Fjala e ministres Balluku tek tryeza mbi hulumtimin e “Potencialit të penetrimit dhe aplikimit të Gazit të Lëngshëm Natyror në Europën Qendrore dhe Lindore” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/02/2020

Fjala e ministres Balluku tek tryeza mbi hulumtimin e “Potencialit të penetrimit dhe aplikimit të Gazit të Lëngshëm Natyror në Europën Qendrore dhe Lindore”

I nderuar Ndihmës Sekretar,

E nderuar Ambasadore,

Zonja dhe zotërinj,

Faleminderit që jeni këtu sot.

Do të doja fillimisht të falënderoja Departamentin Amerikan të Energjisë për partneritetin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për këtë tryezë mbi hulumtimin e “Potencialit të penetrimit dhe aplikimit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) në Evropën Qendrore dhe Lindore”, si dhe për studimin që do të vijojë më pas.

Falënderoj Ndihmës Sekretarin Winberg për nxitjen e kësaj nisme, Ambasadoren Kim veçanërisht për mbështetjen e saj dhe të gjithë përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Energjisë, Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Shoqatës së Energjisë së Shteteve të Bashkuara për angazhimin e tyre në organizimin e kësaj tryeze.

Ky takim ndërinstitucional dhe gjithëpërfshirës është i rëndësishëm për Shqipërinë për dy arsye të veçanta:

Së pari, ky bashkëpunim do të përforcojë më tej partneritetin strategjik tashmë të konsoliduar midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe së dyti, sepse studimi i potencialit të depërtimit të gazit natyror të lëngshëm në shkallë të vogël dhe shpërndarjen me kontenier në tregun shqiptar është një mundësi e shkëlqyer për ne.

Ne jemi besimplotë se gazi natyror i lëngshëm mund të gjejë shumë përdorime në vendin tonë dhe të kontribuojë në strategjinë tonë të diversifikimit të furnizimit me energji, duke sjellë përfitime të shumta direkte për përdoruesit fundorë përsa i përket kostos dhe efikasitetit.

Debati mbi gazin natyror si një burim energjie, lidhet ngushtë me qëndrime  gjeostrategjike dhe gjeopolitike, pa lënë me një anë dhe sensitivitetin e grupeve ambientaliste, por diversifikimi i furnizimit me energji të qëndrueshme është i domosdoshëm, sidomos për një vend si Shqipëria, i cili mbështetet vetëm në energjitë e rinovueshme, duke krijuar varësi ekstreme nga importi veçanërisht gjatë sezonit të verës.

Krijimi apo përdorimi i burimeve alternative të gjenerimit të energjisë, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë së furnizimit, duke garantuar eficence të vijueshme të sistemeve ekzistuese të tregut të energjisë si dhe të ekonomisë në tërësi.

Qeveria shqiptare po zbaton në mënyrë strategjike politikat e saj të energjisë për zhvillimin e qëndrueshëm, duke e konsideruar së pari gazifikimin e vendit si një objektiv thelbësor për sigurinë dhe diversifikimin e furnizimit energjetik.

Në këtë kontekst, pas transpozimit të Paketës së Tretë të Energjisë, Shqipëria ka vijuar me hartimit e një legjislacioni dytësor për tregut e gazit që përputhet me aktet evropiane.

Qeveria Shqiptare ka prioritet zhvillimin e tregut të gazit, ndaj jemi të angazhuar plotësisht në përmirësimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore, fiskale, administrative dhe rregullatore.

Masterplani ynë për gazifikimin e Shqipërisë, përfshin ndërlidhje të shumta me rajonin dhe rrjetet evropiane të gazit dhe parashikon disa shtylla kryesore për zhvillimin e tij si Gazsjellësin Adriatiko-Jonian dhe atë ALKOGAP, por vlen të theksohet se ambicia jonë për krijimin e një Depozitë Nëntokësore është shumë e madhe.

Shqipëria po konsideron gjithashtu një Terminal LNG në bregdet, si një burim alternativ furnizimi dhe si një ndër komponentët e sistemit të “depozitimit të energjisë”. Megjithatë, këto projekte ambicioze kërkojnë kohë dhe financim të konsiderueshëm, ndërkohë që Shqipëria ende nuk ka një treg të gazit natyror.

Hapja e tregut shqiptar kundrejt gazit të lëngshëm natyror, bazuar mbi eksperiencat e suksesshme të vende të tjera , si dhe mbështetja në përvojat e tyre për përshpejtimin e depërtimit të tij në treg, është një kontribut serioz në diversifikimin e furnizimit energjetik me zhvillim të tregut dhe përthithjen e investimeve të huaja direkte.

Në këtë drejtim, perspektiva e fillimit të një Studimi Teknik dhe Politikash me përkrahjen e Departamentin Amerikan të Energjisë, për një “element energjetik” të munguar në vend dhe veçanërisht duke u përqendruar në infrastrukturën që Shqipëria duhet të mundësojë për zgjidhjet LNG në shkallë të vogël, është shumë e rëndësishme , pasi do të :

Përshpejtojë futjen e gazit natyror në Tregun Shqiptar;

Do të krijojë hapësira të reja investimi për aktorë të ndryshëm;

Do të ofrojë mundësi të reja punësimi;

Do të mundësojë transferimin e teknologjisë në burimet njerëzore lokale duke krijuar një kapital të ri njerëz dhe çfarë është me rëndësishmja do të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare dhe integrimin e saj me asete të ngjashme energjetike në rajonin e Adriatikut.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të reflektojë me vëmendje mbi gjetjet e këtij studimi dhe do të implementojë sugjerimet e tij në mënyrë që të përparojë dhe lehtësojë penetrimin e gazit natyror të lëngshëm në Shqipëri edhe përpara vendosjes së tubacioneve.

Aplikimi i suksesshëm i LNG në shkallë të vogël në Shqipëri do të nënkuptojë vendosjen e një pjese kritike të munguar në “puzzle-in energjetik” në vend duke krijuar përfitime të mëdha për të gjithë aktorët:

  • përdoruesit do kenë çmime më të ulëta
  • për kompanitë vendore dhe ndërkombëtare  mundësi të reja të biznesit;
  • dhe për Qeverinë e Shqipërisë diversifikim të burimeve  dhe si rrjedhojë rritjen e pavarësisë energjetike të munguar për momentin.

Tryeza e sotme është një platformë e shkëlqyer për të shkëmbyer ide, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të identifikuar mundësitë e tregut.

Por, pa harruar se është studimi ai që do të masë potencialin real të aplikimit të zgjidhjeve LNG në shkallë të vogël dhe të shpërndarjes së LNG me kontenier, duke mundësuar kështu aktivizimin e tregut të gazit dhe aktorëve të tij sa më parë.

Mbështetja e Departamentit Amerikan të Energjisë nëpërmjet këtij studimi është shumë e vyer dhe ne e vlerësojmë atë maksimalisht.

Shqipëria tashmë ka të gjitha premisat, mundësitë dhe kapacitetet për t’u zhvilluar ekonomikisht e për të luajtur një rol të rëndësishëm në rajon, si një vend me pozitë të favorshme gjeografike, ku Zoti bujarisht i ka ofruar pasuri natyrore, të cilat duhen administruar me kujdes, profesionalizëm dhe transparencë, por përvoja e munguar dhe kapacitet njerëzore të pakta sigurisht kërkojnë partneritete dhe mbështetje të fuqishme si shtysa drejt suksesit.

Jemi të lumtur për nisjen këtij partneriteti me SHBA në sektorin energjetik, pasi eksperienca në fushat e tjera jetike si drejtësia apo mbrojtja, ka treguar se kur jemi në krah të partnereve tanë strategjik, suksesi është i  garantuar.

Jemi besimplotë se përmes nismës për zgjerimin e eksporteve amerikane të energjisë dhe rritjen e sigurisë së energjisë kudo në botë, Shqipëria do të përfitojë duke zbatuar strategjinë qeveritare për diversifikimin e burimeve, me rezultat uljen e importeve, rritjen e sigurisë dhe pavarësisë energjetike.

Duke ju falenderuar edhe një herë për vëmendjen që i kushtoni vendit tonë fillimisht dhe për vëmendjen që tryeza tregoi ndaj fjalës time do desha që t’i lija fjalën ambasadores Kim.

Faleminderit!