Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 21/03/2019

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”

Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në lidhje me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”:

I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave,

Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve të ofruara për qytetarët shqiptarë, rritjes së efiçencës dhe konsolidimit të sektorit të energjisë, qeveria shqiptare propozon projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I“.

Ky projektligj synon ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar 2016, nëpërmjet së cilës Republikës së Shqipërisë i krijohet mundësia të marrë nga KfW në kuadër të bashkëpunimit publik për zhvillim për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”, një kredi të butë me vlerë të përgjithshme deri në 30 000 000 (tridhjetë milionë) euro, si dhe një shumë financimi me vlerë 2 000 000 (dy milionë) euro për masat e nevojshme për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit.

Marrja e kësaj huaje është në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2018-2030 dhe qëllimi i saj kryesor është realizimi i objektivave të parashikuara në “Planin e Rimëkëmbjes në Sektorin Energjitik”, ku humbjet totale parashikohet të ulen në nivelin 16% deri në vitin 2022.

Theksojmë se kjo kredi do të shërbejë si një investim i mirëfilltë për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, në ndryshim nga e kaluara kur kreditë janë përdorur në pjesën më të madhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I, i cili do të financohet nëpërmjet kësaj kredie, është përzgjedhur pas një vlerësimi shterues të listës së projekteve potenciale dhe komponentëve të tyre, të kryer nga ekspertët e KfW në bashkëpunim me ekspertë të OSHEE sh.a.

Programi ka si objektiv të përgjithshëm kontributin në kuadër të mbrojtjes globale të klimës, nëpërmjet reduktimit të emetimeve të CO2, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm social e ekonomik të Shqipërisë.

Ndërsa si objektiva specifik rendisim:

– Ngritjen e kapacitetit të sistemit të shpërndarjes elektrike në Shqipëri;

– Reduktimin e emetimeve të CO2 nëpërmjet reduktimit të humbjeve teknike;

– Si dhe ngritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit nëpërmjet një efikasiteti dhe besueshmërisë të shtuar të sistemit të shpërndarjes në Shqipëri.

Realizimi i objektivave të programit do të matet kundrejt treguesve të tillë si:

– Humbjeve në nënstacione dhe rrjetin e tyre përkatës, të përzgjedhur brenda fushës së veprimit të programit, të cilët synohen të reduktohen me të paktën 20%.

– Indekseve të performancës për energjinë e pa shërbyer në rrjetin e lidhur me nënstacionet e përzgjedhura brenda fushës së veprimit të programit, të ulur së paku 10%.

Arritja e objektivave të programit përkthehet në një shërbim më të mirë për qytetarët shqiptarë, shmangien e ndërprerjes së energjisë, reduktimin e kostove, rritjen e efiçencës së sektorit dhe konsolidimin e tregut.

Programi parashikon financimin e tre komponentëve bazë, të cilët janë:

1) Zbatimi i një Qendre të Kontrollit të Shpërndarjes, duke përfshirë Sistemin e Kontrollit të Mbikëqyrjes dhe Blerjes së të Dhënave (SCADA);

2) Rehabilitimi ose ndërtimi i nënstacioneve të përzgjedhura 110 kV / 20 kV;

3) Përmirësimi i rrjetit me voltazh të mesëm deri në nivelin 20 kV në zona të zgjedhura.

Krahas financimit të komponentëve bazë,  kjo hua shoqërohet dhe me një grant prej 2 milionë euro, i cili do të shërbejë kryesisht për trajnimin e stafit shqiptar me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e mirëmbajtjes së rrjetit.  Financimi i këtij programi është mundësuar si rezultat i krijimit të hapësirave fiskale në Buxhetin e Shtetit në përgjithësi dhe sektorin energjitik në veçanti, pasi projektet në këtë sektor janë realizuar në kohë dhe me efiçencë.

Programi do të zbatohet për një periudhë 4 vjeçare duke filluar nga viti 2019 deri në vitin 2023. Realizimi i investimit parashikohet të jetë intensiv, si rrjedhojë e impaktit të kthimit të lartë të investimit, i cili mund të konsiderohet i menjëhershëm.

OSHEE sh.a ngarkohet si agjenci përgjegjëse për zbatimin e këtij programi, menaxhimin teknik dhe financiar, si dhe administrimin e përgjithshëm të projektit. Ky investim jo vetëm që ndikon pozitivisht në rentabilitetit e shoqërisë OSHEE sh.a në terma ekonomik, por i kursen ekonomisë shqiptare miliona euro të munguara çdo vit.

Ndërkohë, theksojmë edhe njëherë se ndonëse projektligji i propozuar nuk ka efekte shtesë financiare, implementimi i projektit të parashikuar në marrëveshje do të sjellë efekte financiare që përfaqësohen nga normat minimale të interesit të aplikueshme nga huamarrësi, i cili do të disbursojë shumat për projektin, pas nënshkrimit të marrëveshjes së huas.

Gjithashtu, ju sjellim në vëmendje se kjo marrëveshje do të garantohet me garanci shtetërore nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, në rast se Këshilli i Ministrave nuk është huamarrësi. Vlen të përmendim se krahas kushteve të favorshme, kjo marrëveshje ofron dhe besueshmërinë e lartë që Banka për Zhvillim KfW gëzon si një kreditor i rëndësishëm për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë.

Ftoj deputetët të votojnë për miratimin e këtij projektligji, pasi zbatimi i “Programit të investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”, i financuar nëpërmjet kësaj kredie, është një hap drejt përmbushjes së angazhimeve të ndërmarra në kuadër të reformës së sektorit energjitik, duke mundësuar reduktimin e nivelit të humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, si dhe rritjen e cilësisë, efiçencës dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike për konsumatorin shqiptar.

Ju faleminderit!