Hapja e garës ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 18/12/2024

Hapja e garës ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit

Fjala e Zv.Kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë hapjes së garës ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit:

 

I nderuar ambasador Gonzato,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e madhe sot të jemi këtu për të vendosur një tjetër gur kilometrik të infrastrukturës shqiptare. Këtë radhë një gur akoma më të rëndësishëm kilometrik pasi bëhet fjalë për një hekurudhë, një pjesë tjetër të rëndësishme të Hekurudhës Shqiptare. Një nga mjetet e transportit, tashmë të konsideruar më të rëndësishëm për politikat e Bashkimit Europian, duke pasur parasysh impaktin e madh që ka në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi. Sidomos ato të Ballkanit Perëndimor.

Duke marrë shkas dhe nga dita e djeshme, një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Malin e Zi përsa i përket çeljes së grup kapitujve të tjerë në tryezën e Bashkimit Europian për fazat e negocimit, kjo hekurudhë ka një domethënie shumë të madhe.

Sot çelim garën ndërkombëtare për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Një hekurudhë e cila lidh edhe një herë Shqipërinë me Malin e Zi, një vend me të cilin ndajmë histori, ndajmë tradita të përbashkëta, por mbi të gjitha ndajmë aspiratën e madhe për tu bërë sa më parë anëtarë të Bashkimit Europian dhe çka mund të kontribuojmë më shumë në aspiratën e popujve tonë se sa baza e një transporti të përbashkët, i një transporti i cili ndërlidh, jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por e bën Shqipërinë pjesë të Korridoreve Paneuroiane.

Kështu që një gur tjetër i themelit vendoset në hekurudhën shqiptare pas progresit shumë të mirë që ne kemi tashmë prej muajsh në ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës me segmentin totalisht të ri që çon këtë hekurudhë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Do të ndalesha vetëm pak tek disa fakte shumë të rëndësishme teknike që ky projekt i ri sjell. Është një linjë hekurudhore prej 120 kilometrash e cila fillon nga Vora dhe përfundon në Han të Hotit. Parashikohet që të ndërtohen apo të rikonstruktohen 12 stacione. Kjo hekurudhë do të ketë 12 ura dhe ka dhe një tunel të vendosur në zonën e Lezhës, një tunel me një gjatësi 320 metra. Nga ana tjetër, shpejtësia e kësaj linje hekurudhore parashikohet që të jetë 120 kilometra në orë. Gjithashtu ka një parashikim, në studimin e fizibiltietit, i cili shpjegon se është një rrugë hekurudhore, një rrugë e hekurt e cila do të përshkohet për 2 orë mesatarisht dhe nga ana tjetër do të ketë një fluks vjetor të 2.3 milionë pasagjerëve ose 900 mijë ton ngarkesa mallrash në vit.

Vënia në funksion e linjës Vorë-Hani i Hotit pritet të jetë edhe me një impakt shumë të rëndësishëm social dhe ekonomik. Pasi në fazën e ndërtimit të kësaj hekurudhe parashikohet që të angazhohen për tu punësuar 1 mijë persona, ndërkohë që në fazën e operimit parashikohet që numri i punonjësve të jetë, vetëm në këtë linjë, 100 persona.

Rritja ekonomike duke përmirësuar infrastrukturën në zonën e projektit, përmirësimi i cilësisë së jetës për popullatën në zonën e shërbimit duke siguruar akses në shërbime të sigurta dhe të besueshme të transportit të pasagjerëve, ulja e kostove për transportin për qytetarët dhe mallrat,  janë vetëm disa nga përfitimet kryesore të këtij projekti. Do doja këtu të nënvizoja edhe impaktin e ulët në ndotjen e mjedisit që ka sistemi hekurudhor që është dhe një nga arsyet për të cilat nxitet tashmë nga Bashkimi Europian dhe nga të gjitha vendet për përmirësimin, rehabilitimin e këtyre linjave.

Gjej rastin këtu të falënderoj partnerët tanë, Bashkimin Europian, i cili përmes WBIF, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Europiane të Investimeve kanë financuar projektin e rehabilitimit të linjës Vorë-Hani i Hotit, me një vlerë investimesh prej 370 milionë euro. Ku 50% e këtij financimi vjen në formën e grantit i cili është një nga grantet më të mëdha që ne kemi marrë, pikërisht bazuar në politikat e Bashkimit Europian për të nxitur sa më shumë transportin hekurudhor.

Unë jam e bindur se përvoja që tashmë e kemi konsoliduar pasi ka qenë ky një nga problemet që është shtruar në fillim, a do ishte e mundur që Shqipëria në të njëjtin moment të kishte paralelisht disa projekte të ndërtimit dhe të rehabilitimit të hekurudhave, por si Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, ashtu dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të gjithë ekspertët që i janë bashkuar këtyre projekteve kanë treguar kapacitete fillestare, por edhe kapacitete në rritje që vijnë përmes eksperiencës së këtyre projekteve, ndaj me të vërtetë duhet të themi që i kemi kushtuar vëmendjen e duhur këtij sektori, por duke marrë dhe rezultatet e duhura.

Ne jemi angazhuar maksimalisht, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë strategjikë, për të hartuar projekte të cilat do të kenë një dobi për dekada të tëra në ekonominë e vendit tonë dhe në impaktin social të shqiptarëve. Nga ana tjetër, të gjitha këto financime të siguruara nga Bashkimi Europian garantojnë edhe njëherë vazhdimësinë e proceseve bazë, kolona të cilat sot po kontribuojnë edhe në përmbushjen e kërkesave që negociatat parashtrojnë për Qeverinë Shqiptare dhe për vendin në tërësi.

Gjithashtu do të doja të thoja që aktualisht sot punimet në linjën hekurudhore Durrës-Tiranë-Aeroporti i Rinasit kanë arritur në volumin e 80%, duke shënuar kështu një ecuri shumë të mirë të këtij procesi dhe nga ana tjetër do të nisim së shpejti punimet për ndërtimin e 10 stacioneve të reja që do të shtrihen në të gjithë pjesën e kësaj linje. Krahas linjës Vorë-Hani i Hotit është siguruar financim prej 120 milionë eurosh edhe për linjën Durrës-Rrogozhinë me gjatësi 34 kilometra, sërish me të njëjtin instrument, mbështetur nga Bashkimi Europian, nga BERZH dhe nga BEI.

Kemi gati projektin pre eleminar të linjës Rrogozhinë-Pogradec, duke përmbyllur kështu Korridorin e VIII, si një nga korridoret më strategjikë që shpeshherë ne e përmendim, pasi nuk është thjesht një korridor i transportit rrugor apo atij hekurudhor, por është një transport energjetik gjithashtu dhe nga ana tjetër është një nga korridoret më të rëndësishme strategjike që do të lidhë detin Mesdhe me Detin e Zi. Duke pasur këtu edhe parasysh faktin që tashmë ne kemi nisur të gjitha procedurat për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në zonën e Porto Romanos, i cili do të lidhet me këto rrjete hekurudhore për të krijuar kështu një facilitet, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë e Veriut përmes portit të thatë të vendosur në zonën e Strugës, por ka pasur një ndryshim nga qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar që ky port të ndërtohet në zonën e Shkupit dhe nga ana tjetër edhe porti i thatë që do të ndërtohet në Prishtinë.

Porti i thatë i cili do të ndërtohet në Prishtinë, kemi një lajm tjetër për të pasi tashmë ne kemi gati studimin e fizibilitetit për projektin paraprak të linjës Durrës-Prishtinë me gjatësi 105 kilometra, duke ndërlidhur kështu Shqipërinë në disa prej pikave dalëse, pra kufijve tanë me vendet fqinje. Deri tani ne kemi kërkuar bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtare për financimin e projekteve hekurudhore, megjithatë ne besojmë që ka ardhur koha që Qeveria Shqiptare mund të mundësojë edhe një pjesë të këtyre financimeve, pra për linjat e brendshme sidomos nga buxheti i shtetit.

Këtu do të desha të nënvizoja dy projekte të tjera të rëndësishme që është ai që konkretisht do të lidhë aeroportin e Vlorës me qytetin e Vlorës, duke qenë që një aeroport i atij kapaciteti, një aeroport i cili përmbush të gjitha kushtet e kategorisë 4 E, një aeroport që synon të jetë një nga aeroportet më të mëdha të rajonit tonë, duhet patjetër të jetë i ndërlidhur me sistem hekurudhor me qytetin pritës, atë të Vlorës. Nga ana tjetër, gjithashtu po punojmë për fizibilitetin e linjës së dytë, atë që lidh qytetin e Vlorës me Rrogozhinën, duke e bërë kështu një pjesë të ndërlidhur me të gjitha pjesët e tjera të hekurudhës që sot jemi duke prezantuar.

Siç duket qartë nga gjithë këto projekte që janë në vijimësi angazhimi i qeverisë shqiptare është shumë serioz për ti rikthyer shkëlqimin sistemit të transportit hekurudhor në vend, por mbi të gjitha duke e modernizuar atë në të gjithë komponentët e tij, sidomos edhe në atë të dixhitalizimit. Ky angazhim është pjesë e një strategjie të re, më të gjerë, për të integruar Shqipërinë më shumë dhe më ngushtë në rrjetin europian të transportit, duke i hapur mundësi të reja zhvillimit për qytetarët, por padyshim edhe për bizneset shqiptare. Ne jemi të përkushtuar që të investojmë në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, duke e bërë Shqipërinë një pikë kyçe në lidhjet e transportit për Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën.

Ju falënderoj dhe me të vërtetë sot kjo është një ditë e shënuar dhe ne e kemi bërë tashmë traditë që në fundvit të sjellim disa lajme të mira, kështu që dhe në ditët në vazhdim ne do kemi mundësi që të hapim disa gara të tjera ndërkombëtare apo të lançojmë disa projekte të reja pikërisht që lidhen me infrastrukturën.

Shumë faleminderit!