Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit kanë publikuar rezultatet e javës së dytë të ndërhyrjes në terren për lirimin e nyjeve dhe hapësirave në akset kombëtare.
Rrethrrotullimi Rrogozhinë-Plepa në të dyja drejtimet është pastruar në masën 90%. Në këtë aks janë hequr 85 tabela, është bërë spostimi i materialeve të vendosura në anën e karrexhatës. Gjithashtu, në bashkëpunim me policinë janë hequr tezgat e tregtimit në rrethrrotullimin e Rrogozhinës dhe dy kioska të lëvizshme.
Aksi Vorë-Fushë Krujë në të dyja drejtimet është pastruar duke hequr 60 tabela. Është bërë spostimi i objekteve të ngurta të tregtueshme të pozicionuara në anën e karrexhatës si goma dhe materiale të tjera.
Fundjavën që kaloi puna u përqendrua në aksin Elbasan-Rrogozhinë (në të dy drejtimet) dhe është arritur të bëhet pastrimi deri në hyrje të Peqinit. Janë hequr 67 tabela, është bërë spostimi i gomave që ishin të vendosura në anën e karrexhatës, janë prishur 6 tezga buzë rrugës.
Po gjatë kësaj jave u ndërhy edhe në nyjen e Milotit ku u prishën 26 kioska të tregut ambulant ashtu sikurse një objekt 1 katësh i ndërtuar në kundërshtim me përcaktimet ligjore. Në mbikalimin e Dajlanit është ndërhyrë duke zhvendosur të 5 tabelat e mëdha të reklamimit.
Gjatë kësaj jave ARRSH dhe IKMT do të ndërhyjnë në dy akse të tjera, në atë Rrogozhinë-Fier dhe Fushë Krujë-Lezhë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë