Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në seancën plenare rreth projektligjit “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
Të nderuar deputetë,
Në programin e qeverisë, miratuar në Kuvend një vit më parë, konstatuam se sektori i industrisë minerare karakterizohej nga veprimtari jashtë monitorimit shtetëror, duke dëmtuar imazhin e mirëqeverisjes dhe seriozitetin e shtetit.
Për shumë vite, puna në miniera kryhej jashtë rregullave dhe standardeve për sigurinë, duke dëmtuar shëndetin e punonjësve, si dhe duke marrë jetë njerëzish në punët e rënda, nën e mbi tokë. Një tjetër problem i konstatuar, kishte të bënte me shkallën e përpunimit të mineraleve e cila ishte e ulët. Investimet në sektorin minerar ishin inekzistente, duke bërë që ky sektor të karakterizohej nga një prapambetje teknike e teknologjike kolosale, çka reflektohej në produktivitetin minimal të tij.
Po çfarë bëri qeveria që në fillim?
Në qasjen ndaj këtij sektori, prioriteti ynë i parë ishte siguria në punë. Ndërmorëm një kontroll të imtësishëm në të gjithë zonat minerare dhe veçanërisht në rajonin krom-mbajtës të Bulqizës që me të drejtë është konsideruar si gangrena e këtij sektori.
Kontrolluam zbatueshmërinë e detyrimeve kontraktuale dhe rregullave të sigurisë në punë. Pezulluam pjesërisht aktivitetin në pjesën më të madhe të subjekteve përfshirë koncesionarin kryesor, duke i detyruar që të kryejnë investimet për standardin e sigurisë në punë, si dhe për rritjen e prodhimit minerar.
Në një vit, kontrollet janë ushtruar në vijimësi nё tё gjithë territorin dhe si rezultat i këtij monitorimi të rreptë janë revokuar mbi 160 leje minerare.
Në kuadër të monitorimit të veprimtarisë minerare, me synim garantimin e interesit publik në këtë sektor, janë ushtruar kontrolle dhe janë detyruar subjektet minerare që të shlyejnë detyrimet e prapambetura ndaj organeve shtetërore.
Sa i takon koncesionarit kryesor, në rajonin krom-mbajtës të Bulqizës, në zbatim të Marrëveshjes Koncesionare dhe për nxitjen e punës për realizimin e investimeve që ai koncesionar kishte marrë parasysh, bëmë pezullimin e aktivitetit minerar, si dhe vendosëm detyrime që të fillonin investimet për pjesët e mbetura në këtë zonë krom-mbajtëse.
Për shkak të kësaj trysnie, të ushtruar nga organet shtetërore, u bë e mundur fillimi i hapjes së pusit nr. 9 në rajonin e Bulqizës. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për një investim mbi 20 milion dollarë, dhe po hyhet tek një zonë kromi, e cila i siguron jetëgjatësinë minierës për rreth 20 vjet të tjera. Jam krenar që kjo gjë u krye në këtë periudhë të kësaj qeverisje, pasi ka qenë një problem i vjetër i mos ekzekutimit të kësaj kontrate nga ana e koncesionarëve apo ndryshimet në pronësi që ka pësuar vetë koncesionari. Për shkak të këtij investimi tanimë të nisur do të shtohen vendet e punës, do të rritet prodhimi i kromit dhe do të garantohet për 20 vitet që vijnë.
Gjithashtu, u bë i mundur fillimi i punimeve në travernbankën e Klosit, me një investim në gati 5 milion USD. Ka filluar të vihet në punë Fabrika e Pasurimit të Kromit në Bulqizë më një kapacitet përpunues mbi 240 000 ton përpunim minerali, si dhe impianti i Seleksionimit të Kromit në Klos, i cili kishte mbi 20 vjet që nuk punonte.
Po ashtu, filloi punën Uzina e Burrelit me një kapacitet prej 10 000 ton në vit. Këto janë vepra që janë bërë gjatë këtij viti të parë të qeverisjes dhe realisht industria e kromit, përfshirë edhe zinxhirin e saj përpunues po futet në shinat e duhura.
Me kënaqësi, konstatoj se kompania më e madhe e bakrit në Kinë dhe e dyta në botë (Jiangxi Koper) ka shfaqur interes dhe tanimë ka hyrë në industrinë e bakrit në Shqipëri. Ajo po kryen investime për ta rritur prodhimin e bakrit. Shqipëria ka rezerva të bakrit, të cilat duhet të shfrytëzohen me një kapacitet më të lartë dhe realisht kjo është një arritje që ne duhet të na bëjë krenar dhe duhet të jemi të kënaqur si shqiptarë.
Tё nderuar deputetё,
Gjatё kёtij viti qeverisje, kemi analizuar me kujdes ato problematika ligjore qё hasen nё veprimtarinё minerare qё prej ndёrhyrjes sё fundit nё ligj nё vitin 2010. Nisma e re ligjore qё paraqesim sot pёr votim, u jep zgjidhje pikёrisht kёtyre problemeve, duke shёrbyer si shtysё pёr zhvillimin e mëtejshëm tё sektorit.
Projektligji parashikon ndryshime lidhur me saktësimin e disa përkufizimeve si dhe përfshirjen e një pёrcaktimi shtesë që lidhet me ndryshime të mundshme në koordinatat e sipërfaqes së një zone minerare të licencuar, me qëllim vazhdimësinë e veprimtarisë minerare në këto zona, si dhe shmangien e konflikteve që ndodhin mes lejeve të ndryshme minerare.
Parashikohet përfshirja e mundësisë së dhënies së lejeve për karrierat minerare, jo vetëm kur ekziston një interes i komunitetit lokal, por edhe kur ka një interes kombëtar. Ç’ka do të thotë ato vepra publike do të mbështeten me leje të shpejta minerare në mënyrë që materialet minerare të mund të shfrytëzohen për investime serioze që do të ndodhin në ekonomi.
Përcaktohet formalizimi i Nënkontraktimit, fenomen i cili aktualisht ekziston, po ka qenë totalisht i parregulluar, jashtë çdo lloj mbikëqyrje dhe me pasja të rënda, ku asnjë nuk mbante përgjegjësi, duke përcaktuar qartë natyrën e nënkontraktimit, si edhe monitorimin e qartë nga organet shtetërore përgjegjëse.
Ligji, gjithashtu parashikon saktësimin e konceptit të servitutit ligjor dhe detyrimin e zotëruesve të lejeve minerare që të shmangin përdorimin e galerive të nëntokës, një fenomen krejt i rrezikshëm që shpesh herë me vendime të papërgjegjshme të gjykatave është kthyer në burim aksidentesh dhe nuk garanton asnjë siguri në nëntokë.
Nisma ligjore përmban edhe ndryshime përsa i përket periodicitetit të paraqitjes së garancive financiare për realizimin e planit të investimeve.
Një element i rëndësishëm është rehabilitimi progresiv i mjedisit të zonave të shfrytëzuara minerare dhe atyre që vazhdojnë prodhimin, në mënyrë periodike. Çdo vit, subjektet minerare duhet të rehabilitojnë mjedisin vjetor, sipas një projekti të detajuar dhe që do të vlerësohet nga strukturat përgjegjëse të Ministrisë.
Ligji i kushton rëndësi edhe kapaciteteve teknike. Në bazë të këtij kushti, që përfaqëson një detyrim për zotëruesit e lejeve minerare, këtyre të fundit u kërkohet që të disponojnë personel të kualifikuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së lejes minerare dhe jo vetëm gjatë procedurës konkurruese. Kjo kërkesë synon jo vetëm që të realizohet me efektivitet veprimtaria minerare, por njëkohësisht të merren edhe masat që të shmangen aksidentet e të respektohen kushtet për sigurinë në punë.
Duke vlerësuar dhe nxitur maksimalisht investimet serioze në sektorin minerar, ligji parashikon shfuqizimin e kushteve dhe kërkesave të tepërta ndaj subjekteve pjesëmarrës në procedurat konkurruese të dhënies së lejeve minerare.
Ndryshimet e propozuara kanë të bëjnë edhe me përfshirjen në kushtet e revokimit të lejeve minerare, edhe të kushtit kur leja ka mbivendosje me një leje minerare të dhënë më parë. Aktualisht, si rezultat i pasaktësive gjatë përcaktimit të koordinatave, ka rezultuar që një tërësi lejesh minerare mbivendosen me njëra-tjetrën, duke qenë një burim i vazhdueshëm konflikti dhe duke sjellë pengesë për zhvillimin e sektorit. Kjo ka krijuar edhe konflikte sociale, madje shpesh herë edhe vepra kriminale të lidhura me këto konflikte.
Pra, me këtë ligj ne do ti japim fund përfundimisht mbivendosjes së lejeve minerare, duke i revokuar sa herë që ato konstatohen. Pra, revokim automatik sipas ligjit.
Tё nderuar deputetё,
Shpreh bindjen se duke votuar kёto ndryshime ligjore do tё mund tё adresojmё siç duhet problemet serioze qё kanё tё bёjnё me sigurinё nё punё tё punёtorёve tё nёntokёs. Duke miratuar kёtё ligj, do tё mund tё japim gjithashtu njё mesazh tё rёndёsishёm pёr sipërmarrjen e huaj dhe vendase, duke u garantuar atyre njё mjedis mё tё sigurtё pёr investime serioze nё sektorin minerar, dhe sektori minerar do të jetë një burim i vazhdueshëm i rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Edhe njëherë, ju ftoj ta votoni kёtё ligj tё rёndёsishёm dhe jam i sigurt që vitet në vijim do të raportojmë mbi zbatueshmërinë e këtij ligji dhe do të kemi rezultate shumë më të mira në zhvillimin e industrisë minerare.
Faleminderit,
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë