Font Resize
 Hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/07/2021

Hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës

Hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, i cili do të jetë aeroporti i katërt në vend pas atij të Rinasit, Kukësit dhe aeroportit të Vlorës, për të cilin është lidhur edhe kontrata me kompaninë fituese.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur detajet sa i takon procedurës së garës që do të ndiqet për këtë aeroport, e cila do të jetë e hapur për të gjitha kompanitë e interesuara, vendase dhe të huaja, duke nisur nga data 2 Gusht deri në datën 23 Shtator.
Shteti shqiptar, tha Balluku nuk do të ketë asnjë involvim në këtë projekt dhe nuk do të ofrojë asnjë garanci financiare qoftë për kompensimin e numrit të pasagjerëve apo forma të tjera. Zhvillimi turistik i zonës vitet e fundit, por edhe potencialet që ajo ofron, u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë dy elementë të cilët kanë tërhequr vëmendjen e kompanive të huaja të cilat operojnë në fushën e aviacionit.
“Zona e Sarandës është një zonë me interes të shtuar dhe fatmirësisht që në hapat e parë të nisjes së këtij projekti ne kemi pasur interes nga grupe të rëndësishme të cilat operojnë në aviacionin civil në Europë dhe unë jam shpresëplotë që edhe ky proces, ashtu si dy proceset e mëparshme, ai i aeroportit të Kukësit dhe ai i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, do të jetë i suksesshëm”, tha Balluku.
Referuar shifrave, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se parashikohet që numri i pasagjerëve që do të përpunohen nga ky aeroport do të jetë akoma edhe më i lartë se skenari bazë i marrë gjatë fazës së studimit.
“1 milionë pasagjerë është më e pakta që ne presim dhe sigurisht të gjitha shifrat që zakonisht janë prodhuar nga projekte të mëdha nuk kanë qenë asnjëherë shifrat e skenarit bazik, por kanë qenë gjithmonë ato të skenarit optimist. Kështu që ne në Sarandë presim që me kalimin e viteve, pra në 3-4 vite, në momentin e konsolidimit të këtij projekti, ne të elaborojmë mbi 1 milion pasagjerë”, nënvizoi Balluku.
Aeroporti i Sarandës, do të ketë kryesisht profilin e një aeroporti turistik, por ai mund të shërbejë edhe përtej sezonit për fluturime të brendshme. “Këto janë aeroporte sezonale, të cilat funksionojnë për periudhën turistike, zakonisht rreth 7-8 muaj në vit, por sigurisht do të shërbejë edhe për flurimet e brendshme, pra për fluturimet domestike, të cilat mund të kryhen pa asnjë lloj problemi nga Kukësi në Sarandë”, shtoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Zhvillimet në aviacionin civil, tha Balluku, kanë një impakt të drejtpërdrejt në ekonominë e vendit duke nxitur zhvillimin ekonomik, por njëkohësisht duke i dhënë një hov edhe zhvillimit turistik për atë bërë vendin tonë më lehtë të aksesueshëm për të gjithë vizitorët.