Kryeministri Rama dhe ministri Gjiknuri inspektojnë punimet për nënstacionin e Orikumit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 15/10/2017

Kryeministri Rama dhe ministri Gjiknuri inspektojnë punimet për nënstacionin e Orikumit

Nënstacioni elektrik i Orikumit në proces ndërtimi do të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike të bregdetit të Vlorës. Sëbashku me nënstacionin e ri të Himarës ai pritet të përmirësojë edhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike të zonës bregdetare, duke dhënë fund një prej problemeve më të ndjeshme, veçanërisht gjatë sezonit turistik, si dhe do t’i japë një shtysë e siguri më tepër zhvillimit të turizmit.

“Është parashikuar që e gjithë zona të garantohet me furnizim cilësor dhe pa ndërprerje. Do jenë 6 fidera në total me 105 kabina, që do garantojnë në mënyrë afatgjatë pjesën e furnizimit me energji elektrike. Është parashikuar që projekti të mbarojë në afat, në fillim të marsit 2018,” – u shpreh drejtuesi i zbatimit projektit.

“Gjithë drama e rëndë e shumë viteve të bregdetit Jon, – u shpreh Kryeministri Rama gjatë inspektimit të punimeve, – me këtë zgjidhet përfundimisht se ky është segmenti i fundit i boshllëkut që ishte krijuar që nga elektrifikimi dhe që ka torturuar të gjithë këtu, plus, e bënte sezonin turistik një torturë më vete.”-

Ky nënstacion, bashkë me nënstacionin tjetër në Himarë dhe rrjetin e ri elektrik, që ripërtërihet tërësisht që nga koha e elektrifikimit, do të garantojnë  infrastrukturën elektrike për 5 dekadat e ardhshme.

“Kjo është pjesa që lidhet edhe me investimin që do bëjë OSHEE-ja me Kooperacionin Italian. Shumë shpejt lidhim kontratën e do të bëhen të gjitha 20kV, Radhimë, Orikum deri në Llogara dhe e gjithë pjesa e bregdetit të Vlorës bëhet me shërbim modern të energjisë elektrike. Edhe në Himarë ka filluar nënstacioni dhe rrjeti energjetik i gjithë kësaj zone, për 40-50 vjet do jetë i garantuar. Zëre se u bë një rrjet i ri, që nga koha e elektrifikimit,” – tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.