Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë seancës parlamentare:
Sot parlamenti po kalon një nga aktet më serioze, një nga veprat më të rëndësishme publike që po ndërtohet sot në Shqipëri, që i vlen jo vetëm qarkut të Vlorës, por të gjithë shqiptarëve. Pasi është një rrugë jo vetëm më karakter historik, një rrugë që me mijëra qytetarë vlonjatë, ajo krahinë me shumë tradita, e ka pritur nga shumë e shumë premtime. Kjo rrugë ka qenë një ëndërr që në kohën e diktaturës, ku përgjithësisht në diktaturë realizoheshin vepra publike, por fatkeqësisht kjo rrugë nuk u bë asnjëherë realitet, por sot që flasim qytetarët vlonjatë po e shikojnë me sytë e tyre që kjo rrugë po progreson. Kjo është një rrugë e cila po financohet tërësisht nga qeveria shqiptare, kuptohet me kredi të huaja, por është një risk që ia vlen për t’u marrë, pasi është një nga rrugët që do t’i japë zhvillim jo vetëm zonës së lumit të Vlorës, jo vetëm se lidh tre bashki, por është një rrugë që afron shumë zona bregdetare më afër me Tiranën dhe me pjesë të tjera të Shqipërisë, duke zhvilluar potencialin e madh turistik që ka gjithë ajo zonë, duke kombinuar turizmin bregdetar me turizmin malor. Unë jam dëshmitar vetë dhe nëqoftëse fituam thellë në Vlorë edhe kjo rrugë ka kontributin e saj, sepse qytetarët e atij qarku e panë se ka një qeveri serioze që premtimet e dhëna i bën realitet.
Sot që po flasim po inaugurohet edhe një vepër tjetër madhore, ajo që ju e anatemuat aq shumë, Lungomarja e Vlorës, një nga veprat me karakter më bashkëkohore, me karakter europianë që i ndryshoi faqen atij qyteti. Kjo është prapë një tullë tjetër në rezultatin e Vlorës, pse u arrit rezultati i thellë i Vlorës, sepse qytetarët vlonjatë ditën të peshojnë, kush ishte qeveria që mendoi për ta, dhe më vjen keq se nuk ka asnjë nga këta të Vlorës këtu, siduket s’kanë faj, ju vjen zor se e dinë shumë mirë se çfarë thonë qytetarët vlonjatë kur unë flas për këto gjëra. Kështu që është e kotë që të dilni këtu dhe të akuzoni u morën votat me drogë. Më tha bukur një burrë i mençur para ca ditësh, ’o sheh – tha o ministër, ne jemi burra të mirë e s’na votojnë dot, jo do na votojnë me kriminelë nga mbrapa’. Po ju si i kuptoni qytetarët vlonjatë, janë budallenj, ajo krahinë me aq tradita mendoni se do votojnë kriminelë, do votojnë njerëz, nëse ne do mbajmë mbrapa kriminelë, dhe do të na japin votat, jo more zotërinj, ata janë njerëz të mençur, ata janë njerëz patriotë, ata njerëz kanë dhënë aq shumë në histori dhe e dinë shumë mirë se si merren votat. Votat në Vlorë, po kudo në të gjithë Shqipërinë, merren me fjalën e dhënë dhe qeveria e mbajti fjalën për rrugën e Vlorës, shumë qeveri kanë premtuar asnjë nuk e bëri realitet. Vetëm sot ata po shikojnë që një nga investimet më të rëndësishme që do të shkojnë deri në 100 mln dollarë do të lidhë tre bashki të rëndësishme të Shqipërisë, Himarën, Selenicën edhe Vlorën, madje rruga do të lidhë edhe me rrugën e re, Levan- Tepelenë. Gjë që do të bëjë edhe me investimet e reja që po kryejnë siç është investimi i bypass-it të Fierit, edhe atë do ta bëjmë realitet vitin tjetër. Gjithashtu edhe me përmirësimet që do ti bëjmë gjithë infrastrukturës rrugore përfshirë edhe segmentet e reja siç është Kashar-Rrogozhinë, Vlora vetë do të bëhet një orë nga Tirana, po gjithë kjo zonë edhe lumi i Vlorës, nuk do të jetë më shumë se sa një orë e gjysmë.
Çfarë kam vënë re këto ditë, se e kam më shumë me qytetarët vlonjatë se këtu ju sallën e keni boshatisur dhe nuk ka rëndësi, nuk do të dëgjojë njeri, vura re një interesim të tyre për marrjen e certifikatave të pronësisë në lumin e Vlorës. Më tha një zyrtar i hipotekës, nuk kishte bërë vaki ndonjëherë, asnjë nuk interesohej në atë zonë të merrte certifikatë pronësie, sepse ka qenë një zonë e braktisur. Po pse erdhi kjo, sepse po shikojnë që po vjen zhvillimi. Rruga sjell zhvillim dhe shumë njerëz të interesuar, në atë krahinë aq të bukur, me aq shumë tradita, me ato fshatra aq të mrekullueshëm do të fillojnë do t’i rikthehen fshatit. Shumë qytetarë të asaj zone banojnë në Vlorë, përfundimi i asaj rruge ata do t’i bëjë që t’i rikthehen fshatit duke zhvilluar turizmin malor, duke zhvilluar turizmin ekologjik, duke kombinuar bregdetin me malin. Ku ka më mirë për turistin të pushojë në Himarë, dhe me rrugën e re për 10-15 minuta të shkojë në Kuç, apo në fshatra të tjera historike të lumit Vlorës, ku ka një zonë të mrekullueshme malore. Kjo është dhurata më e mirë që i bën qeveria shqiptare atij populli, prandaj votohemi ne, nuk ka asnjë arsye tjetër pse votohemi ne. Kështu që gjithë ata vlonjatë që duhet të ishin në sallë dhe nga Partia Demokratike, të paktën të dilnin të flisnin një herë si vlonjatë dhe të thoshin PO qeveria e Edi Ramës e bëri një gjë të mirë për Vlorën. Dikush mund të thoshte e bëri se ishte deputeti i Vlorës, po mirë le të akuzonte për këtë po të paktën të thuhet që e bëri gjënë e mirë për Vlorën, dhe prandaj qytetarët vlonjatë votuan në mënyrë masive, me rezultatin më të thellë historik, 60% e qytetarëve. Po pse 60% të qytetarëve i merrni që janë pronë e kriminelëve?! Njerëz që kanë kontribuar aq shumë në Shqipëri. Si mund të ofendoni? Mua më vjen keq që ju nuk kuptoni një gjë si opozitë. Ju bëni gabimin më të madh politik, ju akuzoni elektoratin tuaj potencial. Se mendjen e kujt do të prishni. Do t’iu vinte mirë t’iu thosha, do të votoni vetëm se keni kriminelë. Si do të ndjehej një popull, një qytetar shqiptar, që ti thuash ne do të vëmë përpara një kriminel dhe për këtë duhet të votosh. A mendon se kështu funksionon elektorati. Elektorati di të peshojë njerëzit që mbajnë fjalën dhe që bëjnë punën. Por ju nuk jeni të tillë, se ju as fjalë nuk keni, as punë nuk keni bërë. Flisni për mijëra projekte rrugë, ndërkohë që ju vetëm projekte kishit. Sali Berisha e kam thënë, është i vetmi njeri që do të shesë si suksese projektet. Ore projektet janë ide, mor zotëri. Ide ka shumë njeriu, njeriu matet me vepra. Nuk mbaroi një rrugë, asnjë rrugë të vetme që thotë 10 mijë kilometra. Se nga i ka gjetur këto 10 mijë kilometra. Edhe rrugën e kombit që e ‘theu në mes’ nga ana financiare edhe sot e kësaj dite nuk ka përfunduar. 1.3 miliard dollarë, çfarë rruge mbaroi. Mbaroi rrugën e Elbasanit, që akoma nuk ka përfunduar. Fillohet rruga pa para, fillohet rruga me projekt ide, duke i futur firmat në një skemë të pastër piramidale. Nuk ka flluska në punët publike, punët publike të rrëzojnë. Edhe për këtë duhet të kërkoni falje, mos shpikni gjëra. Asnjë rrugë nuk keni mbaruar zotëri. Asnjë rrugë nga fillimi deri në fund. Hapi disa kantiere, diku kishte para, diku nuk kishte. Në lumin e Vlorës gënjeu vazhdimisht, ndaj vlonjatët ia kthyen me votë. Tha do fillojmë rrugën sot, do të hapim tunele. Tunelet i bën teknologjia dhe paraja nuk bëhen tunelet me fjalë. Ai zotëri ka bërë vetëm deklarata dhe projekte të ngelura përgjysmë. Idetë vlerësohen, por ide ka shumë. Puna është të bësh vepra sot. Nuk shpërblehet njeriu për ide. Keni parë njeri ju që shpërblehet për dëshirat e mira. Jo! Politika është që të demonstrosh, të bësh gjërat realitet. Kjo e Vlorës është një ide që e kanë pasur shumë breza, por e bën realitet Edi Rama. Kjo është e vërteta. Në mos pranojeni, në mos mos e pranoni. Votat edhe në Vlorë dhe kudo në Shqipëri kështu merren, idetë duke i kthyer në realitet. Se më ide të votojnë një herë, herën e dytë nuk të votojnë më.
Edhe parafolësja që foli e iku foli për Butrintin. Në zonën e Sarandës, duke qenë drejtues politik i atij qarku dhe deputet dhe një njeri që ka kontakte intensive me zonën, Butrintin e kthyet në pronë. Me komision të kthimit të pronave në kohën e Partisë Demokratike ju i kthyet pronar Butrintit. Tani po qani hallin se po bëhet një ndërhyrje aty që hajde ta shikojmë sa e diskutueshme apo e vlefshme është. Domethënë të gjithë asaj trashëgimie historike i doli pronari. Kjo u bë në qeverinë tuaj. Ndaj dhe qytetarët e Sarandës nuk ju votuan. Flisni këtu për Balilajn, a thua se Balilajt ishin në krahun tonë. Balilajt ishin kundërshtarë në zgjedhje dhe prandaj ne na votuan dhe nuk ju votuan ju që bënit aleancë me Balilajn. Kështu që më vjen keq, e mira është që ti flisni njerëzve, po të keni kurajon, se kur del këtu të dëgjojnë shumë njerëz. Nuk është puna të dëgjoi shefi, se shefi juaj s’ka ardhur fare sot këtu. Problemi është çfarë dëgjojnë qytetarët, se do shkoni në zonë, po ju nuk dini kë keni shef. Qytetarët nga zonat tuaj ju dëgjojnë, ju peshojnë, nuk ka më budallenj sot. Se njerëzit janë mësuar me shumë politikanë. Shkojnë e vijnë politikanët. Puna është se çfarë bën, sa të peshon fjala. Njerëzit të gjykojnë nga fjala e thënë dhe nga fjala e mbajtur. Prandaj dhe ne në Vlorë morëm rezultat masiv, ndaj më vjen keq që asnjë vlonjat demokrat nuk është këtu në sallë, se normalisht do të ngrihej e do të thoshte po jam dakord që kjo është vepër e rëndësishme, por ka edhe këto të tjerat, sepse kritika e opozita është e nevojshme. Por të paktën të dalësh e të kesh kurajon e të thuash sepse ashtu do të besojnë njerëzit. Përkundrazi ata do të vazhdojnë të na votojnë ne pikërisht për këto punë të mira të nisura që do të vazhdojnë me programe më masive të investimeve. Nuk them se do të bëjmë mrekullira, por kur të vihemi në peshoren e popullit krahasuar me fjalët dhe idetë e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, më vjen keq do të jemi dritë larg dhe ju prapë do të thoni kriminelët, droga, por fatkeqësisht populli do të vazhdojë të na votojë.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë