Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në Kuvend në lidhje me Paktin për Universitetin
Dua të siguroj kryetarin e Komisionit të Ekonomisë se ne do të vazhdojmë të gjitha përpjekjet për të negociuar sa më parë me KfW-në shumën që parashikohet për rehabilitimin e të gjithë ndërtesave të konvikteve. Ky është një impenjim i marrë tashmë dhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nga ajo e Financave.
Po i rikthehem projektligjit të propozuar për ratifikimin e marrëveshjes së Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjitike, faza III” është një element mjaft i rëndësishëm i paketës së masave që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke realizuar në kuadër të Paktit për Universitet.
Kjo marrëveshje synon financimin në formën e grantit, e cila do t’i bashkohet financimeve të akorduara më parë nga Qeveria Gjermane në vlerat 4.5 milionë Euro dhe 2.03 milionë euro që tashmë janë kthyer në investime konkrete në Kampusin Universitar të Tiranës.
Sigurimi i këtij financimi shtesë në vlerën 2.9 milion Euro synon zbatimin e masave të efiçencës së energjisë në rehabilitimin edhe të 4 godinave të tjera të konvikteve të Universitetit të Tiranës, duke e çuar kështu në 9 numrin e godinave që parashikohen të rehabilitohen nga i gjithë projekti.
Aktualisht, marrëveshja përkatëse e financimit për fazën e I-rë dhe II-të të lidhura me KfW janë në fazë zbatimi.
Për këtë qëllim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vijuar me ngritjen e Komitetit Drejtues dhe Njësisë së Zbatimit për Projektin, si dhe po vijon me procedurat e përzgjedhjes së konsulentit të projektit.
Ajo ç’ka duhet të theksohet është që me miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes, synohet që nëpërmjet financimit të projektit, të kontribuohet në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar kushte më të mira jetese dhe studimi për një numër të konsiderueshëm studentësh, duke ulur ndjeshëm kostot që duhet të paguajë Bashkia e Tiranës dhe Residenca Studentore Nr. 1 për ngrohje/ftohje dhe energji elektrike, por mbi të gjitha, duke krijuar një model ekonomik i cili mund të aplikohet në shumë projekte të tjera publike.
Më konkretisht, nëpërmjet këtij Programi synohet rehabilitimi i godinave të konvikteve të Universitetit të Tiranës, në funksion të rritjes së efiçencës së energjisë dhe përmirësimit të kushteve të studentëve sipas kërkesave minimale të performancës së energjisë, si dhe do të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme kushtet bazë të komfortit sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, të tilla si, rinovimi i instalimeve sanitare, rinovimi i pajisjeve elektrike, instalimi i paneleve diellore, sistemi i ngrohje- ftohjes, ventilimit, prodhimit të ujit të ngrohtë sanitar, masat e sigurisë, dhoma të përbashkëta studimi, etj duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme kushtet e jetesës dhe të studimit për studentët.
Institucioni përfitues final i grantit është shoqëria anonime me kapital 100% shtetëror “Rezidenca Studentore Universitare nr.1” sh.a., e cila trajton rreth 1800 studentë që parashikohen të akomodohen pas rehabilitimit të plotë të këtyre godinave.
Projekti parashikohet të fillojë në vitin 2019 dhe do të zgjasë deri në 30 muaj.
Gjithashtu, nga ana e KfW është akorduar edhe një fond i veçantë në formën e grantit me vlerë 155,000 Euro, i cili, do të përdoret për realizimin e auditimit energjetik të 24 godinave të konvikteve me qëllim evidentimin e situatës energjetike të tyre.
Kostot e projektit për rehabilitimin e deri në 9 godina të konvikteve të Universitetit të Tiranës me efiçencë energjetike, vlerësohet në shumën totale e 11.35 milionë Euro duke përfshirë edhe TVSh-në, të cilat do të mbulohen: nga KfW si grante, shuma totale 9.46 milionë dhe të3 Fazave rreth 2.927 milionë Euro nëpërmjet marrëveshjes aktuale qeveritare dhe 6.5 milionë me anë të marrëveshjeve të financimit tashmë të miratuara për Fazën I & II), si dhe nga buxheti i shtetit i cili do të mbulojë TVSH-në dhe kostot lokale të projektit në shumën totale 1.89 milion Euro, e cila, është parashikuar në PBA-në 2019-2021 nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës e cila ka marrë përsipër të gjithë ndjekjen dhe implementimin e këtij projekti.
Siç e përmenda edhe më lart, kjo është vetëm një pjesë e rezultateve të angazhimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në kuadër të Paktit për Universitetin.
Kjo Ministri është angazhuar me të gjithë kapacitet e saj për të përgatitur një strategji të mirëfilltë bashkëpunimi dhe patronazhimi me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe 7 Fakultete që ky Universitet përfshinë.
Pas kontakteve, konsultimeve dhe diskutimeve të vazhdueshme midis ekspertëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe drejtuesve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe Fakultetit të Gjeologji-Minierave kemi arritur tashmë të identifikojmë fushat më relevante në të cilat ky bashkëpunim mund të jetë efikas.
Këto fusha janë: Punësimi i studentëve ekselentë; Mbështetja e kërkimit shkencor; Bashkëpunimi në funksion të mbështetjes infrastrukturore dhe financiare të këtyre fakulteteve.
Bazuar mbi strategjinë e ndërtuar janë hartuar dhe marrëveshjet përkatëse të bashkëpunimit me këto tre Fakultete, që janë në linjën sektoriale të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por pa përjashtuar bashkëpunimin e ngushtë me katër Fakultetet e tjera që janë pjesë përbërëse e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Bazuar mbi këtë strategji, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë angazhohet përmes këtyre marrëveshje vetë sigurojë për këto fakultete dhe studentët e tyre:
Në fushën e punësimit
1.Kryerjen e praktikave mësimore për 240 studentë në vit, nga tre fakultetet, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucioneve e shoqërive të varësisë që kjo ministri ka.
2.Krijimin e mundësive për studentët që kanë përfunduar studimet për kryerjen e intershipeve në aparatin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucioneve të varësisë.
3.Punësimin e studentëve të ekselencës të diplomuar në këto fakultete pranë strukturave të Ministrisë dhe institucioneve të varësisë. Në fazën e parë të këtij angazhimi Departamenti i Administratës Publike, bazuar në listën e vendeve vakante të evidentuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka kryer procedurën ligjore të rekrutimit.31 studentë të ekselencës janë përzgjedhur dhe tashmë ka nisur procedura e emërimit të tyre në strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të cilët ne do ti mirëpresim pasi ritmi dhe energjia e tyre është çfarë Ministrisë tonë i duhet në këto momente për të përmbushur të gjitha detyrat dhe strategjitë që ne kemi për implementim.
4.Përveç pikave të përcaktuara në marrëveshjet e bashkëpunimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon të përfshijë në këtë proces jo vetëm studentët e ekselencës me mesatare mbi 9, por edhe studentë të tjerë të talentuar dhe me dëshirë për të kontribuar në projekte të ndryshme, si ato të zhvillimin të infrastrukturës, reformimit të sektorit energjetik, por gjithashtu në zgjerimin e sektorit të hidrokarbureve, të tilla si projektet madhore të tjera që janë Aeroporti i Vlorës, apo Gazsjellësi Adriatiko-Jonian etj.
Një pikë tjetër ku kemi mbështetur paktin tonë me Universitetin, me Fakultetet që përmenda është mbështetja e kërkimit shkencor.
1.Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës do të bashkëpunojnë në aplikime të përbashkëta për projekte ndërkombëtare, me fokus programet e Bashkimit Europian.
2.Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë angazhohet të ofrojë mbështetje për studime të thelluara (doktoratura apo studime të tjera), që lidhen dhe shërbejnë si material ndihmës për ndërtimin e strategjive sektoriale në fushat e mbulimit të saj.
3.Gjithashtu bashkëpunimi do të shtrihet edhe në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore e studimore, si konferenca apo ëorkoshp në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.
Një pikë tjetër ku ky pakt mbështetet është mbështetja dhe suporti infrastrukturor dhe financiar që ne kemi parashikuar që të vëmë në dispozicion të këtyre fakulteteve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të mbështesë Universitetin Politeknik të Tiranës në nevojat për infrastrukturë, pajisje apo mjete laboratorike në funksion të tre fakulteteve që përmendëm por pa lënë asnjëherë jashtë vëmendjes dhe katër fakultetet e tjera bashkëpunuese, nëpërmjet Fondit të Përgjegjësisë Sociale, kjo gjë do të bëhet e mundur, ku secila agjenci dhe shoqëri do të kontribuojë.
Ministri do të mbështesë Universitetin Politeknik të Tiranës për prezantimin pranë institucioneve të ndryshme dhe kompanive private, të shërbimeve specifike sipas sektorit përkatës, që këto fakultetet mund të ofrojnë, si analiza laboratorike, apo studime specifike në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të përdorë gjithashtu eksperiencën e Universitetit Politeknik të Tiranës për shërbimet e analizave si dhe shërbimet e konsulencës për të hartuar apo për të bërë oponencë ndaj projekteve në fushate kompetencës së këtyre Fakulteteve. Në këtë pikë ekspertët e Ministrisë kanë nisur shqyrtimin e ndryshimeve të mundshme të legjislacionit përkatës, për t’i hapur rrugë mbështetjes financiare të këtij procesi.
Reagimi i shpejtë dhe me përgjegjësi, reflekton qartësisht vlerësimin që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndaj këtij angazhimi madhor të qeverisë për t’ju përgjigjur në kohë nevojave të studentëve. Me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi do të vijojmë edhe më tej zbatimin e plotë të këtyre angazhimeve për patronizhimin e Fakulteteve të Universitetit Politeknik të Tiranës.
Ju faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë