Projekti 100 fshatrat, Gjiknuri: Garanton Rilindjen Rurale - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 02/02/2018

Projekti 100 fshatrat, Gjiknuri: Garanton Rilindjen Rurale

Fjala e Ministrit Gjiknuri gjatë prezantimit të Projektit “100 FSHATRAT – një model i ri i zhvillimit rural përmes një programi që përfshin infrastrukturë, agroturizëm, trashëgimi kulturore dhe nxitje të punësimit

Kam kënaqësinë që ti drejtohem kësaj audience për një nga programet jashtëzakonisht ambicioze të qeverisë shqiptare, që këtu u etiketua shumë mirë me emrin Rilindja Rurale, pas një eksperience shumë të suksesshme me Rilindjen Urbane. Si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë mund të dukem larg pjesës rurale, por pikërisht përmirësimi i infrastrukturës qoftë asaj qendrore, por qoftë edhe infrastruktura që lidhet me këtë program është jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjithë programi i qeverisë shqiptare për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, infrastrukturës energjetike, infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve është patjetër e lidhur me rilindjen e fshatit.

Rilindja e fshatit adreson një nga problemet themelore që nuk e  ka vetëm Shqipëria por e kanë shumë vende. Disbalanca e zhvillimit ekonomik, pra drejtimi drejt qytetit dhe lënia e fshatit në harresë u prek pak më parë këtu. Ky program, i cili për mendimin tim do të jetë pionier dhe një model zhvillimi, do të shtrihet edhe në fshatrat e tjerë. Do të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm për ta nxjerrë fshatin shqiptar nga periudha e braktisjes dhe për ta kthyer në një rilindje të vërtetë. Ne do të kemi rolin tonë dhe unë dua të jem konkret. Kur filloi ky program, kam porositur që brenda fondeve të ujësjellës kanalizimeve që ne kemi, të adresojmë një pjesë të portofolit pikërisht për këto fshatra të përzgjedhur.

Krijimi i këtij modeli do të zbatohet në shumë fshatra tjerë me rritjen e shtuar të njerëzve. Jam shumë i bindur që ky model i suksesshëm do të sjellë më shumë turistë. E njëjta gjë dua të them për 17 planet e zhvillimit të cilat i kemi këtë vit. Duhet të bashkëpunoni me studiot e përzgjedhura që ky program i këtyre 100 fshatrave, kur bie te këto 17 bashkitë e reja, të përfshihet në fizionominë e asaj që ne duam të japim.

Së fundi, edhe si Ministër i Energjitikës dua të marr përsipër që me grantet, me mundësitë dhe bashkëpunimin në rritje që ka qoftë me UNDP apo me fonde të tjera të institucioneve ndërkombëtare të bëjmë mikroprojekte për eficensë energjitike. Do të thotë, një kombinim i sistemit të decentralizuar të energjisë, panele diellore me sistem eficent energjie. Edhe nuk iu kushton shumë bashkive dhe atyre njësive të vogla, por nga ana tjetër promovojmë një model biznesi, eficensë energjie. Zhvillimi i infrastrukturës kombëtare me kombiminimin e investimeve të targetuara në këto fshatra do të na sjellë suksesin. Kjo është një rrugë e gjatë, gjithmonë fillohet me hapat e para dhe qeveria është pikërisht për ta garantuar këtë. I uroj suksese këtij programi të Rilindjes Rurale.

Faleminderit,