Ora 09.30 - OST, situata e furnizimit me energji - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 06/01/2017

Ora 09.30 – OST, situata e furnizimit me energji

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), bën me dije se për shkak të kushteve shumë të ashpra të motit, veçanërisht në veri të vendit ka pasur defekte në linjat e transmetimit të energjisë elektrike, konkretisht linja 110 kV Kalimash – Kukës, e cila ka lënë pa furnizim qytetin e Kukësit dhe rrethinat e tij.

Pavarësisht kushteve të motit dhe terrenit të ashpër, sqarojmë se ekipet e specialistëve të OST vazhdojnë punën pa ndërprerje në terren, duke ezauruar çdo mundësi për rikthimin e furnizimit me energji të kësaj zone.

Në një rast u ballafaquam me kalimin në hipotermi të specialistit të linjave, Ramadan Hallaçi 57 vjeç, mbi 25 vjet teknik linjash.

Punonjës i Njësisë Operative Shkodër, pjesë e OST: “Mbrëmë ishte në detyrë në brigadën e Kukësit, ku pasi riparoi pjesën e parë të linjës 110 kV Kalimash – Kukës të dëmtuar nga dëbora, vijoi punën për pjesën tjetër të linjës, mbi 20 km të gjatë. Pas më shumë se 7 orë punë në shtyllë dhe në terren të vështirë, në zonën e Qaf Malit, me temperaturë -9* celsius, punonjësi pësoi hiportermi. Aktualisht po kurohet në spitalin e Kukësit dhe është jashtë rrezikut për jetën.”

Theksojmë se nga ana e OSHEE, është e pamundur të ndërhyhet për riparimin e defekteve, pa riparuar më parë OST linjat e tensionit të lartë.