Nënstacioni elektrik në Vorë garanton sot një cilësi furnizimi me energji elektrike shumë herë më të mirë. Investimi i realizuar ka fuqizuar dhe rritur ndjeshëm kapacitetet e nënstacionit, i cili furnizon me energji elektrike afro 15 mijë banorë dhe 3 mijë biznese.
Ky nënstacion është ndërtuar në vitin 1964 dhe nuk ishte investuar në të, pavarësisht zhvillimit të zonës, ku janë shtuar ndjeshëm numri i bizneseve që operojnë, por edhe numri i banorëve të cilët banojnë aty.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Bledian Dalipi inspektuan investimin e realizuar në këtë nënstacion, teksa ky i fundit bëri të ditur ndikimin që pritet të ketë kjo ndërhyrje për të gjithë zonën.
“Në nënstacionin e Vorës janë bërë punime në të gjithë natyrën e nënstacionit duke filluar nga ndërtimi i godinës së re, ndryshimi i transformatorëve, panele të reja dhe fidra dalës të rinj. Është një investim që kap vlerën e 250 milionë lekëve. Konsiston në dy transformatorë të rinj, të cilët ka zëvendësuar dy transformatorët e vjetër që kanë qenë. Si në vendet e tjera jemi në një nënstacion që po kalojmë nga një nivel tensioni më i ulët në një nivel më të lartë që do të thotë parametra më të mirë të furnizimit me energji të konsumatorëve”, tha Dalipi.
Me ndërhyrjen e realizuar, tha Zëvendëskryeministrja Balluku i është dhënë zgjidhje një problematike shumëvjeçare, e cila jo vetëm përmirëson cilësinë e furnizimit për të gjithë abonentët, familjarë dhe bizneset, por ndikon edhe në optimizimin e treguesve të vetë kompanisë.
“Duhet thënë që kemi ndërtuar 11 nënstacione të reja në këto vite, 2200 kabina të gjitha të reja, mbi 500 mijë matës smart që janë vendosur në të gjithë Shqipërinë dhe ndërkohë, ashtu siç e kemi thënë edhe herë të tjera, tashmë ne kemi një plan të qartë për të filluar dhe për të pajisur të gjitha kabinat, 26 mijë kabina, me smart metër dhe më pas të kalojmë në fazën përfundimtare për të bërë të njëjtën gjë me të gjithë abonentët tanë. Është shumë e rëndësishme gjithashtu që nga 42% që e ka pasur kjo zonë nivelin e humbjes, kemi arritur në 7% që është pothuajse niveli europian i humbjeve. Ky është synimi jonë që të arrijmë 6 deri në 4% të nivelit të humbjeve teknike, duke qenë se këto janë parimet, kërkesat dhe kriteret e Bashkimit Europian”, deklaroi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se investimet në sektorin energjetik nuk kanë munguar dhe do të vijojë edhe gjatë këtij viti, teksa solli në vëmendje edhe projektet kryesore madhore, të cilat do të bëjnë të mundur që Shqipëria të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë brenda vitit 2030.
“Energjia elektrike gjithmonë do të jetë një problem për Republikën e Shqipërisë derisa ne të arrijmë që të prodhojmë ato 4 tera plus që janë në planin tonë strategjik për t’u prodhuar deri në vitin 2030, përmes ndërtimit të Skavicës, ndërtimit dhe operimit të TEC-it të Vlorës, shtimit të kapaciteteve të parqeve fotovoltaike, jo vetëm atë të Karavastasë, por edhe të Spitallës dhe shumë iniciativa të tjera private të cilat po ndërmerren në këto kohë. E gjithë kjo paketë do të arrijë që t’i ofrojë Shqipërisë 4 tera plus, përveç prodhimit që ne kemi sot, duke na bërë kështu një vend eksportues neto dhe jo një vend importues që jemi sot”, u shpreh Balluku.
Zëvendëskryeministrja theksoi se pavarësisht krizës energjetike, fokusi mbetet në çdo rast garantimi i një furnizimi të pandërprerë me energji elektrike për çdo abonent.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë