Masat e marra për Zharrëzën në kuadër të grupit të punës ngritur me urdhër të Kryeministrit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 08/02/2017

Masat e marra për Zharrëzën në kuadër të grupit të punës ngritur me urdhër të Kryeministrit

17-02-09-11-38-04big_mei-foto

Deklaratë lidhur me masat e mara lidhur me situatën e tërmeteve të shkaktuara në zonën e Zharrëzës, në vend-burimin e naftës dhe gazit të Patos-Marinzës:

Bazuar në raportin e Grupit të Punës, deklarojmë:

Në bazë të Urdhrit të Kryeministrit nr.178, datë 27.12.2016, është ngritur një Grup Pune “Për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në zonën e fshatit Zharrëz dhe për përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve të ndodhjes së fenomenit të lëkundjeve të tokës”, me afat deri në datën 31.01.2017.

Grupi i Punës vendosi marrjen e disa masave të menjëhershme të përmbledhura si më poshtë:

– Në vazhdim të urdhrit të lëshuar MEI për ndalimin e injektimit të ujit teknologjik në puset në gëlqerorë në Zharrëz të datës 26.12.2017, MEI do t’i kërkojë kompanisë Bankers të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, si dhe masa riparuese të nëntokës dhe mbitokës, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin.

– Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Institucionin e Prefektit të Qarkut Fier dhe me bashkinë Patos do të marrë masa të menjëhershme për sistemimin e përkohshëm të banorëve, banesat e të cilëve janë vlerësuar si të pabanueshme dhe riparimin e shtëpive me dëmtime të rënda, deri sa të konkludohet me pranim nga të dy palët, Qeveria dhe Bankers, përgjegjësia për shkaktimin e lëkundjeve sizmike, ose të disponohet një vendim i formës së prerë nga një palë e tretë e pranuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes apo nga arbitrazhi për këtë çështje.

– Albpetrol do të finalizojë blerjen dhe instalimin e 3 sizmomarrësve shtesë dhe 6 akseleromarrësve, si dhe pajiset përkatëse në bashkëpunim me IGJEUM.

– MEI do të angazhojë, në përputhje me parashikimet në Marrëveshjen Hidrokarbure dhe Liçencë Marrëveshjen për shfrytëzimin e vendburimit të Patos-Marinzës nga Bankers Petroleum, një ekspert teknik ndërkombëtar të pavarur për të përcaktuar në mënyrë objektive dhe asnjanëse shkakun e lëkundjeve, por edhe për të propozuar zgjidhjen më optimale për teknologjinë e trajtimit te ujit dhe mbetjeve teknologjike që shoqërojnë nxjerrjen e naftës nga nëntoka, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.