Fjala e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në Kuvend:
E nderuar drejtuese e seancës,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar pjesëtarë të Këshillit të Ministrave,
Të flasësh për zonat rurale dhe banorët e këtyre zonave, për nevojat e tyre dhe vështirësitë që hasin në jetën e përditshme nuk është asnjëherë e lehtë. Historikisht dhe jo vetëm në Shqipëri, zonat rurale apo fshati kanë qenë ndër zonat më të vështira për të jetuar dhe punuar. Edhe ndryshimi i sitemit në vitin 90, nuk solli shumë avantazhe për banorët e këtyre zonave. Vështirësive të natyrshme të punës në bujqësi e blegtori ju shtua mungesa e theksuar e vëmendjes nga ana e qeverive të ndryshme, çka ka bërë që fshati të braktiset dhe banorët e tij të kërkojnë mundësi jetese në qytete, apo të emigrojnë jashtë vendit. Të ndryshoje këtë situatë nuk ka qenë e lehtë, e aq më tepër të ndryshoje mentalitetin se zonat rurale mund të bëheshin jo vetëm të banueshme, por edhe fitimprurëse për banorët e tyre. Megjithatë, rezultatet dhe efektet e ndërhyrjes së qeverisë Rama, përmes investimeve direkte në të gjitha fushat, janë të dukshme dhe prekshme nga të gjithë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë sfidë jo të lehtë të qeverisë shqiptare. Investimet dhe ndërhyrjet kanë përfshirë disa drejtime, duke nisur nga ujësjellësat dhe kanalizimet, tek energjia elektrike dhe deri të ndërhyrjet në infrastrukturë.
Furnizimi i rregullt me ujë të pijshëm dhe përmirësimi i rrjetit të kanalizimeve, për të rritur cilësinë e jetës së banorëve dhe për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm në menaxhimin e integruar të ujërave ka qenë qëllimi kryesor i investimeve në fushën e ujësjellës – kanalizimeve. Në 6 vitet e fundit janë zbatuar në total në shkallë vendi në zonat rurale, 67 projekte të reja për furnizim me ujë të pijshëm, prej të cilave kanë përfituar rreth 250 000 banorë. 42 miliardë lekë është shifra e përgjithshme e investimit përmes këtyre projekteve, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm situatën e furnizimit me ujë të zonave rurale.
Përsa i përket sektorit të energjisë elektrike, fillimi i reformës së thellë në vitin 2014, shënoi një kthesë thelbësore si në qasjen ndaj konsumatorëve për dy treguesit bazë, siguri dhe cilësi në furnizim me energji, ashtu edhe për sa i përket trajtimit të tyre jo më si konsumatorë inferiorë. Investimet konsistuan në nënstacione të reja, linja të reja dhe kabina të tensionit të mesëm, nga 6 apo 10 kilovolt në 20 kV, linja të reja me kabëll ABC në tension të ulët, si dhe matës të rinj dixhital në të gjithë zonën e ndërhyrjes në fshat. 14.5 miliardë lekë janë investuar nga OSHEE në zonat rurale, çka është pothuajse 14.5 herë më shumë se sa investimet në periudhën e qeverisjes së mëparshme.
Programet tona ambicioze do të vazhdojnë dhe më tej për të normalizuar situatën energjitike në të gjithë zonën rurale. Programi i investimeve të balancuara dhe me qasje të ekuilibruar territoriale, do të vazhdojë në tre vitet e ardhshme me rreth 25 miliardë lekë, vetëm në sistemin e shpërndarjes. Pa përfshirë këtu investimet e KESH me vlerë rreth 1 miliardë lekë, në infrastrukturën lokale, krahas investimeve për përmirësimin e gjenerimit të energjisë elektrike. I referohem këtu segmenteve rrugore që përdoren në digat tona, si për arsye teknologjike dhe logjistike, ashtu edhe nga banorët e zonave rurale pranë hidrocentraleve.
Ndërkaq, investimet në sistemin e transmetimit arrijnë vlerën prej afërsisht 22 miliardë lekë dhe u takojnë përsëri zonave rurale, ku janë vendosur asetet dhe strukturat teknike e teknologjike të OST-së. Ndikimet në komunitet i përkasin si periudhës së ndërtimit, ashtu edhe asaj të shfrytëzimit me ndërhyrje në infrastrukturën lokale.
Gjatë periudhës 2014-2018, në kuadër të Rilindjes Urbane, nismë e Qeverisë Rama, si dhe sipas parashikimeve të Programit Buxhetor Afatmesëm “Planifikimi Urban” për vitin 2019, mund të rendisim një sërë projektesh si:
– Programi “Infrastrukturës rajonale dhe vendore”, që aktualisht ka kaluar si përgjegjësi e FSHZH;
– Hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore, përfshirë zonën rurale me karakteristika bujqësore, mjedisore e historike thuajse të përfunduara plotësisht;
– Projekti “Zonë rurale e rikualifikuar” – projekt pilot për 100 fshatrat;
– Programi “Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor”, i cili mbështet zhvillimin rural në qarkun e Vlorës, por me një fokus të veçantë mbi turizmin malor në 13 fshatrat e bregut dhe të lumit të Vlorës;
– “Projekti për Rizhvillimin e zonës së liqenit të Pogradecit, Tushemisht-Drilon”;
– Programi “100 fshatrat”, duke marrë në konsideratë nevojat dhe projektet e identifikuara në kuadër të këtj programi.
Ndërkohë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar janë kryer investime në vlerën e 715 milionë lekëve për studim-projektim në akse të ndryshme kombëtare, të cilat kanë impakt në zonat rurale përreth. Siç duket qartë edhe nga kjo pasqyrë e investimeve dhe ndërhyrjeve të kryera në zonat rurale, angazhimi i qeverisë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe punës në fshat është i padiskutueshëm. Por, ne jemi të ndërgjegjshëm se mbetet ende shumë për të bërë për këto zona, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, aty ku ai është i disponueshëm për të punuar, në funksion të mirëqënies së banorëve të tij.
Përvoja e viteve të fundit ka treguar se ka pasur raste të abuzimit me pushtetin dhe neglizhimit të nevojave të banorëve në zonat rurale nga ana e pushtetit vendor, siç është rasti i Vorës. Vora dhe banorët e saj, kaq pranë kryeqytetit por kaq larg zhvillimit. Vora me pozitën e saj të lakmueshme gjeografike, me liqenet e saj piktoreske,dhe trashëgiminë kulturore, vuan nga mungesa e investimeve serioze nga ana e pushtetit vendor. Në Vorë ka njerëz shumë punëtorë, që ja kanë dalë me forcat e tyre të ngrenë biznese të suksesshme, si ato në zonën e Prezës dhe të japin kontribut direkt në zhvillimin e zonës. Por, këto investime nuk janë të mjaftueshme dhe nuk mund të kenë impaktin e duhur, nësë nuk janë pjesë e një pakete të mirëfilltë, të orientuar nga bashkia e Vorës.
Gjej rastin të shpreh angazhimin e qeverisë për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave të nënprivilegjuara dhe zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë