U prezantua në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit projektligji “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”. Projektligj ka për qëllim rregullimin ligjor të përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare dhe të marrëdhënieve juridike në fushën e aviacionin civil. Qëllimi i veçantë i këtij ligji është rregullimi i veprimtarisë së avionëve civilë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë; të avionëve për të cilët Republika e Shqipërisë merr përgjegjësi, sipas dispozitave të këtij Kodi, në përputhje me nenin 83 bis të konventës së Çikagos; dhe të avionëve të regjistruar në një shtet tjetër por që operojnë me licencën e operimit të lëshuar nga autoriteti kompetent licencues i Republikës së Shqipërisë. I pranishëm në mbledhjen e komisionit zv/Ministri i Transporteve dhe Energjisë, Artan Shkreli u shpreh se ky Kod qëndron midis rregullores teknike nga njëra anë dhe ligjit të mirëfilltë nga krahu tjetër.
“Projektligji i propozuar është në përputhje me Kushtetutën dhe me detyrimet që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe konventat për aviacionin civil. U pa e nevojshme që të mos bëheshin amendime të gjëra, por të bëhej paraqitja e një projektligji të ri. Merren në konsideratë edhe ligjet e fushave të tjera specifike që prekin veprimtarinë e aviacionit, siç është legjislacioni për licencimin. Projektligji paraqet përparësi pasi në të parashikohen dispozita që përmbushin një pjesë të detyrimeve të marrëveshjes për krijimin e zonës së përbashkët europiane të aviacionit civil. Gjithashtu, arrihet të formalizohet bashkëpunimi mes institucioneve të ndryshme brenda dhe jashtë transportit ajror (civil), me qëllim menaxhimin e hapësirës ajrore në mënyrë të sigurt dhe efiçente,” – u shpreh ndër të tjera Shkreli.
Ndërsa Drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil Krislen Keri, duke ju referuar ndryshimeve në kod tha se ato janë të hershme dhe kanë filluar që në 2015.
“Për tu ndalur tek gjetjet kryesore të organizatave ndërkombëtare sa i përket sistemit tonë të aviacionit civil mund të themi që janë mbi 20 rekomandime dhe gjetje të cilat synohet të jepet zgjidhje nëpërmjet këtij projekt kodi, duke marrë në mënyrë hierarkike nga neni i parë. Që nenin e parë janë parashikuar mundësia që i jepet Republikë së Shqipërisë të angazhohet në iniciativa rajonale siç janë blloqet funksionale. Kjo ka të bëjë me terma teknikë të pjesës së navigimit ajror. Ne kemi arritur një standard europian sa i përket kësaj fushe dhe nëpërmjet parashtrimit në këtë projekt kod i hapet rruga edhe dhënies së asistencës nëpërmjet projekteve të ndryshme në rajon, por edhe më gjerë” u shpreh Keri.
Keri nënvizoi se ndryshimet e propozuara preknin mbi gjysmën e dispozitave të neneve të ligjit të Kodit Ajror dhe duke konsideruar faktin se ky do të ishte ndryshimi i dytë që i bëhej këtij ligji, u gjykua hartimi i një projektligji të ri.
“Një tjetër parashikim që është risi në këtë kod është neni 9 që ka të bëjë me koordinimin mes pjesës civile dhe ushtarake përsa i përket navigimit ajror. Në pjesën tonë ajrore ka disa blloqe që sot janë të kufizuara për përdorim ushtarak. Nga rekomandimet e Eurokontrollit dhe Komisionit Europian është kërkuar që të punohet për një mekanizim të koordinimit midis civilit dhe ushtarakut apo për ti bërë këto blloqe funksionale. Pra në mënyrë që edhe këto të shfrytëzohen për arsye civile kur të jetë e nevojshme. Kjo do kishte një ndikim tek rritja e përdorshmërisë së qiellit, duke rritur edhe të ardhurat për operatorin tonë. Po ashtu një tjetër risi është edhe neni 10 “Programi shtetëror i sigurisë së operimit” që përcakton përgjegjësitë e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe ofruesve të shërbimeve në transportin ajror mbi sigurinë e operimit (safety) dhe ka për qëllim formalizmin e Programit Shtetëror të Sigurisë në fluturim, një dokument shumë i rëndësishëm për të garantuar nivelin e pranueshëm të sigurisë në fluturim”, theksoi në fjalën e tij para deputetëve drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë