Fjala e Ministres Belinda Ballluku gjatë prezantimit të Task Forcës për kontrollin e ujërave të ndotura - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 06/02/2024

Fjala e Ministres Belinda Ballluku gjatë prezantimit të Task Forcës për kontrollin e ujërave të ndotura

Fjala e Ministres Belinda Ballluku gjatë prezantimit të Task Forcës për kontrollin e ujërave të ndotura në sektorin e turizmit bregdetar:

 

Përshëndetje të gjithëve

Shumë faleminderit që erdhën sot këtu, sidomos dua të falënderoj kryetarët e Bashkive të cilët jam e sigurt që kanë nisur nga puna për sezonin 2024 dhe janë të zënë në këto momente. Por nga ana tjetër ishte e nevojshme që të takoheshim të gjithë këtu së bashku, bashkë me operatorët turistik të cilët kanë qenë një nga kolonat kryesore të suksesit përsa i përket vitit të kaluar në sektorin e turizmit.

Sot po takohemi për një çështje infrastrukturore për t’ju thënë të vërtetën, sigurisht pa harruar t’ju falenderojmë për çka bëni çdo ditë, por duke qenë të përgatitur për një sezon i cili sipas parashikimeve që kemi, me gjithë se Mirela nuk ka dëshirë që unë të them numra, unë do ti them prapë numrat, nëse kishim mbi 10 milionë vizitorë në 2023-in ne presim mbi 13 milionë në 2024-ën, do të na duhet që të gjithë së bashku të bashkërendojmë punën, të marrim masat për të përballuar një, le të themi, vizitë të tillë e cila kalon me 4 apo 5 fish numrin e vetë popullatës dhe për më tepër i referohemi një sezoni të shtrirë në kohë, nuk është më ai sezoni që niste në qershor dhe mbaronte në gusht, por kemi parë që edhe gjatë vitit që lamë pas sezoni është shtrirë në kohë.

Për të gjitha këto arsye do të na duhet që të bashkërendojmë punën. Do të na duhet që të mirëkuptojmë njëri tjetrin mbi të gjitha dhe sigurisht qeveria duhet të jetë në ballë të disa aksioneve të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë kryesisht me organizmin tonë në terren dhe sidomos këtë radhë na duhet të flasim për ujërat larës. Mbrojtjen e ujërave larës dhe çfarë është më e rëndësishmja duhet të sqarojmë për të gjithë publikun se kush konsiderohet në terminologji ujë larës. Të gjitha bregdetet tona, liqenet, lumenjtë, të gjitha ato vende ujore të cilat janë të aksesueshme edhe për turizmin, edhe për larjen.

Për këtë arsye do të na duhet të marrim një sërë masash. Kohët e fundit ju keni qenë të njoftuar për një akt normativ që Qeveria Shqiptare i ka propozuar parlamentit shqiptar dhe që ka kaluar pak ditë më parë, pas aprovimit të të gjithë votave të deputetëve, dhe në ndërkohë ne tashmë do duhet që t’ju shpallim të gjithë këtë aksion që do të kryhet nga një grup aktorësh që janë dhe këtu sot me mua në tryezë. Sigurisht Ministria e Turizmit  do të udhëheq procesin. Nga ana teknike do të udhëhiqet nga AKUK, por sigurisht ne do të kemi mbështetjen e IKMT-së, Policisë së Shtetit dhe të gjithë agjencive të cilat lidhen me territorin dhe sigurisht me rendin.

Unë fillimisht do t’ja japë fjalën Klevisit, drejtorit të AKUK, për të bërë një pasqyrim të situatës që ne kemi sot përsa i përket mbulimit me rrjetin e kanalizimeve në të gjithë territorin e Shqipërisë, sidomos në zonat bregdetare dhe në ato zonat ku kemi ujëra të tjerë larës që është pjesa e Vjosës sidomos apo edhe liqenet dhe nga ana tjetër për të shpjeguar pak edhe mënyrën e funksionimit të kësaj Task Force. Më pas Ministrja Kumbaro do të ketë mundësi që të komunikoj me ju për të gjithë përqasjen që do të kemi gjatë këtij procesi, pasi ajo bën në mënyrën më të mirë avokaten tuaj, por sigurisht duke pasur dhe sensitivitetin e lartë që ka edhe si Ministre e Mjedisit dhe jo vetëm i Turizmit.

***

Unë do të desha që të bëja një përmbledhje, sepse padyshim drejtori kishte shumë informacion për të ndarë me ju sot, por do të duhet kohë që dhe ta përpunoni dhe asimiloni. E para punës, konsiderojmë sot ditën e parë të fillimit të 90 ditëshit. Pra, duke e bërë publike sot vendimmarrjen e parlamentit shqiptar me propozimin e Qeverisë Shqiptare për aktin normativ për mbrojtjen nga ujërat e ndotur, ujërat larës, duke nisur që sot dhe për 90 ditë të gjitha subjektet që preken nga ky akt normativ kanë kohën për të reaguar dhe për të vendosur impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura. Pas 90 ditësh Task Forca e cila do të drejtohet sigurisht nga AKUK-u, por do të ketë një drejtues të cilin do ta kemi besoj në fillim të javës tjetër, i lind e drejta që t’ju lë dhe 60 ditë kohë duke vendosur masën e parë administrative. Masat administrative nuk po i përmend këtu, pasi do të ishte më mirë që të ishte një marrëdhënie midis Task Forcës edhe subjekteve të cilat do të kontrollohen dhe nëse kalojnë këto 90 ditë, kalojnë edhe 60 ditët e masës së parë administrative, atëherë do të kalojmë në masën më ekstreme që vjen menjëherë dhe ka të bëjë me një masë të dytë administrative shumë më të rëndë se e para dhe në ndërkohë deri në mbyllje dhe pezullim të aktivitetit të biznesit.

Është një aksion me zero tolerancë. Është një aksion që ne do të kërkojmë bashkëpunimin e kryetarëve të bashkisë. Para së gjithash ju intereson ju, jam e sigurtë për këtë gjë dhe i intereson secilit nga bizneset. Unë nuk besoj që këtu në këtë sallë ka subjekte të paqarta pse duhet bërë kjo ndërhyrje. Sigurisht këtu kemi për të thënë edhe një sërë gjërash për punët që janë bërë deri tani nga qeveria që patjetër është dhe detyra jonë që ne të vazhdojmë investimin. Por, Mirela tha arsyen kyçe të këtij akti normativ. Ne kemi nisur një punë të gjatë prej vitesh. Sot 83% e territorit të zonave urbane është i mbuluar me kanalizime, ndërkohë që zonat rurale janë diku tek 18% në qoftë se nuk gabohem. Por siç e kuptoni ka pasur një listë prioritare duke nisur nga zonat më të banuara, pasi ne kështu funksionojmë. Bëjmë projekte aty ku investimi i përgjigjet më lart për frymë. Në ndërkohë që shikojmë që në tre vitet e fundit ka një ekspansion të turizmit në zona që kanë qenë të konsideruara rurale deri dje. Siç është rasti i Vjosës, pikërisht. Kështu që pavarësisht gjithë dëshirës tonë të mirë ne punojmë në bazë të planeve dhe provizioneve dhe të gjitha hapat që do të hedhim janë të parashikuara në tavanet e buxhetit të shtetit dhe sado që ne të përqendrohemi në një zonë kemi të hapura projekte kudo në Shqipëri. Ndaj do të ishte e pamundur që shteti ti përgjigjej kësaj rritje ekspansionale të numrit të turistëve në Shqipëri në një mënyrë më të shpejtë seç mund ta bëni ju vetë.

Unë vazhdoj të dua të besoj që nuk ka mundësi që një subjekt, i cili tërë kursimet e jetës i ka hedhur në fushën e turizmit dhe ndërkohë bashkë me ato kursime hedh në detin ku fton turistët të lahen, hedh ujërat e ndotura. As nuk dua ta besoj, por nga ana tjetër shifrat flasin ndryshe. Në rankimin shkëlqyer përsa i përket cilësisë së ujit ne kemi rreth 68% të ujërave larës dhe synimi ynë është që me këtë proces që do nisim sot, me këtë aksion të shkojmë në 95% të markimit të shkëlqyer përsa i përket cilësisë të ujërave larës. Jam shumë e qartë që do të duhet një organizim nga ana juaj. Jam shumë e qartë që do të ketë edhe kontestime nga ana juaj, por kjo është diçka që ne nuk do të tolerojmë. Nuk ka sesi promovohet ky vend si Maldivet e Europës në rast se ne nuk marrim masa menjëherë. Menjëherë, këtu ku jemi sot. Çdo ditë që do të kalojë dhe do të ketë tolerim si nga ana jonë dhe nga ana juaj do jetë në dëm të kësaj ekonomie, të këtij sektorit, që sot prevalon të gjithë të tjerët. Është diçka që duhet ta themi. Jemi mësuar që të themi që Shqipëria ka qenë një vend që kryesisht bujqësia ishte kontributor në GDP-në e vendit. Sot patjetër nuk e mohon askush faktin që kontributori kryesor është turizmi dhe shpresojmë siç unë me Mirelën dhe themi shpesh që viti i kaluar të ketë qenë një provë gjenerale për të pasur këtë vit shoën e vërtetë. Na duhet të reagojmë të gjithë në këto momente, duhet të gjejmë një mënyrë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Duhet që ju që jeni këtu në sallë që Mirela tha përfaqësoni subjekte të mëdha turistike nga veriu në jug të keni mundësi që të diskutoni dhe në shoqatat ku aderoni, duhet të gjeni mundësi që të bindni dhe ato subjekte më të vogla që ndoshta e shikojnë si një kosto të shtuar, por kjo është pjesë e investimit, pra ky aksion që po ndërmarrim sot është një pjesë e investimit që ju keni bërë në hoteleri dhe në çdo komponent tjetër që kontribuon në sektorin turistik.

Siç ju thashë afatet do të jenë 90 ditët e para për të implementuar impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura. Më pas do të ketë dhe një tolerancë 60 ditore, por e shoqëruar nga një masë administrative dhe më pas masa administrative do të rëndohet shumë më shumë dhe do ti lindë e drejta Task Forcës që të bllokojë aktivitetin e të gjithë atyre subjekteve që nuk do të performojnë sipas këtij kuadri, pra sipas aktit normativ.

Unë do gjeja rastin që të falënderoja Policinë e Shtetit për të gjithë ndihmën që na ka dhënë gjatë vitit të kaluar, gjatë sezonit, ashtu dhe IKMT-së, duke qenë pjesë e grupeve tona të punës, por do ti kërkoja Drejtorit të Përgjithshëm që të vërë në dispozicion të gjithë resurset e duhura për të mbështetur këtë aksion. Të ketë një koordinim të mirëfilltë dhe në kohë reale midis të gjitha trupave dhe të njëjtën gjë do ta kërkoj edhe për IKMT-në. Ministri i Brendshëm ka qenë pjesë e grupit tonë të punës edhe gjatë sezonit të fundit, kështu që Taulanti do jetë sërish me ne në grupin e punës, por unë jam e sigurt që duke qenë tashmë e vendosur gjithçka mbi një kuadër ligjor, siç është ky akt normativ nuk do të ketë as ambiguitete, as keq interpretime se çfarë kërkohet në këto momente nga secili subjekt dhe si do të monitorohet dhe zbatohet nga ana jonë e gjithë kjo procedurë e këtij aksioni.

E di që duhen thënë fjalë të mira për turizmin, por fjalët e mira i thotë Mirela, ne të Infrastrukturës dhe të Energjisë kryesisht merremi me punët e rënda. Unë jam e sigurt që gjithçka do të shkojë mirë.

Shumë faleminderit që erdhët këtu sot dhe mbi të gjitha faleminderit që mbështesin gjithë këtë proces, sidomos kryetarët e bashkive që janë një komponent shumë i rëndësishëm i grupit tonë të punës.