ISHTI aksion në pikat e shitjes së gazit, Balluku: Prioritet rritja e parametrave të sigurisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 15/12/2023

ISHTI aksion në pikat e shitjes së gazit, Balluku: Prioritet rritja e parametrave të sigurisë

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur një aksion për verifikimin e kushteve teknike të mbajtjes dhe tregtimit të gazit të lëngshëm. Aksioni ka si synim rritjen e sigurisë së depozitave, ndërkohë që gjatë verifikimeve të kryera në terren është konstatuar në disa subjekte nevoja për ndërhyrje në infrastrukturë në mënyrë që të plotësohen kushtet e sigurisë teknike.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Kryeinspektorin e ISHTI, Sokol Zaimi ndoqën nga afër aksionin në një prej pikave të tregtimit të gazit të lëngshëm në kryeqytet.

“Që nga 1 tetori janë kryer 168 inspektime pranë pikave të karburantit. Janë marrë masa të menjëhershme për të eliminuar 6 autogaze që paraqesin rrezikshmëri shumë të lartë. 7 autogaze të tjera janë spostuar dhe janë zëvendësuar me autogaze nëntokësor, ndërkohë jemi në proces për të përmirësuar kushtet teknike për 23 autogaze në të gjithë vendin. Është gjë e rëndësisë së veçantë për të garantuar një siguri sa më të lartë për qytetarët”, tha Zaimi.

Zëvendëskryeministrja Balluku e cilësoi këtë si një aksion shumë të rëndësishëm sa i takon rritjes së parametrave të sigurisë. “Ne po mundohemi që të gjitha për arsye të sigurisë dhe parametrave që duhet të ketë sipas kushteve të Inspektoratit Teknik Industrial, po mundohemi që të gjitha depozitat e gazit të lëngshëm që ndodhen në sipërfaqe, qofshin këto në biznese private apo dhe në shkolla, madje ne do ulemi me ministren Manastirliu që të kemi një tryezë të përbashkët për të ndërhyrë në të gjitha shkollat që përdorin LNG, por kemi nisur njëherë nga bizneset e tregtimit”, tha Balluku.

Aksioni do të shtrihet edhe në qytetet turistike, tha Balluku, për të qenë gati për sezonin e ardhshëm turistik.

Pas kontrollit të inspektorëve të ISHTI-i subjekteve të cilat konstatohen me shkelje ju lihet një afat 30 ditor për të ndërhyrë. Pas ndërhyrjes së tyre janë sërish paraqiten sërish inspektorët për të kryer certifikimet. Një prej kërkesa kryesore e cila lidhet me sigurinë ka të bëjë me vendosjen e depozitës ku ruhet gazi nën tokë.