Fjala e Ministres Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Mirëmëngjes!
Unë nuk ankohem dot për këtë shiun, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mezi pret që të mbushet kaskada e Drinit dhe parashikohet që në tre ditët e ardhshme të kemi reshje në të gjithë Shqipërinë, kështu që ky është dhe një lajm për të gjithë qytetarët që duhen të kenë kujdes, në zonat në të cilat ata banojnë. Moti do të përkeqësohet në të gjithë territorin e Shqipërisë, sidomos në veri dhe në jug të vendit, por duhet kujdes edhe në të gjitha akset rrugore, pavarësisht se ne kemi bërë të mundur që të gjitha këto akse të jenë të aksesueshme edhe gjatë ditëve të kaluara ku ka pasur problematikë.
Sot përveç akteve të cilat kanë të bëjnë me shpronësimet, që janë një detyrim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, duke qenë se ka në varësi Agjencinë Shtetërore të Shpronësimeve, kemi kaluar dy akte shumë të rëndësishme. Akti i parë ka të bëjë me një ndryshim të vendimit të datës 24.4.2019 për miratimin e planit të konsolidimit financiar të sektorit publik elektro-energjetik, i cili parashikon ndryshimin e disa indikatorëve të vendosur për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të cilat janë rishikuar bazuar mbi të gjitha ngjarjet që kemi pasur nga 2019, pra nga prilli i 2019, deri më sot, që kanë të bëjnë sigurisht me tërmetin e 26 nëntorit, më pas me pandeminë dhe padyshim me krizën energjetike. Të gjithë këto faktorë kanë sjellë rritje të konsumit, por ulje të pagesave, duke krijuar kështu një efekt negativ tek indikatorët të cilët i kemi rishikuar dhe i kemi vënë në parametra realistë deri në vitin 2026.
Ndërkohë akti i dytë, që është edhe akti më i rëndësishëm i kaluar për sot, i cili padyshim prek të gjithë qytetarët në aspektin e shërbimit, pasi ne kemi thënë dhe e nënvizoj faktin që nuk do të ketë rritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorin familjar dhe për biznesin e vogël. Kjo është diçka që qeveria e ka garantuar që në fillim të muajit tetor kur ne kemi filluar të ndjejmë efektet e krizës globale energjetike dhe është diçka që ne do të vazhdojmë ta garantojmë. Por, për të arritur këtë garantim sot kemi kaluar një ndryshim në projektvendimin e Këshillit të Ministrave të datës 22 tetor 2021 për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj të licensuarve në sektorin e energjisë elektrike gjatë gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike për përballimin dhe parandalimin e kësaj krize.
Sot kemi bërë disa ndryshime shumë të rëndësishme, të cilat për të adresuar këtë krizë energjetike janë të nevojshme këto masa dhe qëllim ka mirë koordinimin midis Korporatës Elektroenergjetike, pra prodhuesit shtetëror të energjisë elektrike dhe Operatorit të Shpërndarjes me të gjitha ndërmarrjet bija që ajo tashmë ka krijuar në bazë të të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian për derregullimin e sektorit. Shoqëria KESH ka detyrimin e furnizimit publik dhe duhet të furnizojë furnizuesin, pra FSHU-në me të gjithë sasinë e nevojshme për qëllime të plotësimit të kërkesës së plotë të tregut të rregulluar, atij të 0.4 volt, ose ndryshe, siç ju e njihni, grupi i abonentëve familjarë dhe i biznesit të vogël sipas çmimit për njësi të energjisë elektrike të miratuar nga asambleja e përgjithshme e shoqërisë. Pra, KESH-i detyrohet që të prodhojë dhe të dorëzojë pranë shpërndarësit 4.6 tera aq sa është sasia mesatare për vit që kërkohet për mbulimin e nevojës së abonentëve 0.4, pra abonentëve familjarë dhe atyre të biznesit të vogël, duke konsoliduar kështu edhe njëherë atë që thashë në fillim të fjalës time që çmimi për abonentët familjarë dhe abonentët e bizneseve të vogla, do të mbetet i pandryshuar, pasi detyrimi i këtij shërbimi i kalon KESH-it. Sigurisht për të përmbushur këtë detyrim furnizimi publik në sasinë 4.6 teravat në vit nevojitet marrja e masave shtesë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, të cilat do të ndihmojnë në plotësimin e kësaj sasi të nevojshme në rastet e pamundësisë së prodhimit nga kaskada e Drinit që është gjeneruesi kryesor përsa i përket kapaciteteve të KESH-it. Pavarësisht se në ditët në vazhdim ne do të kemi dhe shtime të tjera, siç është rasti i një parku fotovoltaik që është ndërtuar në pjesën e digës së Vaut të Dejës me 5.2 megavat apo dhe shtesa të tjera.
Për këtë arsye me anë të këtij projektvendimi synohet që KESH ti vihet në dispozicion mekanizmat ligjorë për ti dhënë të drejtë të marrë me qera asete gjeneruese termike të energjisë, të shkëmbejë dhe të depozitojë apo të kryejë transaksione shitblerje të energjisë në tregun e lirë.
Shumë faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë