Përshëndetje të gjithëve!
Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë ka depozituar sot dhe ka aprovuar përmes Këshillit të Ministrave një sërë projektvendimesh, kryesisht përsa i përket shpronësimeve në zona të ndryshme të vendit të cilat iniciojnë apo shtyjnë përpara projekte të rëndësishme si të zhvillimit urban ashtu dhe të infrastrukturës. Në ndërkohë unë do ndalesha në dy projektvendime të rëndësishme të cilat prekin transportin.
Është projektvendimi për disa ndryshime dhe shtesa të vendimit të Këshillit të Ministrave numër 88, datë 8.2.2017 “Për përcaktimin e rregullave për prodhimin, shpërndarjen dhe pajisjen e udhëtarëve me bileta të transporti rrugor”. Iniciohet me qëllim plotësimin e kuadrit ligjor për implementimin e sistemit “e-transport”, pra biletat elektronike sa i takon pjesës së biletimit. Ndryshimet përkatëse janë në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara në ligjin 8308 për transportet rrugore, i ndryshuar si dhe ligjin 87, të 2019-ës për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit të ndryshuar, i cili ndër të tjera parashikon rregullat, kriteret dhe procedurën lidhur me lëshimin e faturave elektronike.
Ky projektligj sjell disa risi të rëndësishme. Hiqen biletat në format të para shtypur për transportin ndërqytetas. Prerja e biletave do të bëhet nëpërmjet sistemit elektronik të fiskalizuar “e-transport”, online ose nëpërmjet pajisjeve të fiskalizuara. Prerja e biletave bëhet nga agjencitë në mjete, autobus ose kudo tjetër dhe në ndërkohë, platforma elektronike garanton ciklin e plotë të prerjes së biletave, shtohen elementët e faturës së fiskalizuar dhe barkodin e sigurisë në formatin e biletës së transportit ndërqytetas. Biletat në format letër ose elektronik në transportin ndërqytetas do të gjenerohen nga platforma elektronike. E drejta për administrimin e biletave dhe sistemin e biletimit elektronik kalon nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor në autoritetin kompetent të licensimit, sipas fushave përkatëse.
Ndërkohë që projektvendimi i dytë është ai dhe më i rëndësishëm i cili prek të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët përdorin transportin urban. Dhe bëhet fjalë për projektvendimin për përcaktimin e procedurave të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, pjesë e paketës anti-krizë, i cili vjen si bashkë propozim i Ministrit të Infrastrukturës dhe të Ministrit të Financave, në kuadër të paketës anti-krizë.
Siç ju e dini çmimi i naftës ka një rritje të ndjeshme, ashtu siç ne po e menaxhojmë edhe nëpërmjet Bordit të Transparencës përsa i përket qytetarëve. Qeveria ka vendosur që pjesë të paketës së Rezistencës të bëjë edhe kompensimin me 100 lekë për litër për çdo subjekt i cili ofron transport urban ndërqytetas, kështu që sot përmes këtij projektakti ne i kemi dhënë rrugë hapjes së mënyrës së kalkulimit që do të bëhet nga të gjitha njësitë të cilat janë të përfshira në këtë proces për të nisur menjëherë kompensimin për 3 muaj të transportit urban, i cili parashikon harxhimet në naftë që janë shpenzuar gjatë muajit mars do të shpenzohen gjatë muajit prill dhe atij maj.
Duhet të keni parasysh që shifrat, përsa i përket përdorimit të transportit urban, janë të rëndësishme. Nuk duhet harruar se 98% e transportit në Republikën e Shqipërisë kryhet përmes rrugëve. Qeveria Shqiptare përmes kësaj pakete po mundohet që të ruaj çmimin e biletës, pra ne nuk do ti lejojmë të gjithë subjektet që të kenë ndryshim në çmimin e biletës apo rritje të saj duke qenë se ata do të kompensohen me 100 lekë për litër të naftës.
Por, këto janë thjesht masat afatshkurtra që ne kemi marrë në kuadër të kësaj Pakete Rezistence, por jemi duke punuar edhe për zgjidhje afatgjate siç është përmirësimi i flotës apo mbështetja e këtyre subjekteve për të pasur një flotë të re, një flotë hibride apo flotë edhe elektrike, pra duke lënë mënjanë përdorimin e naftës dhe duke e kthyer kështu jo vetëm një flotë miqësore për ambientin, por edhe kushte cilësore shumë të mira, duke nxitur qytetarët të përdorin sa më shumë transportin urban dhe sa më pak përdorimin e automjeteve private.
Këto janë dy aktet më të rëndësishme që janë kaluar sot, ndërkohë që siç ju thash pjesa tjetër ka të bëjë kryesisht me shpronësimet.
***
Pyetje: Kryeministri Rama pak ditë më parë ka thënë se po nis një studim për të diferencuar shqiptarët, diferencim klasor mund ta quajmë, në të pasur dhe të varfër, duke qenë se ata që janë më të pasur do paguajnë më shtrenjtë çmimin e energjisë elektrike. Ju e keni nisur këtë studim, mbi ç’kritere po bëhet dhe a mund të na thoni se cilat duhet të jenë të ardhurat e familjeve shqiptare që do të futen tek grupi që do paguajnë më shtrenjtë energji.
