në Tetor 2014, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (“Arbitrazhi i ICC”) nga shoqëriaHydro S.R.L., ku u kërkua zgjidhja e marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, për faj të Shqipërisë, dhe pagesa e një dëmshpërblimi në një vlerë prej €137,235,090.00 (njëqind e tridhjetë e shtatë million e dyqind e tridhjetë e pesë mijë e nëntëndhjetë Euro) si edhe e të gjithë kostove të Paditësit dhe procesit të arbitrazhit.

Republika Shqipëria paraqiti kundërpadi në këtë proces ku pretendoi se, pavarësisht nga mirëbesimi dhe vullneti i mirë që ka karakterizuar gjithmonë Shqipërinë në lidhje me zbatimin e këtij koncesioni, Paditësi ka qenë në shkelje dhe mospërmbushje të kontratës së koncesionit, për fajin e tij, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm prej €158,000,000.00 (njëqind e pesëdhjetë e tetë million Euro). Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën prej €12,900,000.00 (dymbëdhjetë million e nëntëqind mijë Euro) si edhe të kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit.

Trupa e gjykimit vendosi që të rrëzojë të gjithë pretendimet e Paditësit, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e Kontratës dhe me pagesën e kamat-vonesave deri në vlerën e cituar më lart dhe të të gjithë kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit të pësuara nga i Padituri, në një vlerë prej rreth €1,258,642.00 (një million e dyqind e pesëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e dyzetë e dy Euro).

Në një vendim të dytë, Trupa e gjykimit do të vendosë vlerën e dëmshpërblimit që Paditësi do të duhet t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit për faj të tij, bashkë me të gjithë interesat dhe kostot e tjera të zbatueshme.

 

Vendimi u përshëndet nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z.Damian Gjiknuri, përmes një postimi në faqen e tij në facebook. Më poshtë, postimi i plotë i ministrit Gjiknuri:

“NJË LAJM SHUMË I MIRË

Të dashur miq! Shqipëria fitoi një përballje të rëndësishme në Arbitrazhin Ndërkombëtar të ICC kundrejt shoqërisë Hydro S.R.L. Gjej rastin të shpreh një falënderim të veçantë për ekipin që përfaqësoi Shqipërinë në arbitrazh: juristët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për punën e bërë dhe Avokaturën e Shtetit, e cila me profesionalizëm udhëhoqi me sukses këtë proces. Vendimi i arbitrazhit konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e asaj çka ne kemi deklaruar që në fillim për koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit. Kjo vepër e rëndësishme energjetike tashmë do të mund të konkretizohet nga një investitor serioz.”