Fjala e Ministres Balluku në Kuvend - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/10/2023

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend

Fjala e Ministres Belinda Balluku në Kuvend, Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ndërtimi i urave të qëndrueshme, duke përdorur qasjen e programit me shume faza'”‘

 

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë,

Në vitin 2019 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar, vendosën të nisnin një proces shumë të rëndësishëm përsa i përket sigurisë rrugore dhe këtë radhë flitej për urat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Pas një pune intensive dhe konsultimi që kemi pasur mes nesh, por edhe Institutit të Ndërtimit në atë kohë, vendosëm që para së gjithash duhet të bënim një skanim të urave nga Veriu deri në Jug, sidomos të atyre urave të ndërtuara nga viti ’30 deri në vitin ’60.

Pasi nisëm skanimin arritëm të krijonim një pasaportë për secilën urë duke identifikuar kështu çdo problematikë teknike, çdo problematikë të ardhur si shkak i përdorimit apo dhe i kushte atmosferike dhe bëmë një kategorizim të problematikave përsa i përket sigurisë rrugore të secilës njësi ure.

Duke pasur parasysh që të gjitha parametrat e sigurisë rrugore në Republikën e Shqipërisë tashmë i përgjigjen me shumë rigorozitet kushteve dhe parametrave të sigurisë rrugore të Bashkimit Europian vendosëm atëherë që të nisnim nga puna për të gjetur financimin i cili do të duhej për rikonstruksionin dhe menaxhimin e këtyre urave. Duhet të keni parasysh se mbi 70% e urave në territorin tonë janë të ndërtuara para viteve ’60, kështu që ne morëm masat tona, bëmë pasaportat, nisëm një vrull projektimi sipas prioriteteve kush ishin më të dëmtuara dhe na shtohet edhe tërmeti i vitit 2019, i cili me gjithë morinë e pasojave shkatërruese që solli dëmtoi edhe një pjesë të mirë urave.

Megjithatë ne arritëm që përmes programit të Rindërtimit të rikonstruktonim disa ura apo në disa raste edhe të ndërtonin ura të reja duke edhe e sistemuar dhe rregulluar edhe shtratin e rrugës që lidhte këto ura, siç ndodhi në rastin e urës së Tapizës ku u ndërtua një urë totalisht e re me parametra të sigurisë rrugore dhe mbi të gjitha që edhe shkurtonte trafikun.

Bazuar mbi këtë inventar të gjendjes së urave në vendin tonë ARRSH vendosi që të të zgjidhte një partner nga më të mirët përsa i përket sigurisë rrugore, një partner që ka punuar me ne ndër vite dhe një nga programet më të mira që ne kemi pasur është eliminimi i pikave të zeza dhe bëhet fjalë për Bankën Botërore. Kështu, pasi patëm një konsultim të ngushtë me ekspertët e Bankës Botërore kemi arritur që të krijojmë edhe atë listën prioritare që thamë.

Për transparencë duhet të theksoj se në përzgjedhjen e urave që do të mbështeten nga ky program është mbajtur parasysh situata e tyre aktuale, rreziku që ato paraqesin dhe për më tepër çdo gjë që mund të ndikohet nga përkeqësimi i kushteve të tyre të sigurisë për shkak të kushteve atmosferike apo faktorëve të tjerë eroziv.

Një tjetër element i rëndësishëm që është marrë në konsideratë për përzgjedhjen e urave të listuara ka qenë dhe rëndësia social ekonomike e tyre, pra zona ku ato janë të vendosura. Çfarë roli luajnë ato në të gjithë rrjetin e transportit rrugor në Republikën e Shqipërisë? Ku janë zonat e banuara që ndodhen pranë tyre? Sa është popullsia për frymë? E shumë indikatorë të tjerë të rëndësishëm në këto raste.

Unë dua të shpreh se kjo marrëveshje sot është një marrëveshje e rëndësishme e cila do të kontribuojë akoma dhe një herë në përmirësimin dhe në shtimin e parametrave të sigurisë në rrjetin rrugor shqiptar i cili administrohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Investimet e Qeverisë Shqiptare tashmë prej vitesh bëhen me studime të thella dhe studime të cilat pasojnë njëra – tjetrën duke u bazuar mbi strategjinë që tashmë është pjesë e programit të “Qeverisë Rama” , Strategjinë e Zhvillimit 20-30. Vetëm në 5 vitet e fundit ne kemi ndërtuar 22 akse të reja rrugore. Kemi 12 akse ekzistuese të rehabilituara plotësisht, ndërkohë jemi sot në 18 kantiere ku punohet në mënyrë intensive dhe nga ana tjetër kemi 7 projekte të reja të gatshme të cilat besojmë që do të jenë pjesë e tavaneve buxhetore të vitit 2024-2026.

Gjithashtu, nisur nga të gjithë këto elementë që unë sapo përmenda do të thoja që marrëveshja me Bankën Botërore na jep një mundësi të angazhohemi edhe më shumë në projektet infrastrukturore në mënyrë të veçantë, siç është ky rasti i urave në Republikën e Shqipërisë, të cilat mbartin, jo vetëm të gjithë rëndësinë përsa i përket lëvizshmërisë, por nga ana tjetër disa prej tyre kanë dhe një rëndësi të madhe ekonomike dhe historike.

Ndaj unë i ftoj sot të gjithë kolegët që ta votojnë dhe ta mbështesin këtë marrëveshje si një tjetër marrëveshje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Faleminderit.