Fjala e Ministres Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 10/11/2021

Fjala e Ministres Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Fjala e Ministres Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kaloi 3 akte të cilat janë të lidhura me shpronësimet. Në bypassin e Vlorës për të vazhduar aty punën që kemi nisur dhe për ta përfunduar deri në fillim të sezonit veror 2022. Në Patos për të vazhduar me projektin e rivitalizimit të qendrave të qytetit për një shëtitore që do të ndërtohet aty në kuadër të rilindjes së qyteteve. Dhe ndërkohë edhe një shpronësim në zonën e Roskovecit që lidhet me vazhdimin e punimeve përsa i përket ujësjellësave.

Do të doja të ndalesha vetëm shkurt tek ky i fundit pasi është pjesë e strategjisë së qeverisë për të vazhduar dhe për të investuar intensivisht në të gjithë ujësjellësat kudo në Shqipëri, por nga ana tjetër ashtu siç ju keni marrë dijeni nga takimi i fundit me kryeministrin dhe me kryetarët e bashkive tashmë ne kemi nisur një reformë të thellë të sektorit e cila do të përfundojë brenda 12 muajsh dhe që synon mbi të gjitha startimin e një mënyre të re menaxhimi.

Fondet që janë investuar në sektorin e ujit gjatë 3 viteve të fundit, rreth 900 milionë euro sigurisht kanë rritur kushtet teknike të operimit të ujësjellësave kudo nëpër Shqipëri, por ajo që ne vërejmë nga indikatorët që deklarohen vetë nga ndërmarrjet e ujësjellësave, nuk janë indikatorët që ne prisnim pas kësaj shumë investimesh dhe pas të gjithë punës intensive që qeveria ka bërë. Sigurisht në përputhje të plotë me autonominë vendore, sigurisht pa cenuar asnjë nga aktet të cilët i lejojnë pushtetit vendor që të menaxhojë të gjitha këto shërbime, por duke pasur parasysh që shërbimet cilësore për qytetarët janë prioritet për qeverinë Rama, ne do të nisim intensivisht reformën për sektorin e ujit për të rritur mirëmenaxhimin në secilën bashki. Janë diskutuar disa mundësi për këtë reformë nga agregimi i disa prej ndërmarrjeve dhe deri tek bashkëmenaxhimi midis pushtetit vendor dhe qeverisë. Për të gjitha të rejat që ne do të kemi në sektor do të nisim një tur në bashki bashkë me AKUM-in edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ju do të njoftoheni për të gjitha këto.

Shumë faleminderit!