Sot në Këshillin e Ministrave kaluan një sërë vendimesh të rëndësishme përsa i përket zhvillimit ekonomik, përkujdesit social, vendime shpronësimesh etj, por unë do të ndaloja tek një nga projektligjet më të rëndësishme, i cili do të afektoj të gjithë procedurën e prokurimeve në vendin tonë dhe padyshim ka për qëllim të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Republikën e Shqipërisë duke e përafruar atë me kuadrin ligjor të prokurimit të Bashkimit Europian dhe duke adresuar kështu dhe të gjitha gjetjet që kanë dalë gjatë procesit të screening në Bruksel.
Unë do të përmendja vetëm disa nga risitë që sjell ky projektligj i cili padyshim synon dixhitalizimin e të gjithë procesit të prokurimeve në Republikën e Shqipërisë duke pasur parasysh që tashmë Qeveria Shqiptare ka dixhitalizuar pjesën më të madhe do të thoja të shërbimeve që ne ofrojmë nga institucionet e administratës, por nga ana tjetër edhe përqasja jonë përsa i përket inovacionit dhe dixhitalizimit në Republikën e Shqipërisë do të prekë edhe sektorin e prokurimeve.
Kështu që kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të para kualifikimit, si dhe zhvillimin e sistemit dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik, duke përdorur teknologji të avancuara dixhitale, por edhe inteligjencën artificiale që tashmë prej disa kohësh ne kemi filluar të implementojmë në të gjitha strukturat ofertuese të shërbimeve.
Nga ana tjetër, kryerja e disa proceseve të prokurimit publik, si përllogarita e vlerës limit të kontratës, studimi i tregut, hartimi i specifikimeve teknike në sisteme elektronike të certifikuara duke ulur kështu sa më shumë ndikimin e faktorit njerëzor në proceset e prokurimeve dhe duke e automatizuar këtë proces për të krijuar një transparencë sa më të madhe dhe një akses të plotë të të gjithë entiteteve të interesuara. Ka dhe shumë risi të tjera ky projektligj, të cilat me siguri gazetarët do të kenë mundësi të njihen pasi gjithçka gjendet në faqen e Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë, përsa i përket një tjetër vendimi sot të rëndësishëm, një vendim i cili ka të bëjë me bashkëpunimin rajonal dhe bëhet fjalë për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Italisë dhe Komisionit Europian, i cili përfaqëson Bashkimin Europian për programin e bashkëpunimit INTERREG VI-A, është IPA ky program dhe ka të bëjë me tre shtete, Itali, Shqipëri dhe Malin e Zi. Ky program i bashkëpunimit, programi i quajtur INTERREG IPA, Adriatiku Jugor, 2021-2027, financohet nga një grant i Bashkimit Europian, nëpërmjet Fondit për Zhvillim Rajonal dhe instrumentit të para anëtarësimit, ndryshe siç ne e quajmë IPA.
Ky është një fond i cili do të vendosë në dispozicion të tre vendeve për organizmin, për dizenjimin dhe për rritjen e mundësive të bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të përbashkëta, një fond prej 81 milionë euro dhe sigurisht ky është një bashkëfinancim edhe i shteteve të cilat përmenda, Shqipërisë, Malit të Zi, të cilët kontribuojnë me 15% në këtë fond, ndërkohë që Italia kontribuon me 20%.
Objektivi i përgjithshëm i kësaj marrëveshjeje është promovimi i rritjes ekonomike dhe intensifikimi i bashkëpunimit në zonën e Adriatikut Jugor, duke zbatuar veprime të përbashkëta ndërmjet aktorëve institucional, por edhe shoqërisë civile, biznesit etj.
Këto ishin dy nga vendimet më të rëndësishme për ditën e sotme, sigurisht siç përmenda ka dhe të tjera dhe kolegët e mi do të vazhdojnë pastaj me prezantimin e projekteve, projektligjeve apo projektvendimeve të tjera të cilat morën sot miratimin dhe aprovimin e plotë të Këshillit të Ministrave.
Pyetje nga gazetarët:
Pyetje: Dita e sotme, edhe më 14 dhe 15 janë të rëndësishme përsa i përket vendit tonë për integrimin. Të gjithë shqiptarët tashmë i kanë sytë nga Brukseli se çfarë do të ndodhë për hapjen e kapitujve dhe sipas të gjithë komunikimeve që qeveria juaj ka patur me kancelaritë europiane, por dhe me negociatat që po zhvillohen me Athinën, Greqia ka hequr dorë nga vetoja, duke ju referuar rastit Beleri për Shqipërinë, apo jo?
Ministrja Balluku: Sot delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Rama ndodhet në Bruksel. Nuk e kam një informacion në këto momente çfarë do të bëjë Greqia, por siç e ka thënë edhe kryeministri në kongresin e Partisë Socialiste, ne jemi të kënaqur nga rezultatet që kemi arritur dhe nuk jemi të kënaqur sepse e themi ne, po sepse ka qenë një vlerësim ky i ardhur nga Komisioni Europian për shkak të të gjithë prezantimit dinjitoz dhe profesional që është bërë nga grupet tona gjatë procesit të screening. Shqipëria ka përmbushur të gjithë detyrat e shtëpisë, sigurisht ne kemi marrë edhe detyrat e reja të cilat duhet ti çojmë përpara. Jemi të gatshëm për hapjen e negociatave. Kështu janë shprehur edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Ndaj delegacioni jonë do të kthehet, siç e tha edhe kryeministri, krenarë sot në Shqipëri cilado që të jetë vendimi që do të marrë Greqia në këtë rast.
Pyetje: Zonja zv.kryeministre, si i konsideroni arrestimet e fundit të SPAK sa i përket zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës, ku në pranga ka rënë bashkëpunëtori i ngushtë i kryebashkiakut Erion Veliaj, por dhe një i afërm i bashkëshortes të tij. Vijoni të mendoni që përgjegjësia është personale dhe se titullari i institucionit nuk ka përgjegjësi lidhur me këtë çështje. Pyetja e parë. Pyetja e dytë, keni një përgjigje për kërkesën që kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi i bëri dje maxhorancës që do të marrin pjesë në seancën për heqjen e imunitetit të z.Berisha dhe do të votojnë pro në rast se ju maxhoranca pranoni kërkesat e tyre.
Ministrja Balluku: Po e nis nga pyetja e parë dhe ne kemi vetëm një përgjigje që ka të bëjë me reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi në Republikën e Shqipërisë është kryer, propozuar dhe mbështetur nga Partia Socialiste, nga kryeministri Edi Rama dhe nga qeveria Rama. Kështu që ne kemi bërë detyrën tonë për ti krijuar drejtësisë së re një habitat ku ajo të operojë dhe parimi që qeveria Rama, deputetët socialistë dhe të gjitha organet drejtuese kanë është që ne nuk ndërhyjmë në sistemin gjyqësor shqiptar apo në sistemin e drejtësisë, pasi ky ka qenë ‘scope’ i reformës në drejtësi për ti dhënë një pavarësi të plotë dhe për të krijuar transparencë, gjë e cila vlerësohet nga të gjithë ndërkombëtarët.
Përsa i përket pyetjes së dytë, unë nuk besoj që kjo është një negociatë që nëse ata vijnë në parlament për të votuar, ne duhet ti japim komisionet hetimore, pasi të gjitha kërkesat për komisionet hetimore nga ana e z.Bardhi apo edhe përfaqësuesve të tjerë që s’dimë as kujt ti quajmë tani, se e kemi dhe njëçik problem, kush janë dhe kë përfaqësojnë. Duhet thënë që të gjitha këto kërkesa bien ndesh me qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju duhet të keni parasysh që Partia Socialiste, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka dorëzuar tashmë një draft për amendimin e ligjit të komisioneve hetimore, i cili ndodhet i depozituar dhe ky draft është punuar me shumë kujdes dhe nga ana tjetër ky draft është bazuar mbi praktikat më të mira të shteteve europiane dhe të rajonit, kryesisht mbi ligjin për komisionet hetimore me të cilin operon bundestagu gjerman. Kështu që unë besoj që ju duhet të njiheni sa më parë me atë draft për të kuptuar dhe adresimet që ne kemi bërë për ti dhënë zgjidhje edhe kërkesave të opozitës.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë