Fjala e Ministres Balluku gjatë nënshkrimit të marrëveshjes/deklaratës së përbashkët për heqjen e tarifave roaming mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor:
Përshëndetje të gjithëve,
Mirëserdhët në Tiranë, në këtë ditë historike jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Ballkanin Perëndimor. Do desha që ti uroja mirëseardhjen edhe njëherë Komisionerit Varhely dhe Znj. Majlinda Bregu dhe sigurisht dy prej operatorëve përfaqësues të cilët janë z. Mark Vasić, përfaqësues i Deutsche Telekom dhe z. Péter Fekete, përfaqësues i 4iG Group.
E them pa mëdyshje se nënshkrimi nga një sërë operatorësh të telefonisë celulare të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor të deklaratës së përbashkët për jetësimin e Udhërrëfyesit të heqjes së tarifave roaming mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor përbën një nga arritjet madhore të viteve të fundit. Emërtesa e këtij dokumenti mund të duket teknike në të vërtetë, por impakti i tij është sa konkret dhe real për jetën e qytetarëve tanë kudo që ata banojnë dhe sigurisht me një impakt të jashtëzakonshëm përsa i përket përshpejtimit të të gjitha hapave integruese.
Në mënyrë më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse, zerimi i tarifave roaming mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, bën të mundura dy dukuri të shumëpritura:
Së pari, redukton frakturën digjitale mes europianëve në të dy anët e Adriatikut, dhe nga ana tjetër komplimenton aspektet më kyçe të ndërlidhjes; atë shoqërore dhe njerëzore dhe një përafrim jo thjesht të politikave dhe të normave, por të shkëmbimeve sociale, ekonomike dhe njerëzore.
Së dyti, falë përfshirjes së rajonit tonë në një bashkësi europiane të përdoruesve fundorë që, përmes një lundrimi pa kosto shtesë në internet me shpejtësi të lartë dhe shumë të lartë, përfitojnë kudo njësoj nga mundësitë e panumërta të shoqërisë digjitale, duke bërë të mundur qarkullimin e ideve, qarkullimin e projekteve, qarkullimin e çdo inovacioni që deri më sot ka qenë i pamundur.
Në këtë mënyrë, marrëveshja e sotme e integron rajonin tonë më shumë dhe më mirë në sistemin e të drejtave themelore të çdo europiani, ato të qarkullimit të lirë të personave, të mallrave, të ideve dhe të ndërveprimeve ekonomike që janë padyshim shumë të rëndësishme. Nuk do të ishim këtu sot pa lokomotivën e këtij procesi që është Komisioni Europian dhe pa Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal që ka luajtur një rol po aq thelbësor.
Kam një falënderim të veçantë për Komisionerët Breton dhe Varhely dhe sigurisht për Znj. Majlinda Bregu, që nisur nga përparësitë e përcaktuara nga samitet e mëparshme të Bashkimit Europian me Ballkan Perëndimor, kanë identifikuar heqjen e tarifave roaming si etapën më të rëndësishme për përmbushjen e objektivave të konektivitetit. E përshëndes vizionin dhe këmbënguljen e tyre, për të jetësuar politika në shërbim të përafrimit njerëzor dhe social, solidaritete që janë themel i kahershëm i proceseve integruese europiane. Është fryt i këtij bashkëpunimi të konsoliduar dhe suksesi i pamohueshëm i heqjes së tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nisur nga korriku i vitit 2021.
Do ndalem vetëm në dy shifra që faktojnë suksesin e nënshkrimit të marrëveshjes së korrikut 2021 mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Janë rritur në gjysmën e dytë të vitit me 96% të gjitha shkëmbimet dhe thirrjet brenda këtyre 6 vendeve, sikundër është rritur me 62% vëllimi i trafikut të përdorimit të internetit. Heqja e tarifave roaming në Ballkanin Perëndimor ka krijuar gjithashtu kushtet për investime më të mëdha në infrastrukturën e telekomunikacioneve si dhe ka përshpejtuar implementimin e politikave zhvillimore digjitale, si për shembull Planin Kombëtar Broadband, me një ritëm të panjohur më parë. Shprehja e kësaj fryme bashkëpunimi është edhe kjo marrëveshje e cila është firmosur sot nga operatorët që kanë qenë prezent. Një pjesë e tyre janë nënshkrues fillestarë të marrëveshjes sot dhe janë këtu bashkë me ne. Të tjerë do t’i bashkohen, pasi është diçka që duhet të kemi parasysh, të implementosh hapa teknologjike nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos kur ato kanë impakte financiare dhe kanë impakte në teknologjitë e reja që duhen për tu përdorur. Kështu që një kohë e konsiderueshme për teknologjinë mund të jetë një kohë e cila për qytetarët duket e gjatë, por rëndësi ka që sot kemi hedhur një hap të parë dhe të sigurtë, i cili do të fillojë të implementohet nga tetori i vitit 2023.
Përpara se ti kaloj fjalën dy kolegëve, do të doja të nënvizoja se falë kësaj marrëveshjeje, prej vitit të ardhshëm, qytetarët do të përjetojnë konkretisht ndryshime të mëdha dhe pozitive. Në mënyrë të përshkallëzuar do të zgjerohet aksesi në oferta të larmishme me çmime gjithmonë më të ulta të paketave tarifore roaming të përdorshme kudo në vendet e BE. Theksoj se ky është një angazhim që është marrë dhe do të merret edhe nga operatorë të tjerë të cilët mungonin sot, por që do të bëhen pjesë. Përkrah larmisë së shërbimeve dhe reduktimin gjithmonë e më të qenësishëm të tarifave, do të rritet njëkohësisht dhe cilësia e shërbimit dhe zgjerimi i mbulimit.
Duke e përmbyllur këtë panoramë të përgjithshme dhe duke i lënë radhën kolegëve të cilët kanë kontribuar fuqishëm në këtë marrëveshje, kam bindjen se samiti i Tiranës ka një meritë të madhe në vënien e fokusit tek qytetarët, por edhe në arritjen e një bashkërendimi interesash jo shpesh të ndërthurshëm që janë interesat midis biznesit dhe institucioneve. Megjithatë e rëndësishme për ne është që të jemi të gjithë “on board” për të mirën e qytetarëve.
Shumë faleminderit për vëmendjen!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë