Font Resize
 Mbahet “Konferenca për Energjinë”, me investitorë shqiptarë e të huaj - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/03/2023

Mbahet “Konferenca për Energjinë”, me investitorë shqiptarë e të huaj

Fjala e ministres Balluku gjatë konferencës së energjisë:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Faleminderit për ftesën sot. Është kënaqësi në këtë sallë të shikoj fytyra që i njoh prej kohësh gjë që do të thotë që kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me njëri-tjetrin, pra administrata, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe sektori privat padyshim. Gjithashtu edhe ambasadorët, trupi diplomatik apo edhe institucionet financiare të huaja të cilat na kanë suportuar dhe kanë qenë me ne hap pas hapi në të gjithë këtë katër vjeçar të gjatë ku Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjithashtu dhe Qeveria Shqiptare kanë pasur një fokus të shtuar mbi sektorin energjetik edhe para se të fillonte kriza.

Ashtu siç ju e dini, ne kemi nisur prej vitesh një strategji të mirëfilltë diversifikimi të burimeve energjetike në Republikën e Shqipërisë me një qëllim të saktë, me një qëllim të pastër para nesh i cili na frymëzon çdo ditë. Duam të kthejmë Shqipërinë nga një vend importues në një vend eksportues neto dhe kjo do të ndodhë deri në vitin 2029 sipas një roadmap-i të qartë me të gjitha programet dhe projektet që kanë nisur tashmë prej kohësh, por nga ana tjetër edhe me të gjithë investimet e sektorit privat që për thënë të drejtën tashmë janë të rëndësishme dhe nuk mund të jenë të pakonsiderueshme.

Megjithatë unë do të ndalesha pak tek viti që lamë pas, një vit i cili sfidoi jo vetëm Shqipërinë, por edhe vende të stabilizuara prej kohësh me kapacitete të rëndësishme energjetike, vende që kontribuonin jo vetëm në zhvillimin e tyre rajonal, atje ku ndodheshin, por madje në të gjithë botën. Sfida energjetike nuk i dha imunitet askujt dhe të gjitha këto vende u sprovuan, ashtu si dhe Shqipëria. Megjithatë atë që unë konstatoj me shumë kënaqësi është se askush, as Bashkimi Europian, as Ballkani Perëndimor dhe as vende të tjera nuk u gjunjëzuan gjatë kësaj krize, por në të kundërt të gjithë ne u motivuam, u frymëzuam për të gjetur instrumenta të rinj, për të krijuar burime alternative energjie dhe për të qenë të përgatitur për çdo krizë tjetër me të cilën mund të përballemi në të ardhmen. Kështu që me kënaqësi unë sot do të thoja që vetëm brenda vitit 2022 deri më tani në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë kemi aprovuar dhe i kemi dhënë dritën jeshile projekteve të cilat përbëjnë 300 megavat/orë prodhim dhe në ndërkohë janë duke u trajtuar 55 aplikime të tjera që i ekuivalojnë një kapaciteti 1.7 gigavat ose përkthyer në para, në investim, 1.3 miliard euro investime energjetike të sektorit privat në Shqipëri.

Por, Shqipëria këtë vit është e privilegjuar përsa i përket sektorit energjetike. Ky është një vit i rëndësishëm sa i takon energjisë pasi në këtë vit ne mbajmë kryesimin e dy proceseve shumë të rëndësishme. Kemi presidencën e Komunitetit të Energjisë, si një mekanizëm bashkëpunimi, rajonal dhe një katalizator për integrimin e rrjeteve tona energjetike me ato të Bashkimit Europian dhe zhvillimin e sektorit në përputhje me direktivat dhe standardet europiane, duke i ofruar kështu garanci të shtuar investitorëve. Nga ana tjetër, Shqipëria do të jetë mikpritëse për procesin e Berlinit, njohur ndryshe si agjenda e konektivitetit, një tjetër platformë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian e mbështetur dhe udhëhequr nga qeveria gjermane e cila ka vërtetuar që është një mekanizëm i frytshëm në rrugëtimin tonë dhe vendeve tona, përgjithësisht Ballkanit Perëndimor, pra drejt Bashkimit Europian, duke jetësuar reforma dhe projekte të cilat na sjellin më pranë realizimit të objektivave kombëtare dhe atyre të lidhura padyshim me anëtarësimin.

Kryesimi i procesit të Berlinit është jo vetëm një tregues i rolit kyç të Shqipërisë në rajon, por mbi të gjitha një vlerësim i punës tonë për të çuar përpara proceset, reformat, projektet në të gjithë sektorët. Ashtu siç shpesh është thënë Shqipëria është një shembull për tu marrë. Shqipëria është padyshim një nga vendet që shpeshherë i referohen si për 100% prodhimin e energjisë së rinovueshme, ashtu dhe për diversifikimin e energjisë së rinovueshme.

Por, nga ana tjetër ne nuk kemi lënë pas dore edhe diçka që është shumë e rëndësishme, transmetimin. Investimet tona përsa i përket operatorit të transmetimit duke pasur parasysh se të gjitha këto kapacitete të shtuara do të tregtohen janë të rëndësishme dhe me kënaqësi sot mund të them që projekti ynë i madh për linjën e transmetimit me Maqedoninë e Veriut me Bitolën tashmë është në të njëjtin ritëm ashtu si dhe pala e Maqedonisë së Veriut, gjë që na bën shpresëplotë që do të mbarojë në afatet e përcaktuara. Por gjithashtu duhet thënë që ne në muajin maj mbas dy vitesh pune të rëndësishme me IBRD-në që nuk humb kurrë rastin për ta falënderuar, pasi ka qenë një partner konkret, jo vetëm financiar, por edhe një partner që na ka qëndruar në krah për të krijuar eksperiencën e shkëlqyer të ankandeve që ne kemi bërë deri më sot. Ne e kemi nisur me ankandet fotovoltaike dhe tashmë në fund të majit do të kemi rezultatet e një ankandi shumë të rëndësishëm, ankandit të parë eolik hibrid në Republikën e Shqipërisë ku morën pjesë 16 kompani ndërkombëtare, ku 6 prej tyre janë kualifikuar për fazën e dytë dhe me anë të ofertës financiare kjo ndërmarrje e madhe mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe IBRD do të ketë rezultat.

Çfarë është e rëndësishme për vendin tonë, çfarë është e rëndësishme për sektorin energjetik? Ne shikojmë përpjekjet dhe besimin që kompanitë e huaja, investitorët e huaj me emër të rëndësishëm në treg tashmë tregojnë për Shqipërinë. Nuk vihet më në diskutim nëse ankandet tona, nëse proceset tona janë transparente. Nuk vihet më në dyshim nëse ne aplikojmë në këto procese burokraci të pa duhura. Pra, gjithçka tashmë është e konsoliduar dhe e konfirmuar edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Ndërkohë, ashtu siç thashë, kriza energjetike na vuri me të vërtetë para një sfide shumë të madhe. U detyruam të kufizonim shumë nga veprimtaritë tona ashtu siç është edhe kufizimi i investimeve në sektorin energjetik që për të thënë të drejtën e kemi bërë me shumë dhimbje, pasi Shqipëria sot është një vend që zhvillohet në të gjitha fushat, në fushën e agrobiznesit, në fushën e turizmit dhe në çdo fushë tjetër të infrastrukturës arsimore, shëndetësore e të tjerë, dhe të gjitha këto padyshim kërkojnë një nga elementët më të rëndësishëm, por më bazik, që është energjia.

Dhe çfarë ndodh në të tilla raste kur ti duhet të frenohesh për shkak të krizës? Atëherë duhet të bëhesh me efiçent. Me të vërtetë ti nuk ke mundësi që të investosh, ndoshta ashtu siç ne i bëjmë në vitet normale, që shpresoj 2023 të jetë një nga këto, por nga ana tjetër pavarësisht se investimet i kemi frenuar për shkak të krizës, ne kemi arritur që të ulim me 19.6% humbjet teknike. Pra, Operatori i Shpërndarjes, që është diçka që duhet përshëndetur pasi tregon që jo vetëm investimet , por edhe mundi, edhe përpjekja njerëzore, ndonjëherë shpërblehet edhe më shumë se çdo investim tjetër.

Gjithashtu, ky është një vit i shënuar pasi unë duhet të them që Marsi është muaji kur ne do të kthejmë operative dhe do të jetë tashmë një e re e shumëpritur, Bursën Energjetike Shqiptare. E kemi deklaruar disa herë si kohë dorëzimi, por gjithmonë ka pasur problematika pasi ne nuk punojmë vetëm, punojmë me partnerë dhe partnerët padyshim ndikohen nga krizat, nga problematikat dhe gjithçka tjetër, kështu që na është dashur ta shtyjmë disa herë afatin e dorëzimit, por të gjitha palët tashmë deklarojmë se fundi i Marsit do të jetë data e shumëpritur e aktivizimit të Bursës Energjetike Shqiptare, ALPEX, e cila padyshim do të garantojë transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve, sidomos sot më shumë se kurrë kur sektori privat po investon fuqishëm në kapacitetet fotovoltaike.

Unë do të gjeja rastin këtu, duke ju drejtuar kësaj salle të nderuar, këtij auditori plot me investitorë dhe njohës të mirë të fushës, por edhe të trupit diplomatik që është koha që të mos fiksohemi tek panelet fotovoltaike. Ka alternativa shumë interesante, të cilat ndoshta do të respektonin edhe relievin e Republikës së Shqipërisë, pasi mos harroni ky është një vend i vogël, kryesisht i dominuar nga zona me relieve malore dhe ne kemi ultësirën Perëndimore që është diamanti i tokës shqiptare, të cilën do ta mbrojmë, pavarësisht se unë jam Ministri i Energjisë, por në emër të Qeverisë Shqiptare, si Zëvendëskryeministre, më duhet të them që ne tokën bujqësore do ta mbrojmë me shumë xhelozi madje, duke rishikuar ligjin përsa i përket bonitetit dhe parcelave ku mund të ndërtohen panelet fotovoltaike dhe duke e qartësuar një herë e mirë këtë problematikë dhe duke mos lënë ekuivok duke i hapur kështu rrugën investimeve dhe duke mos vonuar asnjë investitor.

Megjithatë unë gjej rastin nga kjo foltore të bëj thirrje dhe t’ju them të gjithëve se energjia është një fushë me probabilitet dhe oportunitete shumë të mëdha. Është bërë një trend sot që të gjithë duan të investojnë tek parqet fotovoltaike që në fund të ditës nuk është dhe një energji pist lod apo jo do t’ju duhet që ta balanconi, do t’ju duhet që të uleni në çmim dhe askush nuk mund të mendoj që ky çmimi që është sot në bursë do të jetë çmimi i parqeve fotovoltaike, pra duhet të thellohemi pak dhe ti japim mundësi Shqipërisë që të zhvilloj edhe fusha të tjera, siç janë parqet eolike apo hidrogjeni dhe gjithçka tjetër mund të operohet edhe në vendin tonë si kudo në botë.

Gjithashtu dëshiroj të përmend edhe amendimet e ligjit të burimeve të rinovueshme, i cili është miratuar në qeveri dhe tashmë do të shkoj në parlament për një debat të hapur publik ku sigurisht do të jetë një transpozim i direktivës europiane, por nga ana tjetër do të adresojë edhe shumë çështje, boshllëqe, të cilat na kanë dalë në sipërfaqe gjatë operimit, gjatë mënyrës së aplikimit që vjen nga investitorët dhe ne kemi parë që ka vend për tu sistemuar, kështu që padyshim ka ardhur momenti që dhe ky ligj të rishikohet pas një kohe të gjatë që është në fuqi.

Nuk do doja të zgjatesha shumë pavarësisht se për energjinë unë mund të flas pafund pasi të gjitha këto çështje do të kemi mundësi ti diskutojmë dhe për të thënë të drejtën unë ndonjëherë më duket sikur i futem në pjesë infrastrukturës, megjithëse atë e zhvilloj në terren, në kantiere, sepse kryesisht tryezat tona në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë të bazuara mbi energjinë sepse energjia është ajo që kërkon një bazë më të gjerë. Ne jemi mësuar në Ministri të Infrastrukturës dhe të Energjisë që ti dëgjojmë investitorët, ti dëgjojmë partnerët tanë ndërkombëtar dhe të shkëmbejmë me ta padyshim eksperiencat më të mira. Vetëm duke u bazuar mbi best practice ne do të arrijmë që edhe në Shqipëri të arrihet qëllimi që unë deklarova në fillim, pra duke shtuar 4 terravat prodhim deri në vitin 2029, sipas të gjitha programeve të deklaruara që unë nuk do doja ti përmendja dhe një herë, për ta kthyer Shqipërinë në një vend eksportues neto.

Duke qenë se i shikoj këtu në sallë do dal edhe jashtë formatit të fjalës time për të falënderuar të gjithë investitorët e huaj që sot operojnë në Shqipëri siç është SHELL, apo siç është Verbund, apo Statkraft që i falënderoj jo vetëm sepse ata ndodhen në Shqipëri dhe operojnë, por sepse kanë marrë një vendim akoma më të rëndësishëm për zhvillimin energjetik shqiptar që të vazhdojnë me investime të tjera në këtë fushë, pra jo vetëm me investimet që kanë ardhur fillimisht, por janë duke i dhënë një ekspansion biznesit të tyre në Shqipëri gjë që padyshim tregon se deri tani kanë qenë të kënaqur me bashkëpunimin, por edhe me mbështetjen që Qeveria Shqiptare i ka dhënë.

Për ta mbyllur këtë fjalë unë do doja t’ju falënderoja edhe një herë të gjithëve dhe t’ju thoja që nëse punojmë së bashku, nëse gjejmë mundësi për t’u mirëkuptuar edhe atëherë kur ne jemi të detyruar për shkak të ligjit, t’ju themi jo, edhe atëherë kur për shkak se ju jeni investitorë të rëndësishëm ne mundohemi të jemi më elastikë dhe të gjejmë dritare në ligj, padyshim që do jemi të gjithë së bashku të suksesshëm. Shqipëria ka potencialin më të madh energjetik në rajon dhe ju keni zgjedhur vendin e duhur.

Shumë faleminderit.