Font Resize
 Shpallja e Fituesit të Ankandit për Parkun Fotovoltaik të Spitallës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/03/2021

Shpallja e Fituesit të Ankandit për Parkun Fotovoltaik të Spitallës

Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë ankandit për shpalljen e fituesit të Parkut Fotovoltaik të Spitallës:

Në Maj të vitit të kaluar shpallëm fituesin e ankandit për parkun fotovoltaik të Karavastasë, për ndërtimin e të cilit ka nisur tashmë dhe aktiviteti në terren.

Ashtu edhe sikurse parashikuam, suksesi i Karavastasë arriti të përthithë një numër të madh investitorësh edhe në garën për projektin e parkut të Spitallës.

Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 MË, nga të cilat 30 MW do të tregtohen në treg të lirë dhe 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate  për blerjen afatgjatë të energjisë me çmim të paracaktuar.

Përveç rritjes dhe diversifikimit të burimeve gjeneruese vendase, këto dy parqe fotovoltaike e vendosin Shqipërinë në hartën e prodhuesve kryesorë të energjisë së rinovueshme në Evropë, ç’ka është edhe një ndër prioritetet tona strategjike në sektorin e energjisë, për të cilin jemi angazhuar me të gjitha kapacitetet.

Në garën e Spitallës morën pjesë 5 kompani ndërkombëtare e lokale, të cilat u vlerësuan nga Komisioni, dhe për fazën e dytë janë kualifikuar 2 subjekte, të cilët plotësonin kriteret teknike dhe ekonomike.

Kompania Voltalia, një emër tashmë i njohur për ju pasi janë dhe fituesit e ankandit të Karavastasë, dhe kompania kineze Universal Energy janë dy ofertuesit e kualifikuar në fazën teknike, ofertat financiare të të cilëve do të hapim sot këtu publikisht.

Para se të vijojmë me hapjen e zarfave dhe shpalljen e fituesit, do të doja të falenderoja Komisionin e Vlerësimit të Ofertave për diligjencën në administrimin e procesit, dhe sigurisht ekipin e konsulentëve të BERZH.

Është bërë tashmë traditë që ne ti kemi pranë dhe të mbështetemi tek ekspertiza e tyre gjatë zhvillimit të procedurave konkurruese, si një garanci e shtuar për sigurimin e transparencës dhe paanshmërisë së plotë gjatë këtyre proceseve.

Duke falenderuar kompanitë që morën pjesë në këtë garë për interesin e tyre dhe duke përgëzuar dy kompanitë e kualifikuara, ftoj anëtarët e komisionit për hapjen e ofertave financiare.