Gjiknuri: Të punojmë sëbashku për një reformë të qëndrueshme zgjedhore - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 13/10/2017

Gjiknuri: Të punojmë sëbashku për një reformë të qëndrueshme zgjedhore

Fjala në Kuvend e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri:

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Fatkeqësisht, sot nuk duhet të kishim debat por mirëkuptim, siç ka qenë traditë e këtij Kuvendi sa herë ngrihej një Komision i Reformës Zgjedhore. Duhet që palët të heshtnin, mos diskutonin më për një gjë të shkuar, por të mendonin sesi do të përmirësonin legjislacionin zgjedhor për të pasur zgjedhje më të mira.

Fatmirësisht për vendin dhe fatkeqësisht për opozitën, raporti i OSBE-ODIHR-it nuk nxjerr në pah gjithë këtë zamallahi të madhe politike që bëni në sallë për krimin, korrupsionin apo mafien e përfshirë në vota. Patjetër, evidenton disa shkelje që janë në traditën e vendeve që janë në proces të konsolidimit demokratik, por po të shikoni sugjerimet e dhëna edhe për ata shqiptarë të cilët nuk i kanë lexuar, janë sugjerime tipike për vendet në zhvillim dhe për vendet që konsolidojnë demokracinë. Një nga elementët bazë të këtij sugjerimi ka qenë depolitizimi i administratës zgjedhore, që në dijeninë time dhe për shkak të eksperiencës që unë kam patur me reformat zgjedhore, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Partinë Demokratike, ka qenë një kërkesë e hershme e shumë palë zgjedhjeve. Madje edhe e reformës së fundit zgjedhore, ku fatkeqësisht Partia Demokratike e ka refuzuar, pasi nuk ka pasur besim tek një administratë e depolitizuar zgjedhore. Pra, ky është kyçi i mirëadministrimit të zgjedhjeve nga të dyja palët, që palët të heqin dorë nga administrimi direkt,  ta delegojnë këtë funksion tek funksionarë publik apo forma të tjera të organizimit të zgjedhjeve. Por fatkeqësisht kjo nuk po ndodh. Ju, në fund të fundit përgjegjës duhet të bëni veten, nuk mund të hiqeni si shprehja e Shvejkut: “Ç’më duhet mua çfarë bëj unë!”. Apo në këtë rast: “Ç’më duhet mua se çfarë them unë”. Praktikisht jeni viktimë të një strategjie të ndërtuar keq në vazhdimësi gjatë 4 viteve të shkuara. E cila ku do të çonte? Do të çonte në humbje, pavarësisht shkaqeve që mundoheni të gjeni.

E filluat me votimin elektronik. Duke e ditur shumë mirë, sepse keni ekspert brenda jush, të cilët e dinë që ky është një proces i komplikuar, i vështirë. Dhe ne kur ishim në opozitë e kërkonim këtë. Ama arritëm në kompromis për të bërë disa projekte pilot, të cilët dështuan. Por në fund të fundit pranuam të hyjmë në zgjedhje, ti bëjmë zgjedhjet siç duhet dhe ti fitojmë ato.

Pastaj kaluat tek varianti qeveri teknike, çadra, e më vonë ‘Eureka’. Morët çfarë morët nga presioni çadrës, krijuat kushte për të hyrë në zgjedhje dhe kur rezultati doli më i dobët edhe se sa e kishit menduar nuk patë për shkaqet tek vetja, por i kërkoni përgjegjësitë tek faktorët e përhershëm kriminal. Fatkeqësisht unë po jua them, po ju marxhinalizojnë si opozitë. Unë e them, mbase ju nuk doni ta kuptoni. Vendi ka nevojë për opozitë, Shqipëria ka nevojë për balancë politike. Por fatkeqësisht ju po vet asgjësoheni. Ashtu siç asgjësuat veten, natën kur dorëzuat listën e kandidatëve, duke bërë një genocid politik të paparë. Duke i hequr të gjithë njerëzit me vlera politike, duke i nxjerrë ata në rrugë dhe prisnit që elektorati juaj t’ju votonte. Po nuk i bëni pyetje vetes, pse këto rezultate kudo që janë?!

Unë jap shembullin e Vlorës. Por si mundesh ti sjellësh Partisë Demokratike, ti parashutosh dikë që nuk e njeh njeri. Gjëja e parë, kur mbledh forumin lokal të PD-së, i thotë “Fushatën bëjeni ju, se unë kam punë në Tiranë duhet të dalë në televizor”. Po si do të votojnë demokratët?! Po si mund të votojnë demokratët për atë listë në Vlorë e alkiminë e çuditshme Dule-Tahiri. Dhe ju prisni produkt elektoral. Pse nuk e bëni këtë analizë tek vetja juaj, përpara se të kërkoni shkaqet tek krimi. Këtu fillohet, këtu duhet bërë analiza përpara sesa të shkosh edhe me propozime për reformën zgjedhore, edhe për rezultatet të cilat nuk i arritët. Normalisht fajtor jeni ju vet. Nuk ka asnjë faktor, as të krimit dhe asnjë faktor tjetër i cili mund të ketë ndikuar në rezultatin historik negativ që arritët. Mjafton t’ju jap një shembull për ato parti që ankohen. Shikoni rezultatin e paraburgimit në Sarandë, ku partia ish aleate e jona i merr të gjitha votat me zero. Sot del dhe ankohet se i kemi vjedhur votat. Mjafton të shikoni rezultatet e të gjithë atyre që kanë administruar burgjet, duhet të kuptoni se çfarë efekti ka pasur ajo pjesë e administratës që sot është në opozitë dhe që ankohet që ne i paskemi vjedhur votat.

Probleme me zgjedhjet ka Shqipëria dhe ka pasur. Ne jemi të qartë që ka edhe premtime për shitblerje votash nga të gjitha drejtimet, por këto asnjëherë nuk mund ta vënë në kërcënim rezultatin zgjedhor. Asnjëherë nuk kanë qenë faktori determinant për zgjedhjet. Përkundrazi! Humbja juaj e thellë, humbje historike, shkakun duhet ta kërkoni tek vetja. Është më normale ta filloni nga vetja, ashtu si dhe ne patëm shkaqet tona të humbjes në 2009, megjithëse kishim shumë argumente, prapë u bëmë pjesë e sistemit normal politik, duke qenë edhe aktiv për të propozuar ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe për të marrë rezultatin që morëm në 2013, megjithëse nuk kishim as anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kështu që është më normale për Partinë Demokratike të bëjë një analizë të brendshme të saj. Të ulet në një komision reforme zgjedhore me propozime konkrete. Të përfshihen votat për emigrantët. Është një proces i vështirë edhe ky. Personalisht unë jam marrë me këtë proces, kam punuar sëbashku me kolegun Bylykbashi. Ka shumë sfida, por këto duhen filluar që tani, që mos e lëmë prapë dy muajt e fundit dhe të themi nuk hyjmë në zgjedhje se nuk u bë kjo.

Edhe për teknologjinë. E kam kolegun e nderuar. Po e marr si shembull të mirë që kemi punuar sëbashku për të bërë një reformë të qëndrueshme zgjedhore. Opozita ka të drejtën e propozimeve. Opozita duhet të sjellë e para analizat e duhura. Si mund të aplikojmë votimin elektronik apo numërimin elektronik, apo çdo formë tjetër të teknologjisë. Por jo të bëjmë gjithmonë zhurmën, krimi, mafia dhe ndërkohë vijmë prapë në zgjedhje pas dy viteve dhe prapë ju do të jeni të papërgatitur dhe prapë ju do të merrni të njëjtat rezultate. Pse? Po nuk u bëre pjesë e sistemit dhe po nuk arrite të bindësh elektoratin tënd që ke shanse të fitosh, fatkeqësisht do të humbni. Njerëzve duhet t’ju japësh shpresë, duhet t’ju japësh besim. Njerëzit duhet të kuptojnë që ju keni një plan të vërtetë për ta qeverisur këtë vend dhe për të ardhur në pushtet. Por fatkeqësisht po vazhduat me këtë refren që po bëni këtu, do të jeni akoma më keq. Jua garantoj. Po ju them mbajeni mend këtë. Do të ndodhë si me zgjedhjet vendore, që nuk u bëtë pjesë e sistemit, dolët jashtë loje. Dhe u kujtuat prapë të hyni në zgjedhje dhe të merrni rezultatin më të dobët. E njëjta gjë me zgjedhjet e përgjithshme. U kujtuat në momentet e fundit të merrni një ‘deal’ në tavolinë, që qe një marrëveshje e mirë, por për vakumin që ju kishin krijuar në 4 vite opozitë atë rezultat do të merrnit. Kam frikë se kjo gjë do t’iu ndodhë edhe me zgjedhjet vendore. Prapë do të bëni zhurmë, na i vodhën, mafia, krimi…Fatkeqësisht do të jetë ajo pjesë e popullit opozitar, e cila pret të shohë një opozitë konstruktive në atë pikë që quhet opozitë konstruktive, se nuk them të bëheni çadër e qeverisë apo mburojë e qeverisë, por të bëheni pjesë e sistemit. Ndaj merreni seriozisht këtë komision, unë kam bindjen që ju keni mjaft ekspertë për të dhënë kontribute për një reformë zgjedhore të qëndrueshme, duke depolitizuar komisionet zgjedhore, duke vënë njerëz me kapacitete profesionale, me background të mirë, por edhe njerëz të pastër të cilët të kenë mundësi të administrojnë zgjedhjet në mënyrë të ndershme. Kjo është arritja më e madhe që mund të bëjmë për reformën zgjedhore të pritshme, edhe për zgjedhjet vendore që do të vijnë. Ndryshe ne do të humbim prapë kohë dhe ju do të përsërisni vetveten.

Unë dua t’ju bëj një thirrje që të lihet kjo retorikë, të fokusoheni tek vetja. Nëse do të isha këshilltar i juaji, po jua them me bindje, bëni analizën e vetes, reflektoni për të gjithë shkaqet, mos bëni genocid ditën e fundit, përgatituni për zgjedhje se keni mundësi që të rikuperoni. Ndryshe fatkeqësisht Partia Demokratike do të katandiset akoma më keq dhe një pjesë të elektoratit tuaj do ta marrin parti të tjera, duke u fragmentuar. Kjo nuk është gjë e mirë për Shqipërinë, pavarësisht se unë si anëtar i qeverisë apo maxhoranca do të pëlqente një opozitë totalisht të shpartalluar, por vendi ka nevojë për ekuilibra politikë. Kjo punë mbi të gjitha ju takon juve.

Faleminderit!