Bypass-i i Fierit, një segment mjaft i rëndësishëm, që mundëson aksesin e jugut të vendit në një kohë më të shpejtë, tashmë është i hapur për qarkullimin e automjeteve në të dyja krahët e tij, apo siç njihen në gjuhën teknike në të dyja karrexhatat e tij. Ky bypass me një gjatësi prej 22 kilometrash plotëson të gjitha kushtet e sigurisë rrugore për të gjithë drejtuesit e automjeteve.
Për të inspektuar përfundimin e kësaj vepre, ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe deputetë dhe të zgjedhurit vendorë të qarkut të Fierit.
“Është një bypass i kategorisë B, ekstra urban, i cili ka një limit shpejtësie 120 kilometra. Ditët e para do të jetë i monitoruar tërësisht nga policia rrugore, do kontrollohet me radarët e trafikut, pasi është një rrugë shpejtësie, por megjithatë duhen respektuar rregullat dhe duhet pasur parasysh që edhe komuniteti, që ndodhet në të dyja krahët e rrugës duhet të ambientohet me këtë autostradë shpejtësie”, bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjatë realizimit të punimeve të kësaj vepre kanë marrë zgjidhje edhe problematikat e adresuara nga Bashkia e Fierit, ku janë bërë ndërhyrje për të evituar përmbytjet në këtë zone. Tashmë puna do të fokusohet tek rrugët lidhëse me bypass-in, duke nisur me atë të Apolonisë, e cila pritet të përfundojë me të gjitha detajet e nevojshme brenda 2-3 muajve.
Sa i takon projekteve të tjera në infrastrukturë, ministrja Belinda Balluku njoftoi se po punohet me ritme të shpejta në bypass-in e Vlorës, ndërsa brenda kësaj jave do të bëhet edhe lançimi i garës për projektin e tunelit të Llogarasë.
“Bypassi i Vlorës po ecën shumë mirë, ndoshta edhe më mirë nga çfarë kishim parashikuar. Do të fillojmë asfaltimin duke filluar nga kjo javë, në një pjesë të mirë të tij, sidomos në kilometrin e 27-të që kemi vizituar para pak ditësh. Kanë nisur edhe veprat e artit, përfshirë belvederen që kemi vendosur me bashkinë e Vlorës. Kështu po plotësohen të gjitha pjesët e aksit Adriatiko-Jonian, qoftë me bypassin e Fierit, apo me bypassin e Vlorës. Ditën e premte ne do të lançojmë garën për projektin e detajuar të tunelit të Llogorasë dhe më pas në ditët në vazhdim do të lançojmë edhe garën për pjesën më të madhe të korridorit Adriatiko-Jonian, ku sigurisht bëjnë pjesë dhe bypassi i Fierit dhe ai i Vlorës, nga Miloti deri në bypassin e Fierit”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Përgjatë segmentit të bypass-it të Fierit janë ndërtuar tre ura, ajo e Semanit, Hoxharës dhe Pojanit me gjatësi 80 m secila. Gjithashtu janë ndërtuar 4 kryqëzime me dy nivele, dy gjysmë kryqëzime, 7 mbikalime si dhe 21 nënkalime. Nga përllogaritjet rezulton se kursimi i kohës për përdoruesit e rrugës në periudha normale lëvizjeje është 35 minuta.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë