Shqipëria ka dalë nga lista gri e FATF(Financial Action Task Force), struktura mbikëqyrëse e krijuar nga partnerët ndërkombëtar që vlerëson çdo vend në botë në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Më poshtë prononcimi i Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas vendimit për daljen e Shqipërisë nga lista gri e FTAF:
Sot për Shqipërinë ka një lajm shumë të mirë. Është një ditë kur kemi shënuar një gur kilometrik që shpërblen të gjitha përpjekjet, angazhimet dhe reformat e Qeverisë Shqiptare. Në seancën plenare të FATF, Shqipëria sot, në një unanimitet të plot votimi, doli nga lista gri e FATF dhe MONEYVAL. Ka qenë një punë intensive pikërisht për të arritur këtë që sot u bë realitet. Ky vendim që është marrë nga Task Forca e Veprimit Financiar, ndryshe e quajtur FATF, e cila është një strukturë ndërkombëtare përsa i përket monitorimit të luftës për parandalimin e pastrimit të parave si dhe financimin e terrorizimit, është një hap i rëndësishëm për vendin tonë.
Kjo arritje padyshim pasqyron të gjithë angazhimin e Qeverisë Shqiptare dhe të gjithë avancimin e saj përsa i përket përmbushjes së kushteve që do të na duhen edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. FATF e vlerësoi këtë angazhim të Qeverisë Shqiptare dhe rritjen e kapaciteteve institucionale, si pika të forta për të vazhduar zbatimin e reformave në të ardhmen.
Duhet të them dhe kam kënaqësinë që sot në këtë seancë plenare zyrtare patëm mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, patëm mbështetjen e Italisë, Gjermanisë dhe padyshim të Mbretërisë së Bashkuar. Në fjalën e tyre secili përmendi faktin se Shqipëria ka bërë një progres të qenësishëm dhe Shqipëria meriton që të largohet nga lista gri.
Lista gri është një listë dinamike, e cila ndryshon çdo vit dhe për të thënë të drejtën disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që janë pjesë e Ballkanit sot janë futur në listën gri ndërkohë që ne kemi dalë për shkak të të gjithë punës, të të gjithë angazhimit. Ky është një vlerësim i madh që ndodh. Nga ana tjetër, dalja nga lista gri rrit reputacionin e Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, krijon kushte të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, padyshim ul kostot e borxhit dhe nga ana tjetër, ajo që krijon është vlerësimi që institucionet financiare ndërkombëtare do të kenë për vendin tonë. Lehtëson kryerjen e transaksioneve bankare brenda dhe jashtë vendit dhe një sërë benefitesh të tjera që vijnë si pasojë e këtij vendimi që është marrë sot në seancën plenare të FATF, por padyshim edhe të gjithë përpjekjeve dhe angazhimeve që Qeveria Shqiptare dhe institucionet kanë ndërmarrë.
Është vlerësuar reforma e thellë që ne kemi bërë tashmë në Agjencinë e Inteligjencës Financiare, dikur Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimin e Parave. Gjithashtu, janë vlerësuar të gjitha hapat që kemi hedhur për ndryshimin thelbësor të disa ligjeve që ndihmojnë këtë kuadër, por nga ana tjetër dhe dixhitalizimin masiv të shumë proceseve që do të garantojnë një transparencë sot dhe në të ardhmen.
Sfidat vazhdojnë dhe ne jemi të përkushtuar që ti përmbushim këto kushte, pasi ashtu siç thashë, lista e FATF është një listë dinamike e cila do të kërkojë angazhimin e Qeverisë dhe të institucioneve ligj zbatuese dhe në të ardhmen. Shqipëria do të vazhdojë të punojë me MONEYVAL dhe ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm angazhimin tonë duke investuar në burime njerëzore dhe teknologji që padyshim janë dy kolonat më të fuqishme për këtë sukses.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë