Font Resize
 Prezantohet studimi i fizibilitetit të hekurudhës Durrës- Prishtinë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 14/04/2025

Prezantohet studimi i fizibilitetit të hekurudhës Durrës- Prishtinë

Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë prezantimit të studimit të fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë

Shumë faleminderit të gjithëve,

Një ditë me shumë emocione kjo sot, pasi duket sikur është një moment thjesht për prezantimin e studimit të fizibilitetit, por për të arritur këtu ka qenë një rrugë shumë e gjatë. Unë dua t’ju falënderoj të gjithëve këtu, Naserin, Ergysin, Benetin dhe kryetarin Gjini të bashkisë së Gjakovës për të gjithë këmbënguljen, se duhet ta themi që patjetër ne kemi pasur tre variante teknike, por ka pasur dhe një këmbëngulje shumë të madhe dhe të drejt nga të dyja bashkitë, por mbi të gjitha unë dua të falënderoj mikun tim, Liburn Aliun, të cilin nuk e kam thjesht si të gjithë kolegët e tjerë, ashtu siç ne takohemi nëpër evente ndërkombëtare, por e kam vëlla gjaku dhe sot me të ndaj një nga momentet historike jo të infrastrukturës shqiptare, por të lidhjes së pandashme që ka Kosova dhe Shqipëria.

Dikur kemi qenë së bashku dhe më ke treguar një dokument të viteve ’47-të, e vizatuar në letër me laps blu dhe laps të kuq e jeshil, që tregonte të gjithë gjurmët e Korridoreve europiane ku Shqipëria ishte e vetmja e përjashtuar, duke qenë se ne në vitin ’47-të ishim shkëputur nga pjesa tjetër dhe Korridoret europiane nuk na preknin. Dhe aty kemi filluar të bënim planet e para dhe bisedën e parë për hekurudhën dhe se si mund të zhvillonim një tjetër mënyrë transporti, sidomos një transport i cili është efiçent financiarisht për qytetarët, është miqësor me mjedisin dhe për më tepër konsiderohet nga Bashkimi Europian si transporti i të ardhmes. Këtu është ngjizur gjithçka.

Dhe më pas vendosëm që punët e mira nuk bëhen thjesht me një marrëveshje qeveritare, por punët e mira bëhen me ekspertë të mirë. Dhe duke qenë se Qeveria Shqiptare tashmë këtë e ka praktikë pune, ju kujtoj këtu se aeroporti i Vlorës apo tuneli i Llogarasë apo të gjithë veprat e mëdha infrastrukture në Republikën e Shqipërisë kalojnë dy faza, kalojnë fillimisht fazën e garës ndërkombëtare për projektimin dhe studimin e fizibilitetit të çdo projekti dhe më pas ne marrim vendime për ndërtim. Kemi rënë dakord dhe e kemi ndarë këtë edhe me shefat e dy qeverive dhe duhet thënë që kemi gjetur suportin maksimal për të nisur një projekt të përbashkët.

Të gjitha ata që punojnë në administratë e dinë shumë mirë se sa e vështirë është që të ngjizësh dhe të çosh përpara një projekt brenda të njëjtit territor. Se sa e vështirë është ndonjëherë të merremi vesh brenda dy ministrive apo një ministri dhe një bashki, imagjinoni se si do të ishte që dy qeveri vendosin buxhete të barabarta, pothuajse, me një ndryshim shumë të vogël pasi ashtu e donte ligji, apo dy drejtori të mëdha, si struktura, siç është INFRAKOS dhe Hekurudha Shqiptare, që duhet të bashkëpunonin gjatë gjithë kohës dhe në mes nesh edhe një komponent shumë interesant që ishte kompania apo konsorciumi i përbërë nga kompania shqiptare dhe kompania e huaj të cilët duhet të prodhonin këtë produkt.

E pra, për çudinë time më të madhe dhe të gjithë eksperiencën që kam në këtë fushë, do të thoja që ka qenë një nga bashkëpunimet më të mira, më të lehta, pa pengesa dhe do ta quaja që është një shembull për t’u marrë edhe për projekte shumë më të thjeshta nga ky projekt i komplikuar të cilin kemi prezantuar sot.

Siç e thashë dhe në hapje të fjalës time, ky është një moment historik për Shqipërinë. Sigurisht këtu nuk flitet për një hekurudhë, por flitet për një lidhje kombëtare, pasi është ‘Hekurudha Kuq e Zi’. Flitet për një nukël gjeopolitike e cila e kthen kombin shqiptar në një pol magnetizmi për ekonominë dhe për ndërlidhjen europiane. Shpeshherë flasim për ndërlidhje rajonale, për ekonominë rajonale, por korridoret e infrastrukturës, si dhe ato energjetike, nuk janë rajonale, janë europiane.

Kjo hekurudhë do të ndërlidhet me Korridorin VIII, përmes të gjithë akseve të tjera të këtij Korridori që tashmë janë bërë publike, disa prej tyre janë në proces, disa prej tyre janë në kohën e lidhjes së kontratës, gjithashtu do të lidhet edhe me Korridorin X, por nga ana tjetër prek edhe Korridorin Adriatiko-Jonian në një gjatësi shumë të rëndësishme të tij, duke e kthyer kështu si një nyje ndërlidhëse të tre korridoreve europiane dhe duke i dhënë kësaj hekurudhe, në dukje kombëtare, një rëndësi të veçantë për të gjithë zhvillimin ekonomik dhe gjeopolitik të Europës Juglindore.

Duke parë të gjithë prezantimin sot, për të thënë të drejtën unë i kam parë që të tre variantet, mund të kishte edhe zgjidhje më të lehta sepse nuk ka zgjidhje teknike të lehta asnjëherë, por ndoshta pak më të lehta, të cilat nuk do të bënin asnjë sens nga ana e fizibilitetit demografik dhe sigurisht nuk do të ofronin atë çka kjo zgjidhje do të ofrojë.

Shkodra. Shkodra është kryeqendra e veriut. Shkodra është një nga pjesët më të rëndësishme të Shqipërisë, në ekuivalencë të plotë me Tiranën dhe Shkodra e meriton që të jetë nyja ndërlidhëse e kombit tonë. E meriton edhe për shkak se sot tek futesha në Shkodër dhe tek shikoja ecurinë e punimeve në Urën e Bahçallëkut, aty ku pas pak ditësh do të kemi edhe inspektimet e para, fillova të dalloj, si çdo herë kur vij këtu, edhe se kam qenë para dy muajsh, ndryshimin e madh që ndodh. Shkodra ka marrë një hije të një qyteti europian pasi e gjithë kjo bukuri që e ka trashëguar ndër vite ishte fshehur nga një tis i cili për të thënë të drejtën u deshën disa njerëz punëtorë dhe me vizion që t’ja hiqnin një herë e mirë dhe ti nxirrnin në sipërfaqe shkëlqimin që ka. Dhe me këtë shkëlqim që ka, Shkodrës i takon plotësisht me ligj dhe me kanun që ta ketë këtë stacion të kombit shqiptar, një stacion hekurudhor, i cili unë besoj që pastaj aty do të harxhojmë të gjithë kohën tonë për ta dizenjuar, ashtu siç duhet, dhe për të qenë siç e kam folur me Benetin, jo thjesht një stacion tranzit, por një stacion si stacionet europiane, ku mund të ketë edhe bibliotekë, mund të ketë edhe qendër komerciale dhe gjithçka tjetër i përket kryeqytetit të veriut të Shqipërisë.

Dhe Gjakova. Gjakova e cila mbart një histori të jashtëzakonshme. E cila ka vlera të paçmuara, si për vendndodhjen e saj strategjike, ashtu dhe për ekonominë që zhvillon, por padyshim edhe gjeografikisht për gjithë ndërlidhjen që arrin të bëjë midis Shqipërisë edhe Fushë Kosovës.

Më pas unë do të kaloja tek porti i Durrësit, i cili ashtu quhet, por praktikisht ai është porti i shqiptarëve dhe ne jemi duke menduar që ti gjejmë emrin e duhur portit të ri, që ka kaluar edhe ai si ky projekt fazën e parë. Pra, tashmë kemi përmbyllur një fazë shumë të rëndësishme, fazën e aplikimit të ofertave dhe vlerësimit teknik të tyre dhe jemi gati për të nisur fazën e dytë. Me përfundimin e fazës së dytë, ne fillojmë ndërtimin e portit të madh të shqiptarëve, pasi ashtu siç ju e dini, porti i Durrësit nuk do ti shërbejë vetëm Shqipërisë, por porti i Durrësit është dizenjuar për ti shërbyer të dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe Maqedonisë së Veriut, duke qenë se porti i Durrësit ndërlidhet me dy porte të thata, atë të Prishtinës dhe atë të Shkupit, që të dyja këto porte të thata të ndërlidhura me linjën hekurudhore, njëra me linjën hekurudhore që nis nga Vora dhe vjen deri në pikëlidhje, pra në Shkodër, për të vazhduar më pas në Prishtinë dhe tjetra që fillon nga Durrësi, e kemi lidhur kontratën dhe marrëveshjen për financimin e aksit të parë i cili shkon deri në Rrogozhinë dhe do të vijojmë me aksin Rrogozhinë-Pogradec, për të bërë daljen në urën e Bushtricës dhe për të kaluar në Maqedoninë e Veriut.

Të gjitha këto janë zhvillime shumë të rëndësishme. Janë zhvillime të rëndësishme infrastrukturore dhe politike për trevat shqiptare. Janë zhvillime të cilat përgatisin vendin tonë, Shqipërinë, por pa dyshim edhe Kosovën për një kapitull të ri. Për një faqe të re të historisë tonë, e cila tashmë përmbyll të gjithë pjesën e tranzicionit dhe jemi gati për të kapërcyer atë prag shumë të pritur, pragun e Bashkimit Evropian. Kur tashmë ndodhemi të ulur në tryezën e negociatave, kur të gjitha sinjalet të ardhura nga komisionerët europianë, veçanërisht nga komisionerja Marta Kos tregojnë se ndoshta vetëm në dy vitet e ardhshme ne do të arrijmë që të përmbyllim gjithë fazën e negociatave, sigurisht Shqipëria, por dhe Kosova duhet të jenë gati për këtë fazë me të gjithë komponentët dhe një nga komponentët më të rëndësishëm, siç është energjia, është infrastruktura.

Ne mund të përmbushim të gjitha detyrat e shtëpisë përsa i përket reformave ligjore, apo reformave administrative, por në rast se ne nuk do të kemi të njëjtat parametra në infrastrukturë apo në energji, nuk do të ishim gati për Europën. Kështu që me të vërtetë unë e shikoj gjithmonë atë tabelën e fundit të projekteve, ku ekspertët me shumë të drejtë vendosin afatet dhe afatet i kanë të mirëstudjuara dhe zakonisht i lënë dhe njëçik më të gjera nga ç’duhet, por i dashur përfaqësues i konsorciumit, ne këtu në Shqipëri kemi filluar ti mbarojmë punët para afatit.

Pasi kemi humbur shumë kohë 50 vite të gjata dhe më pas 33 vite tranzicion dhe nuk kemi më kohë për të humbur. Ne kemi gjithçka. Ne kemi diellin, kemi detin, kemi malet, kemi fushat, kemi bujqësinë, turizmin. E vetmja gjë që mungon në këtë vend është koha. Nuk kemi më kohë për të humbur, ndaj unë jam e sigurtë që nuk do të na duhen 10 vite për ta ndërtuar atë hekurudhë, sepse edhe për tunelin e Llogarasë ishte parashikuar që duhet të ishte 48 muaj, por u mbarua vetëm në 22 muaj. Edhe për aeroportin e Vlorës janë parashikuar 48 muaj, por përfundon këtë verë. Kështu që ne duhet të rendim, sigurisht përmes projekteve të sigurta, sigurisht duke respektuar të gjitha rregullat dhe masat e ndërtimit të këtyre kryeveprave të infrastrukturës, por ama duke rendur.

Kështu që i dashur Liburn, unë nuk besoj që ne do ta hapim ndërtimin në fund të mandatit tjetër, këtu i ngelet Petritit dhe pjesës së financave të dy qeverive që ti japin një zgjidhje sa më eficiente, pasi sigurisht në këto momente financimi është ai që është sfidues, duke qenë se flitet për një financim të rëndë për buxhetet e dy vendeve, por nga ana tjetër unë jam e sigurtë sepse e kam mundësinë dhe eksperiencën dhe ulem prej kohësh edhe me kreditorët e huaj, por edhe me konsorciume të mëdha dhe Shqipëria ka të gjithë vëmendjen e tregut financiar, përsa i përket financimeve të ndryshme apo përsa i përket dhe investitorëve të huaj.

Kështu që unë jam e sigurtë që në fund të mandatit të katërt qeveria Rama padyshim do jetë në gjendje që të flasë për disa përqind ecuri të projektit dhe jo për nisjen e tij.

Shumë faleminderit që u mblodhët këtu sot dhe u mbledhshim gjithmonë për punë të mira dhe për lajme po kaq të mira.

Faleminderit Benet për mikpritjen.