Ministrja Balluku: Faleminderit për pyetjen. Unë do të desha ta sqaroja këtë pasi Kryeministri nuk e ka thënë tamam, të pasur dhe të varfër, pasi përmes sistemit të shpërndarjes, pra përmes OSHEE-s ne nuk i ndajmë dot në të pasur apo në të varfër dhe për më tepër në Republikën e Shqipërisë nuk është se kemi ndonjë synim që ti klasifikojmë qytetarët në të pasur apo në të varfër. Kryeministri i referohet përdoruesve me sasi më të mëdha të kilovatorëve. Pra ky është diferencimi, ndoshta ata nuk janë më të pasur, por e kanë nevojën më të madhe. Megjithatë ne jemi në përfundim të një analize të thellë, të një studimi, i cili tregon se cila fashë, pra sesa kilovatorë i duhen një familje për të pasur një konsum normal, duke përfshirë këtu edhe familje në numër të madh apo edhe familje të vogla, por po e bëj për ta bërë sa më të kuptueshme. Pra për të pasur elektroshtëpiake, për të pasur një ngrohje mesatare, për të pasur të gjitha funksionet e një familje sepse flasim gjithmonë për fashën e familjarëve, jo për biznesin e vogël. E kemi thënë nga dita e parë që biznesin e vogël do vazhdojmë ta mbrojmë me çmimet që ne kemi pasur nga fillimi, pasi është shumë e rëndësishme për ekonominë mbështetja e këtij grupi përsa i përket të gjithë kontributit ekonomik që kanë në vendin tonë. Ndërkohë përsa i përket familjarëve duke pasur një analizë të mirëfilltë se cila konsiderohet një sasi mesatare normale atëherë çdo kilovat orë mbi këtë sasi do të faturohet me çmimin normal të tregut dhe jo më me subvencionin nga qeveria. Kështu që ajo që ne po bëjmë sot është diferencimi i një fashe nuk është një sekret, pak a shumë të gjitha analizat na çojnë në fashën rreth 700 kilovatorë, thjesht për ta ditur, nuk është marrë si vendim, por unë po ju jap një indicie për shkak të analizës që ne po bëjmë në këto momente. Rreth 700 kilovat orë konsiderohet një konsum normal për një familje mesatarisht me 4 apo 5 anëtarë. Në ndërkohë që mbi këtë fashë, e cila nuk është aprovuar akoma, do të paguhet me çmim më të lartë. Kështu që ne nuk i ndalojmë dot qytetarët që të ndriçojnë nga ç’duket. E kemi kërkuar këtë, kemi kërkuar ti sensibilizojmë, duke thënë që nuk ka nevojë që të ndriçohen kopshtet e shtëpive, nuk ka nevojë që të përdoren për konsum jo të nevojshëm, por nga ç’duket kjo është diçka personale, secili merr vendimin e tij. Kështu që ne na është dashur që ti futemi kësaj analize për ti ofruar qytetarit me çmim të subvencionuar aq sa energji klasifikohet si e nevojshme, ndërkohë që pjesa tjetër, pra kush ka dëshirë të përdori më shumë do duhet ta paguajmë me çmim normal.
Pyetje: A është në negociata qeveria shqiptare me grupe të huaja, më konkretisht me një konsorcium turk për të marrë në menaxhim furnizuesin universal të energjisë.
Ministrja Balluku: As nuk e kam dëgjuar këtë dhe as nuk do të ndodhë kjo. Ne nuk jemi nga ato qeveri të cilët nxjerrim për privatizim asetet publike, për më tepër një sektor i cili është sektor i klasifikuar si infrastrukturë kritike dhe as i kemi bërë këto bisedime, as nuk është në planet tona dhe as nuk do të ndodhë. Rrjeti i shpërndarjes është një nga pikat kyçe të sistemit elektro energjetik në Shqipëri. Kemi investuar aty fuqishëm, pasi e kemi gjetur në 2013 me 45% humbje dhe sot kemi 20% dhe plani ynë është të arrijmë 16. E kemi gjetur me 56% mbledhje të të ardhurave, e kemi çuar 98. Kështu që një sektor i cili po fuqizohet dhe po lulëzon nuk ka asnjë shans të privatizohet. Privatizimet janë bërë deri në 2013, e kam thënë edhe në parlament para dy ditësh, sesi ata që sot bërtasin dhe na tregojnë me gisht nëse bie shi në Drin apo jo kanë privatizuar një pjesë të rëndësishme të sektorit elektro energjetik. Pra kanë privatizuar 2 hidrocentralet e kaskadës së Matit që është Ulza dhe Shkopeti dhe dy të Bistricës, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Sistemi elektro energjetik shqiptar ishte i dizenjuar për të funksionuar si një i tërë, duke i hequr 4 komponentë të rëndësishëm, 4 hidrocentrale, ne jemi sot në këtë mungesë që jemi. Kështu që qeveria Rama as ka privatizuar, as nuk do të privatizojë asete të rëndësisë së veçantë sidomos infrastrukturë kritike.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë