Font Resize
 Prezantimi i projektit të gazifikimit në qytetin e Korçës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 19/04/2025

Prezantimi i projektit të gazifikimit në qytetin e Korçës

Fjala e Ministres Balluku gjatë prezantimit të projektit të gazifikimit në qytetin e Korçës

Përshëndetje të gjithëve!

I nderuar Kryeministër,

Miku im, Parviz, Ministri i Energjisë së Qeverisë së Azerbajxhanit,

Të dashur kolegë, miq,

Është një ditë shumë e shënuar sot, pasi ashtu siç unë e përsëris gjithmonë, kur ne arrijmë dhe nxjerrim në publik një projekt, ju duhet të dini të gjithë që është një rrugë shumë e gjatë, nuk vjen as përmes 24 orësh punë dhe as përmes tre faqeve të shkruara. Janë takime, janë vullnete politike, të cilat na bëjnë të gjithëve bashkë dhe ky është rasti për të nënvizuar dhe për të falënderuar Qeverinë e Azerbajxhanit, dhe veçanërisht Presidentin Aliyev i cili për shkak të një marrëdhënie vëllazërore, do të thoja me Kryeministrin Rama, ka kthyer sytë nga Shqipëria duke e vendosur atë në hartën e prioriteteve zhvillimore të një nga kompanive të ekselencës botërore, në fushën e hidrokarbureve, siç është SOCAR.

Shumë faleminderit për këtë mbështetje dhe ju siguroj, që pavarësisht se Shqipëria është një treg i vogël, duke pasur parasysh të gjithë dëshirën që shqiptarët kanë për zhvillime inovative, që shqiptarët kanë për të provuar produkte dhe tregje të reja, unë ju siguroj që ky besim që po e jepni ju sot Shqipërisë duke nisur një projekt, i cili me të vërtetë kërkon guxim nga ana e SOCAR-it për t’u futur në një treg totalisht të ri, një treg që nuk ka eksperiencë mbi përdorimin e gazit, do t’ju kthehet në shumëfish. Pasi me të vërtetë ne besojmë që zhvillimi që vendi ka marrë, nga ana ekonomike sidomos në sektorët kyç dhe kryesorë, siç janë turizmi dhe bujqësia, do ta bëjë përdorimin e gazit në Shqipëri një nga alternativat më të volitshme si për qytetarët, pra abonentët familjarë, ashtu edhe për bizneset

Këtu do të ndalem vetëm pak, pa dashur që të zgjatem, tek përzgjedhja e Korçës. Kemi bërë një diskutim të gjerë dhe të gjatë me kolegët tanë të qeverisë së Azerbajxhanit, midis Albgazit dhe SOCAR-it dhe sigurisht, tre pozicionet më të volitshme për të nisur një gur prove, ashtu siç është ky projekt, ishte, Korça, e cila ndodhet afër pikës së daljes së Ersekës, Elbasani dhe Fieri.

Përsa i përket numrit të përdoruesve të tregut sigurisht Fieri e kishte më të lartë si numër, por nga të gjitha studimet dhe sjellja e konsumatorëve ne vendosëm së bashku që të ishte Korça, për dy arsye shumë të rëndësishme.

Arsyeja e parë, sepse e thamë, kam përshtypje nënkryetarja e bashkisë, këtu kemi një konsumator model i cili me të vërtetë ka treguar që të gjitha pilotimet që janë bërë në qytetin, Bashkinë e Korçës, po edhe në Qarkun e Korçës, kanë qenë të suksesshme, si në shërbimet e ujësjelljës – kanalizimeve, ashtu dhe të energjisë. Konsumatori është konsumator model, pasi ka paguar gjithmonë faturat e prodhuara dhe nga ana tjetër nuk ka pasur frikë që të testojë produktet e reja.

Nga ana tjetër, në këtë Bashki, ne kemi një nga nuklat më të rëndësishme turistike të vendit dhe flitet për një turizëm katër sezone. Pra, që të katër stinët e vitit Korça është një model i turizmit, i cili ka shërbyer edhe si një udhërrëfyes për pjesët e tjera, rajonet e tjera të vendit, për t’u kthyer në një nga shembujt më të mirë. Dhe komponenti i tretë pse është zgjedhur Korça është për shkak se Korça pas Myzeqesë është qarku me bujqësinë më të zhvilluar dhe me volumin më të madh të prodhimit.

Kështu që, u vendos që ky projekt të marrë udhë nga Korça. Ky projekt ta kthejë Korçën në gurin e provës, duke sjellë kështu një kombinim të jashtëzakonshëm të eksperiencës së Azerbajxhanit, e cila e ka ngritur të gjithë sektorin energjetik të suksesshëm, mbi atë çka Zoti i ka falur, pra hidrokarburet, por duke pasur një menaxhim shumë të mirë dhe duke e vendosur në listën e elitës së energjisë botërore dhe nga ana tjetër, eksperiencën shqiptare që ka të bëjë me prodhimin e energjisë së rinovueshme, që padyshim na ka kthyer në një nga shembujt më të mirë të Europës përsa i përket edhe konvergjencës me agjendën e gjelbër.

Duhet thënë gjithashtu që vitet e fundit, së bashku me kolegun tim, Niko Peleshi, kemi punuar disa herë për të zgjidhur ekuacionin e vështirë të ngrohjes me lëndë drusore, këtu në qytetin e Korçës, pasi temperaturat në këtë qytet, janë shumë më të ulëta edhe se rajoni i Elbasanit edhe se rajoni i Fierit, duke e bërë të nevojshme një alternativë energjetike, siç është ajo e gazit.

Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me mbështetjen e Ministrisë së Energjisë të Azerbajxhanit, bazuar në marrëveshjen ndërqeveritare që kemi nënshkruar në 1 mars të vitit të kaluar, kemi bërë një punë të detajuar e cila ka konsistuar në prodhimin e një masterplani për strategjinë e gazifikimit të vendit. Një masterplan, që do t’i japë Shqipërisë një frymëmarrje tjetër, duke i krijuar një burim alternativ të një energjie, e cila duhet të vijë te konsumatori akoma dhe më e lirë se energjia elektrike, që për të thënë të drejtën, viti 2025 ka shënuar një kapitull të ri, sepse për herë të parë ne kemi arritur që të ulim çmimin realisht të energjisë elektrike dhe jo ato uljet e çmimeve që përdoreshin si shashka politike nga viti 2005 deri në vitin 2013. Një ulje historike e cila prek një milion e 70 mijë abonentë, një ulje e bazuar mbi efiçencën e energjisë, që është dhe kërkesa numër një e Bashkimit Europian, duke pasur parasysh se Shqipëria sot është e ulur në tryezën e negociatave dhe Shqipëria sot është një nga shembujt më të mirë të energjisë së rinovueshme për të gjithë Europën.

E gjithë kjo paketë e krijuar midis një energjie elektrike nga burimet e rinovueshme, me një çmim shumë kompetitiv, por edhe një burimi tjetër energjetik, siç është gazifikimi, i cili do të mbështesë jo vetëm familjarët, por edhe bizneset, edhe industrinë, sidomos duke nisur këtu nga Korça, për ne do të jetë një zgjidhje e jashtëzakonshme ekonomike që do të ofrojë jo vetëm nxitjen e ekonomive rajonale, por dhe qëndrueshmërinë energjetike, si një kërkesë kryesore e Bashkimit Europian dhe punët e mira bëhen me partnerë të mirë, ndaj unë dua të falënderoj edhe një herë Ministrinë e Energjisë, të Azerbajxhanit.

Dua të falënderoj nga zemra Presidentin Aliyev për gjithë vëmendjen që i ka dhënë këtij projekti dhe dua që projekti NUR të jetë një nga projektet më të suksesshme të SOCAR-it dhe i gjithë ky angazhim dhe e gjithë kjo mbështetje nga ana juaj t’ju kthehet në një nga shembujt më të mirë për ta vazhduar këtë projekt, edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, derisa ta arrijmë gazifikimin maksimal prej 100% të territorit, por unë do të thoja edhe në rajon: Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe Kosova, janë tre shtete të tjera të cilat mund të përfitojnë nga ky projekt i gazifikimit në të ardhmen.

Shumë faleminderit dhe punë të mbarë.

Suksese!