Përshëndetje të gjithëve!
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sot ka paraqitur në Këshillin e Ministrave pesë VKM, njëra nga të cilat ka pasur të bëjë me procesin e shpronësimit në të mirë të interesit publik. Dy të tjera në lidhje me projektin e madh të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, përsa i përket shtyrjes së afatit të disbursimit të kredisë edhe të grantit gjithashtu.
Ndërkohë do të ndalem tek vetëm dy prej VKM-ve të cilat janë aprovuar sot që i konsideroj të rëndësishme. Ajo për përcaktimin e kritereve dhe të rregullave të transferimit të të drejtave të licencave minerare nga zotëruesi. Duke qenë se ka pasur një ndryshim në ligjin 304 të miratuar në 15 korrik 2010, u vlerësuar e nevojshme që të amendohen disa nga rregullat për transferimin e këtyre lejeve. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e identifikimit të një sërë abuzimesh që ndodh shpeshherë me licencimet, pra pasi ato merren dhe posedohen nga kërkuesi atëherë fillojnë të tregtohen apo edhe të transferohen në kundërshti me ligjin dhe të gjitha rregullat në fuqi.
Pra për të fortifikuar këtë lloj procesi dhe për ti dhënë seriozitet të gjithë sektorit minerar, të cilin ne e konsiderojmë një nga sektorët e rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit dhe që kohët e fundit ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer një sërë studimesh, në bashkëpunim gjithashtu edhe me Fakultetin e Gjeologjisë, ne dëshirojmë që këtij sektori ti kthehet dinjiteti dhe padyshim të vendosen rregulla dhe ligji të jetë parimi kryesor për të operuar në këtë sektor. Vitet e fundit, por sidomos këtë vit është vërejtur një interes shumë i madh nga investitorët e huaj në sektorin minerar, kështu që lind nevoja, sot më shumë se kurrë, që të ketë një vëmendje të rëndësishme nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjithashtu, do të dëshiroja të ndaja me ju edhe një projektvendim tjetër të rëndësishëm që është ai që i hap rrugë miratimit të kontratës së koncesionit për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thuman-Kashar. Të gjithë duhet ta kujtoni, pasi ka pasur edhe një debat publik mbi këtë çështje, që në vitin 2019 në janarkjo kontratë e cila ishte e lidhur në bazë të instrumentit të partneritetit privat dhe publik u anulua për shkak se ajo hapësirë fiskale u vendos në dispozicion të Paktit të Universitetit. Jemi kthyer kësaj kontrate edhe pas një vendimi gjyqësor, duke qenë se tashmë shkojmë totalisht në parametra të rinj. Shteti nuk investon mbi këtë kontratë. Ky aks do të investohet tërësisht mbi parimin e koncesionit, pra që vetë konsorsiumi i cili ka aplikuar do të investojë, do të projektojë fillimisht, më pas do të investojë, do të operojë dhe do ta transferojë, ashtu siç e parashikon ligji, pas 35 vjetësh në pronësi të shtetit shqiptar. I gjithë ky proces është bërë përmes një negocimi deri sot që kemi arritur në ditën për ta sjellë për aprovim në Këshill të Ministrave dhe nuk duhet harruar që kjo është një pjesë nga segmentet më të rëndësishëm të Korridorit Blu, i cili është një nga korridoret më të rëndësishme të konektivitetit në Ballkanin Perëndimor dhe që ne synojmë që ti hapim të gjitha lotet brenda vitit 2022, për ti pasur të përfunduar në 36 muajt e ardhshëm.
Pyetje: Zonja ministre, ju i keni ofruar mbrojtje biznesit të mesëm dhe të vogël deri në qershor, do e rishikoni këtë skemë apo do të vijoni me të njëjtën skemë? Ndërsa sa i takon konsumatorit që ka fashën e 700 kilovatëve keni arritur në një konkluzion konkret mbi çmimin që do të vendoset? Faleminderit
Përgjigje: Ne i kemi ofruar një mbrojtje deri në 1 Qershor konsumatorit që është i lidhur në tensionin e mesëm, ndërkohë që konsumatori i biznesit të vogël duhet ta themi që nuk e kemi diskutuar kurrë dhe e kemi thënë që Qeveria Shqiptare do të bëjë të pamundurën për të mbrojtur abonentin familjar dhe të gjithë bizneset e vogla. Pra, e kemi konsideruar nga fillimi si një brez i cili do të subvencionohet nga shteti. Përsa i përket biznesit të lidhur në tensionin e mesëm që janë 7476 biznese, në qoftë se nuk gaboj numrin, ne kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm përmes përfaqësuesve dhe Dhomave, si Dhoma e Tregtisë ashtu dhe shoqata të tjera që i përfaqësojnë. Kemi mbledhur të gjithë ankesat, ose kërkesën e tyre më saktë për mbështetje dhe unë besoj që ne do të vazhdojmë me të njëjtën skemë, por kjo është diçka që do ta konsolidojmë dhe do ta deklarojmë deri në vazhdim të javës tjetër.
Përsa i përket planit për analizën që ne kemi bërë. E kemi bërë një analizë të thelluar, kemi dalë në disa skenarë të cilët mund të aplikohen. Sigurisht që ne do të vazhdojmë të aplikojmë të njëjtin çmim, siç e thashë, për abonentin familjar, por nëse fasha do të jetë deri në 700 apo deri në 800 janë duke u bërë analizat e fundit dhe ne ndërkohë sigurisht kemi identifikuar që kemi edhe konsumatorë familjarë me 5 mijë kilovatorë mujor që është një shifër që nuk e justifikon as fjalën familjar për të thënë të drejtën. Por, sigurisht kjo është e drejta e çdo abonenti që ta përdorë energjinë edhe për arsye të tjera, siç e ka thënë kryeministri disa herë, mund të jenë vila luksoze, mund të kenë pisha, mund të ketë kopshte që nuk fiken kurrë dritat, megjithatë kjo energji, pas asaj fashe që ne do të vendosim, do të paguhet, të paktën me një çmim më të lartë se çfarë sot paguhet energjia nga qytetarët që e konsumojnë për nevoja bazike. Nuk po them me çmimin e tregut se ndoshta do ishte një shumë që nuk do ta përballonte dot as ky lloj konsumatori.
Shumë faleminderit.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë