KESH - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

KESH

Profili i Kompanise

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) sh.a. është një shoqëri tregtare aksionere shtetërore e integruar vertikalisht dhe është prodhuesi kryesor dhe më i rëndësishëm i energjisë elektrike në Shqipëri.

Themelet e saj nisin në vitin 1957, me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Centraleve Elektrike (DPCE) si entiteti i vetëm që realizonte prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike tek konsumatori si edhe shkëmbimin me vendet fqinj.

Në vitin 1992, DPCE u shndërrua në ndërmarrjen shtetërore Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, ndërsa në vitin 1995 mori statusin e shoqërisë anonime me aksione të zotëruara 100% nga shteti.

Në vitin 2001, hyri në fuqi Statuti aktual i KESH sh.a., i cili parashikonte ndryshime të thella organizative në zbatim të legjislacionit komunitar për privatizimin e monopoleve jonatyrale – si kusht kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE – duke bërë fillimisht ndarjen e funksioneve bazë në : Prodhim, Transmetim, Shpërndarje.

Me zhvillimet e mëvonshme, në vitin 2004 u bë ndarja nga KESH sh.a. e veprimtarisë të transmetimit nëpërmjet krijimit dhe funksionimit më vete në treg të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a. si shoqëri anonime me aksione 100% shtetërore.

Në vitin 2007, u nda nga KESH sh.a. edhe veprimtaria e shpërndarjes dhe furnizimit me pakicë nëpërmjet krijimit dhe funksionimit më vete në treg të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a. fillimisht si shoqëri anonime me aksione 100% shtetërore dhe nga viti 2009, pas privatizimit të suksesshëm të paketës 76% të aksioneve, pjesë e grupit të kompanisë çeke CEZ A.s.

Aktualisht, KESH sh.a. vepron si shoqëri anonime me kapital tërësisht shtetëror në bazë të aktit të themelimit datë 17.10.1995 dhe të Urdhrit nr.74, datë 02.11.1995 të Ministrit të Financave dhe është regjistruar në regjistrin tregtar meVendimin e Gjykatës së Tiranës nr.12728, datë 06.11.1995 në përputhje me Ligjin nr.7638, datë 19.11.1982 “Për shoqëritë tregtare”.

Korporata do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në sektorin energjetik, duke optimizuar teknikisht dhe ekonomikisht prodhimin vendas dhe shitjen/shkëmbimin e energjisë elektrike, për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm dhe me kosto të ulët për klientët tariforë paralelisht me vënien në punë të burimeve të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese.

Infrastruktura Gjeneruese

Divizioni i Gjenerimit

Divizioni Gjenerimit ose sikurse përcaktohet në Modelin e Tregut Shqiptar të Energjisë “Kompania Publike e Gjenerimit”(KPGJ), aktualisht është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në Shqipëri.Divizioni i Gjenerimit është pjesa kryesore dhe më e rëndësishme e strukturës organizative të KESH sh.a.

Ky Divizion përbëhet nga :

– Stafi Qendror në të cilin përfshihen;

Departamenti i Mirëmbajtjes, Departamenti i Shfrytëzimit, Departamenti i Digave, Departamenti i Planifikim Zhvillimit, Departamenti i Financës.

– Njësitë e Prodhimit.

Njësitë e Prodhimit janë organizuar mbi bazën e hidrocentraleve të mëdhenj dhe të mesëm që ka Shqipëria, të cilat janë pronë shtetërore. Këto hidrocentrale janë të ndërtuara në kaskadën e lumit Drin; HEC Fierza me fuqi të instaluar 500 MW, HEC Koman me fuqi të instaluar 600 MW dhe HEC Vau Dejës me fuqi të instaluar 250 MW.

Divizioni i Gjenerimit siguron nëpërmjet njësive hidrike një prodhim mesatar vjetor  4. 200. 000.000 KWh (4200 GWh) duke plotësuar kështu rreth 65 % të energjisë që duhet të hidhet në rrjetin e sistemit energjetik kombëtar. Pjesa tjetër e energjisë që i duhet vendit plotësohet nga importi dhe nga prodhuesit e tjerë të energjisë në vend.

HEC Fierzë
Eshtë hidrocentrali i parë i kaskadës i ndërtuar në lumin Drin në Fierzë. Punimet për ndërtimin e HEC Fierzë kanë filluar në vitin 1970 dhe kanë vazhduar për rreth 8 vjet. Në vitin 1978, u vu në punë turbina e parë dhe me radhë. Turbina e katërt, dhe e fundit, u vu në punë ne vitin 1980. HEC Fierzë është i tipit me digë dhe rezervuar, diga është digë dheu, me bërthamë argjile me përmasa: lartësi 170 m, gjatësi 350 m dhe gjerësia e digës nga 350 m në bazamentin e saj, në 11 m në kreshtën e digës. Nga diga e Fierzës është krijuar një rezervuar me një volum të përgjithshëm 2,7 miliard m3 ujë dhe një sipërfaqe prej 7,2 km2 . Për ndërtimin e kësaj vepre janë hapur dy tunele devijimi, katër tunele për marrjen e ujit për turbinat dhe dy tunele shkarkimi me një gjatësi të përgjithshme 5.500 ml. Në HEC Fierzë janë instaluar 4 agregate me turbina Frencis me fuqi 125 MW për çdo njësi dhe fuqi totale të instaluar 500 MW. Prodhimi vjetor i projektuar i HEC Fierzës është 1800 GWh. Fillimisht, teknologjia e pajisjeve elektromekanike ishte e prodhimit kinez.

Gjatë viteve të shfrytëzimit të HEC Fierzë, janë kryer ndërhyrje në nyje të veçanta sidomos në sistemin e kushinetave pasqyrë të cilat më vonë u zëvendësuan me teknologji të prodhimit perëndimor(Voith Austri). Në vitet 2001- 2006, u realizua projekti i rehabilitimit të HEC Fierzë. Gjate rehabilitimit përveç të tjerave u zëvendësuan rrotat e punës së turbinave tek dy agregate (2 dhe 4) duke bërë që të rritet rendimenti i tyre. Për rehabilitimin e HEC Fierzë janë shpenzuar 22 milion Euro ndër të cilat 17 milion Euro për pajisje elektromekanike dhe 5 milion euro për punime civile. Karakteristikat më kryesore të HEC Fierzë janë si më poshtë.

HEC Koman
HEC Koman u ndërtua në Lumin Drin në pjesën veri-lindore të Shqipërisë në mes të kaskadës së Drinit. Baseni i këtij HEC-i ka një kapacitet prej 450 milion m3 ujë. Impianti u vu në punë në dy faza: njësitë 1, 2 dhe 3 në vitin 1985 dhe njësia 4 është vënë në punë në vitin 1988. Diga është e lartë 125 m. Dy tunele furnizojnë me ujë të katër turbinat që ndodhen në sallën e turbinave. Kapaciteti i instaluar i HEC Koman është 600 MW dhe prodhimi mesatar vjetor 2,060 GWh. Impianti është i lidhur me rrjetin 220 kV të transmetimit.


HEC Vau i Dejës
HEC Vau i Dejës ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë, në fund të kaskadës së lumit Drin, pranë qytetit të Shkodrës. Baseni i këtij HEC-i ka një kapacitet prej 580 milion m3 ujë. Edhe ky impiant është vënë në punë në dy faza: njësia 1, 2 dhe 3 në vitin 1970 dhe njësia 4 dhe 5 në vitin 1975. Diga është 90 m e lartë. Ka dy tunele furnizimi që çojnë ujin në të pesta njësitë e instaluara. Kapaciteti i instaluar është 250 MW me një prodhim mesatar vjetor prej 1,000 GWh. Impianti është i lidhur me rrjetin 220 kV të transmetimit.

Website:www.kesh.al