Nis asfaltimi në lotin 2 të Unazës Verilindore të Tiranës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 12/12/2023

Nis asfaltimi në lotin 2 të Unazës Verilindore të Tiranës

Në lotin 2 të Unazës Verilindore të Tiranës punimet kanë avancuar me ritme të shpejta. Në këtë lot, me një gjatësi prej afro 2 kilometrash, ka nisur puna për shtresat asfaltike, ndërkohë paralelisht po punohet edhe me detajet e tjera të këtij projekti.

Krahas ndërtimit të trasesë së rrugës, po punohet edhe me detajet urbane të tij, si dhe rrugët lidhëse duke krijuar aksesin për të gjithë banorët e zonës. Ky lot shtrihet në zonën e Paskuqanit, përgjatë lumit të Tiranës.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe kryetarin e Bashkisë Kamzë, Rakip Suli, ishin në terren ku ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në këtë segment.

“Kanë përfunduar të gjitha veprat e artit, është hapur trupi i rrugës. Jemi duke punuar me rifiniturat, bëhet hidroizolimi i urës dhe ndërkohë kemi vijuar me pjesën e trotuareve, me pjesën e gjelbërimit, që është shumë i rëndësishëm dhe në krahun tjetër jemi në fillimet e asfaltimit. Jemi duke punuar me disa makineri në një trup rruge dhe mendojmë që për një periudhë shumë të shkurtër kohore ne do ta kemi të asfaltuar të gjithë aksin”, sqaroi Berberi.

Loti 2 është segmenti me gjatësinë më të madhe në unazën Verilindore, krahasuar me lotet e tjera, në të cilat punimet po avancojnë. Ndërtimi i kësaj vepre, tha kryebashkiaku i Kamzës, do ti japë një zhvillim akoma edhe më të madh të gjithë zonës.

Projekti ka adresuar kërkesat e bashkisë Tiranë e Kamzës, duke e pajisur atë me elementët e nevojshëm urbanë, ndërkohë që rehabilitimi i lumit të Tiranës krijon mundësinë që kjo pikë të kthehet edhe në një hapësirë shplodhëse.

“Të gjitha këto janë elementë urbanë për të facilituar të gjitha zonat e banuara, sepse me të vërtetë këto janë rrugë të shpejtësisë së lartë, që do të krijojnë aksesin dhe lidhjen me autostradat që vijnë nga të gjitha drejtimet për t’u futur në kryeqytet, por nga ana tjetër janë rrugë që janë brenda zonave të banuara dhe s’ka sesi të jenë të bllokuara, pa aksese për kalimtarët, pa gjelbërim, pa ndriçim. Kështu që këto janë projekte që në gjenezë të tyre, në bashkëpunim edhe me bashkitë si të Tiranës ashtu edhe të Kamzës, ne kemi adresuar të gjitha kërkesat për të qenë rrugë me elementë facilitues për të gjithë banorët e zonave”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se vitit që po mbyllet ka qenë i suksesshëm sa i takon ecurisë së kantiereve të infrastrukturës, ndërkohë që gjatë vitit që po vjen parashikohet finalizimi i një sërë projektesh të tjera të cilat do të përfundojë duke u hapur për aksesin e qytetarëve.

“Unë shpresoj që dhe 2024 të ketë të njëjtin ritëm përsa i përket kantiereve në të gjithë Republikën e Shqipërisë pasi 2024 do jetë një vit shumë i rëndësishëm, kemi për të dorëzuar tunelin e Llogarasë, kemi për të dorëzuar të gjithë pjesën e Unazës Verilindore të Tiranës duke plotësuar kështu Unazën e Madhe të Tiranës, do përfundojë tuneli i Murrizit dhe shumë punë të tjera të mira që i kemi nisur. Do të nisim punë akoma më të mira, si porti i ri i Durrësit i vendosur në Porto Romano apo dhe aeroporti i jugut, se tashmë Vlora, ju e keni parë, kemi qenë me kryeministrin para pak ditësh atje, Vlora ka marrë rrugën e duhur, tashmë kantieri ka dalë në sipërfaqe, duket pista, terminali dhe gjithçka tjetër”, u shpreh Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej afro 29 kilometrash. Pjesa Verilindore e kësaj unaze është e ndarë në 7 lote, ku në secilin prej tyre po vijon puna me ritme.