Projektet e operatoreve te sistemit elektroenergjetik
Projektet e OST Sh.a
Lista e plotë e investimeve të OST sh.a për vitin 2016
Investime kryesore
LINJA E INTERKONEKSIONIT 400 kV SHQIPËRI-KOSOVË
(inauguruar në datë 28.06.2016)
Shqipëria dhe Kosova tashmë janë të lidhura me një “autostradë energjitike”. Në Tiranë u zhvillua në datë 28.06.2016 ceremonia e inaugurimit të përfundimit të linjës së interkoneksionit 400 kV Shqiperi-Kosovë. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z.Edi Rama, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Isa Mustafa, Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë z.Damian Gjiknuri dhe homologu i tij kosovar z. Blerand Stavileci. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të bankës gjermane KfW, ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri- Kosovë e realizuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, ka një impakt të rëndësishëm në rritjen e kapacitetit të shkëmbimit të energjisë elektrike midis dy vendeve dhe me vendet e rajonit, krijimin e mundësive më të mira tregtare për shkëmbime të energjisë në rrjetin rajonal.
Linja ndikon në krijimin e mundësive të shfrytëzimit optimal të burimeve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike duke minimizuar kostot dhe rritur eficencën e prodhimit. Vepra rrit besueshmërinë e operimit të sistemit elektroenergjetik të dy vendeve dhe atij rajonal. Kjo linjë redukton riskun hidrologjik në Shqipëri, ku prodhimi i energjisë elektrike është i bazuar tërësisht në hidrocentrale. Gjithashtu ndihmon në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit dhe përmirësimin e balancimit të rrjetit të transmetimit dhe manovrueshmërisë së tij.
Projekti u financua nga banka gjermane KfW, për pjesën e Shqipërisë kushtoi 29 milion euro ndërsa punimet në terren filluan në muajin Prill të vitit 2014 dhe përfunduan në muajin Qershor 2016.
Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës. Segmenti i parë i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 km përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën ekzistuese Tiranë-Podgoricë dhe Segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linjes së re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 km.
LINJA UNAZORE 110 KV E SHQIPERISË SË JUGUT
(Përfunduar viti 2016)
Linja Unazore 110 kV e Shqipërisë së Jugut është një nga projektet me të rëndësishme të realizuara nga OST sh.a, i përfunduar në vitin 2016, i cili rrit ndjeshëm sigurinë dhe parametrat e furnizimit me energji elektrike në zonën turistike dhe të gjithë zonën jug-lindore të Shqipërisë. Projekti për ndërtimin e linjës unazorë 110 kV së Shqipërisë së Jugut është financuar prej KFW Frankfurt Am Main në formën e huasë. Qëllimi i projektit të ndërtimit të Linjës Unazore 110 kV së Shqipërisë së Jugut” është mbyllja e unazës për furnizim të dyanshëm të zonës Ersekë – Përmet dhe zonës Vlorë e Sarandë duke përmirësuar dukshëm parametrat e energjisë elektrike në zonat me përparësi turizmi. Ky projekt është në përputhje të plotë me politikën zhvilluese të Qeverisë Shqiptare për sektorin energjetik, veçanërisht në drejtim të rritjes së kapaciteteve transmetuese të vendit duke rritur edhe sigurinë e furnizimit me energji si dhe qëndrueshmërinë dhe fuqizimin e Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar.
LINJA E INTERKONEKSIONIT 400 kV SHQIPËRI – MAQEDONI
(2017- në vijim)
Linja e Interkoneksionit 400 kV Elbasan (Shqipëri) – Bitola (Maqedoni), si pjesë e korridorit Lindje – Perëndim, mundëson lidhje direkte të sistemeve të energjisë të Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë dhe përmirëson lidhjen e sistemit të energjisë shqiptar me rajonin.
Projekti përmirëson sigurinë e furnizimit me energji elektrike në rajon dhe veçanërisht për 2 vendet, rrit kapacitetin transmetues ndërkufitar në vendet tona, si dhe në Evropën juglindore, maksimalizon përfitimet dhe minimizon kostot financiare për sigurinë e shërbimeve që ne do të ofrojmë për tregun e energjisë elektrike.
Si rezultat, dispeçerimi rajonal i energjisë në mes të sistemeve të energjisë të Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit më gjerësisht, do të përmirësohet duke çuar në zgjerimin e tregut të furnizimit. Projekti krijon mundësi rajonale tregtare. Fuqizimi i nënstacionit 400kV Elbasan do të rrisë besueshmërinë e operimit të sistemit elektroenergjetik Shqiptar dhe do të mundësojë mbajtjen e niveleve të tensionit në rrjetin 400 kV në vlera optimale.
Ky projekt përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Manastir, afërsisht 151 km, 56 km në territorin Shqiptar; zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan2, ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe zgjerimin e nënstacionit Fier dhe lidhjen e tij me rrjetin e transmetimit.
Kosto e përgjithshme e projektit është rreth 70 milion Euro prej të cilave: Në total huaja e butë e bankës gjermane KfW për këtë projekt arrin në 50 milion Euro; Grant nga WBIF, 20% e projektit, 14 milion Euro; Grant nga WBIF për projektin e detajuar të pjesës së linjës Elbasan-Kufi, 0.6 milion Euro; Kontribut i KfW për projektin e detajuar të pjesës së linjës Elbasan-Fier, 0.6 milion Euro dhe kontributi i OST, 5 milion Euro.
Operatori i Sistemit të Transmetimit OST sh.a dhe Banka Gjermane KfW kanë firmosur marrëveshjen e financimit për projektin e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Parashikohet që punimet të fillojnë në vitin 2017 ndërsa projekti të mund të përfundojë në vitin 2019.
Projektet e OSHEE Sh.a
Lista e plotë e investimeve të OSHEE sh.a për vitin 2016
Projekti i Bankës Botërore “Rimëkëmbja e Sektorit Elektroenergjetik”
Nëpërmjet mbështetjes financiare (kredisë së butë) prej 150 Milion $ të akorduar prej Bankës Botërore për të tre shoqëritë me kapital shtetëror të këtij sektori është mundësuar zbatimi i projektit “Rimëkëmbja e Sektorit Elektroenergjetik“, i cili synon uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve të OSHEE-së nëpërmjet investimeve në sistemin e matjes se energjisë elektrike ne nënstacione dhe garanci për financimin e blerjes se energjisë elektrike, realizimin e investimeve në sektorët publik të energjisë elektrike në rritjen e sigurisë se furnizimit me energji elektrike, si dhe rritjen e likuiditetit financiar midis operatoreve të sistemit elektroenergjetik.
Projektet e KESH Sh.a
Lista e plotë e investimeve të KESH sh.a për vitin 2016
KESH sh.a për periudhën 2016-2018 ka parashikuar të kryejë rreth 16 899 210 mijë lekë investime nga të cilat rreth 5 347 354 mijë lekë me fondet e huaja dhe rreth 11 551 856 mijë lekë me fondet e KESH sh.a.
Investimet synojnë rritjen e evidencës së shfrytëzimit të agregateve, rritjen e sigurisë së digave, përmirësimin e kushteve të punës dhe mbulimin e kostos lokale të projekteve të investimeve me financim të huaj.
Investimi për Rehabilitimin e HEC Koman është një nga projektet më të rëndësishme të parashikuar për tu realizuara nga KESH sh.a. gjatë periudhës 2016-2018.
Gjatë vitit 2014-2015 kanë filluar punimet për rehabilitimin në pjesën e poshtme të digës së Komanit dhe në kanalin e daljes. Këto punime rrisin sigurinë e digës në anën e poshtme si dhe do të garantojnë godinën e centralit nga mosavancimi i gryerjeve në drejtim të saj.
Gjithashtu ky projekt parashikon ndërhyrjen në pjesën elektromekanike të HEC-it Koman dhe në veprat e shkarkimit të HEC-eve Vau i Dejës, Koman dhe Fierzë. Duhet thënë se nga ana e KESH ka një ngritje niveli në këto vitet e fundit, si në aparatura dhe në trajtimin e problemeve që lidhen me sigurinë e digave. Kjo falë bashkëpunimit dhe financimit të siguruar me Bankën Botërore dhe me Institucione të tjera ndërkombëtare.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë