Fjala e ministres Balluku në takimin me Shoqatën e Investitorëve të Huaj (FIAA) - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 17/02/2022

Fjala e ministres Balluku në takimin me Shoqatën e Investitorëve të Huaj (FIAA)

Fjala e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në takimin me Shoqatën e Investitorëve të Huaj (FIAA):

Mirëmbrëma të gjithëve.

Të nderuar ambasadorë,

I nderuar President i FIAA-s,

Bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të biznesit që ndodheni sot këtu,

Tek kalova hyrjen pashë shumë prej jush, të cilët janë njerëz që unë takoj çdo ditë, me të cilët ndaj shqetësimet e tyre, por dhe shqetësimet e Qeverisë dhe janë padyshim përfaqësues të bizneseve të rëndësishme të cilat kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Personalisht si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe Qeveria Rama që unë përfaqësoj sot këtu, e kemi vlerësuar maksimalisht rolin tuaj dhe besojmë fort madje që biznesi dhe investimet janë motori i zhvillimit ekonomik të një vendi e në këtë kuadër është vëmendja jonë për biznesin dhe përfaqësuesit e tij ajo që duhet të na udhëheqë. Sigurisht që kjo e jona është një marrëdhënie komplekse dhe jo gjithmonë fort e lehtë, disa herë me ankesa, kërkesa, madje ndoshta ndonjëherë edhe me ndonjë kërcënim për protesta, por po ashtu me dëgjesa, zgjidhje problemesh dhe shpeshherë edhe falenderime të ndërsjellta.

Padyshim që në dëshirën dhe vullnetin e Qeverisë Shqiptare do të ishte që të mund të përmbushnim çdo kërkesë tuajën, madje edhe ato të cilat mund të konsiderohen jo bazike dhe jo të rëndësishme, por edhe kërkesa që do t’ju lehtësonin çdo hap të proceseve në ndërmarrjet tuaja, por besoj se të dyja palët jemi të ndërgjegjshme se përtej dëshirës së mirë, jo gjithmonë kjo është e mundur. E megjithatë unë ndihem krenare të konstatoj se pavarësisht vështirësive të shumta, Qeveria jonë ka qenë gjithmonë pranë investitorit, e ka dëgjuar me vëmendje çdo kërkesë apo pretendim dhe ka bërë maksimumin e mundshëm për ta mbrojtur dhe për ta mbështetur atë. Një politikë, e cila do të vijojë pa as më të voglën mëdyshje edhe gjatë këtij mandati të tretë qeverisës dhe madje me synim kryesor ngritjen e këtij bashkëpunimi në një nivel të ri më frytdhënës për të gjithë.

Tre vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për të gjithë ne, pasi padyshim u sprovuam nga fatkeqësi të cilat mund të themi që mund të ishin vetëm skenarë filmash. Si tërmeti i shtatorit të 2019, më pas ai i nëntorit të 2019 dhe më pas pandemia që akoma dhe sot ne po luftojmë me të. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto pengesa, të cilat kanë ndikuar padyshim negativisht në bizneset tuaja, së fundmi kemi dhe një krizë akoma më kritike për ju, që është kriza energjetike. Kriza energjetike që nuk ka lënë askënd pa prekur, pasi siç ne dimë shumë mirë në Shqipëri bizneset, ndërmarrjet, industritë kanë bazuar prodhimin e tyre mbi energjinë elektrike. Dhe kur sot e gjithë bota përballet jo vetëm me çmimet e larta, por mbi të gjitha me mungesën e sasisë së energjisë elektrike në treg, Qeveria Shqiptare ka marrë përsipër, jo vetëm të mbrojë abonentët familjarë që për ne janë të shenjtë, por edhe bizneset e vogla dhe bizneset e mesme. Pavarësisht se në këtë sallë ka më shumë biznese të mëdha.

Megjithatë duke ju referuar fjalës së Presidentit, u fol për tregun e lirë të energjisë elektrike. Ju të gjithë e dini, sidomos ambasadorët të cilët shpeshherë vijnë në zyrën time për tu interesuar për ecurinë e reformave, ju e dini që procesi ka nisur, procesi po konsolidohet dhe tashmë ne kemi një bursë energjetike në Republikën e Shqipërisë. Që një bursë energjetike të funksionojë ka nevojë për likuiditete, apo jo?! Por unë me biznesin kam diskutuar në muajt e fundit të vitit të kaluar, ata erdhën në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe kërkuan që Qeveria për shkak të krizës energjetike ti jepte një dorë, ti ndihmonte dhe ata, duke mos i ndarë ndryshe nga familjarët apo nga biznesi i vogël. Për të thënë të drejtën mbas një analize shumë të thellë ne morëm përsipër, Qeveria Shqiptare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të mbrojë 7400 abonentë të biznesit të mesëm, të cilët nëse do të ekspozoheshin në çmimin e tregut do të paguanin më shumë se çfarë ju imagjinoni.

Kështu që patjetër ne po flasim për liberalizmin e tregut të energjisë. Askush nuk e mohon dot faktin që hapat që kemi hedhur vitet e fundit kanë qenë galopant përsa i përket të gjithë kuadrit ligjor që do të sigurojë këtë treg të lirë, por askush nuk e mohon dot faktin që kjo Qeveri, ndryshe nga Qeveritë e tjera të cilat kanë qenë të detyruara ti ekspozojnë si familjarët ashtu dhe bizneset, kjo Qeveri i ka mbrojtur ata. Sigurisht kemi lënë një marrëveshje xhentilmenësh, pavarësisht se unë jam grua, me bizneset e mesme për ti kërkuar që në Qershor të ri ulemi në tavolinë dhe të rishikojmë edhe njëherë situatën.

Kështu që ju siguroj, të nderuar ambasadorë, të nderuar përfaqësues të bizneseve, që padyshim në Republikën e Shqipërisë do të vazhdojnë të gjitha reformat. Kjo është Qeveria që bëri reformën në drejtësi, që është po aq e rëndësishme sa reforma energjetike, apo çdo reformë tjetër, pasi sot ne garantojmë përmes një sistemi të ri ligjor, gjyqësor, transparencën. Transparencën që kaq shumë ka shqetësuar të gjithë investitorët e huaj që vinin dikur në Shqipëri, që nuk arrinin kurrë të gjenin të drejtën e tyre në sallat e gjyqeve, por që sot sigurisht në hapat e parë të kësaj reforme ne kemi filluar të marrim frytet e para dhe unë këto nuk i them sepse janë postulate që duhen lexuar. I them sepse unë ulem me ju dhe ju e shikoni diferencën. Pra, ashtu siç kemi dhënë fakte për çfarë kemi bërë në reformën në drejtësi apo dhe në fusha të tjera, padyshim dhe liberalizimi i tregut është shumë i rëndësishëm.

Do ndalem pak tek fjala e Presidentit, pasi më kërkoi që t’ju informoj përsa i përket projekteve që kemi tashmë, që janë të rëndësishme si për ju, por dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë apo çdo vizitor të vendit tonë. Sigurisht energjia për të cilën fola gjatë vazhdon të jetë një fushë sfiduese, ku fatkeqësisht për shkak të krizës na janë dashur që investimet të stopojnë dhe duke investuar ne padyshim kemi rritur cilësinë e shërbimit, kemi ulur humbjet në rrjet dhe sot që jemi në këtë pozitë, pra duke u munduar që të frenojmë investimet, derisa kjo krizë të largohet apo çmimet të stabilizohen ka një impakt shqetësues, pasi ne kemi vendosur disa targete të cilët duam që ti arrijmë. Megjithatë jemi besimplotë se me një mirëmenaxhim të kaskadës së Drinit dhe me një mirëmenaxhim të sasive energjetike që ne sot kemi, kemi ulur ndjeshëm numrat e importit, por padyshim pa ndonjë ndihmë shumë të madhe nga moti, sepse siç jeni dëshmitarë në Republikën e Shqipërisë vazhdon të mos bjerë shi për vitin e tretë gjatë dimrit.

Megjithatë ne besojmë që të gjitha projektet që ne kemi nisur, si Skavica që është një nga projektet më ambicioze që ne kemi, që tashmë ndodhet në një fazë të avancuar të studimit gjeologjik, duke pasur në krah një nga kompanitë më të mëdha dhe me eksperiencë në këtë fushë siç është Bechtel, ne besojmë që shumë shpejt do të fillojë të materializohet si projekt për të pasur mundësinë që në 5 vjeçarin e ardhshëm kapacitetet tona të prodhimit hidrik të rriten ndjeshëm, jo vetëm për shkak të prodhimit të Skavicës, por edhe për shkak të optimizimit që Skavica do ti bëjë të tre hidrocentraleve të kaskadës. Ndërkohë po ecim me hapa të shpejtë me një tjetër projekt të rëndësishëm për energjinë që është TEC-i i Vlorës në bashkëpunim me dy nga kompanitë më të mëdha amerikane Excelerate Power dhe ExxonMobil, që shpresojmë që brenda vitit 2023 do fillojmë të kemi prodhimin e fazës së parë të TEC-it të Vlorës, duke i ndërruar teknologjinë nga naftë në gaz të lëngshëm. Padyshim ajo që unë e quaj krenaria e kurorës energjetike janë parqet energjetike të Karavastasë dhe të Spitallës. Dy parqe energjetike që do të prodhojnë 240 megavat energji të pastër në Republikën e Shqipërisë dhe që për nderin tonë kanë investitor Voltalian, një nga kompanitë më të mëdha franceze në tregun e prodhimit të energjisë.

Duke lënë mënjanë fushën shumë atraktive dhe shumë sfiduese të energjisë, do të ndalesha tek infrastruktura, e cila është kolonë për secilin nga bizneset tuaja, ashtu siç është edhe për të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik për Republikën e Shqipërisë, pasi vetëm bazuar në investimet serioze që ne sot po bëjmë në infrastrukturë po ndjejmë rritjen, ekspansionin në fushën turistike. Me çka u prodhua në Kukës, me aeroportin e Kukësit që u blasfemua se ishte thjesht një pamje 3D, që ishte thjesht një prodhim fushate, po unë nuk e di se cila fushatë prodhon lojëra 30 milionë euro investim, apo edhe etiketime të tjera, sot që flasim ne kemi një pol të ri të aviacionit civil në veriun e Shqipërisë, i cili padyshim nuk i shërben vetëm vendit tonë, por i shërben të gjitha trevave shqiptare dhe unë siç e kam prezantuar nga fillimi kur nisi ky projekt është një aeroport i mirëfilltë rajonal, i cili në verën e ardhshme do të ofrojë destinacione të reja në Veriun e Europës, duke na dhënë mundësi, jo vetëm ne që ti krijojmë facilitete qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar, por edhe për të ftuar sa më shumë turistë për të vizituar jo vetëm zonën e bukur të alpeve, por për të vizituar të gjithë Shqipërinë pasi çmimet që do të ofrohen në Kukës do jenë kompetitive me Tiranën. Për të qëndruar vetëm pak sekonda tek Tirana. Kontrata e re gjithashtu e shumë blasfemuar e aeroportit të Tiranës prodhoi për herë të parë në historinë 30 vjeçare të tranzicionit çmimet më të ulta të biletave. Një kontratë e cila i jep shtetit shqiptar një injeksion investimi prej 99 milionë eurosh që konsistojnë në zgjerimin dhe shtrirjen më tej të pistës, duke e kthyer nga një pistë me gjatësi mesatare, në një pistë me gjatësi të përshtatshme për fluturime ndërkombëtare dhe në ngritjen e terminalit të ri, duke qenë se kapacitetet e Rinasit, mbi 2 vite tashmë, janë totalisht jashtë volumeve që ai aeroport është parashikuar që të përpunojë.

Për të shkuar më pas në aeroportin e Vlorës, aeroporti më i madh ndërkombëtar që do të ndërtohet në Republikën e Shqipërisë me një pistë 3.2 kilometra dhe me disa nukla të reja të aviacionit civil, siç janë hangarët apo siç është transporti ajror i mallrave në një zonë gjeografikisht strategjike e cila bëhet porta e Jugut.

Pse është kaq i rëndësishëm aeroporti i Vlorës? Gjithmonë jemi pyetur për këtë. Për të vetmen arsye se të gjitha investitorët të cilët investojnë paratë e tyre në struktura turistike kanë një kërkesë të parë dhe më pas vijnë të tjerat. 45 minuta larg nga aeroporti. Në rast se kompanitë e mëdha nuk kanë një aeroport 45 minuta larg, ato nuk investojnë. Ne nuk mund ti heqim të drejtën vendit tonë, nuk mund ti heqim të drejtën qytetarëve tanë, që të shikojnë këtu të gjithë ato zinxhirët e mëdha të strukturave turistike si tek Pinski, Ajati, Interkontinentali apo dhe kushdo tjetër. Kjo është arsyeja kryesore për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe padyshim për të facilituar të gjithë lëvizjen e shqiptarëve kudo në botë dhe për të krijuar kompeticion, konkurrencë të pastër, midis 3 aeroporteve dhe për ti hapur rrugë aeroportit sezonal të Sarandës në muajt në vazhdim.

Të gjitha këto zhvillime infrastrukturore janë studiuar, janë të mbështetur në një plan zhvillimi i cili quhet plani strategjik ’20 – ‘30 dhe shoqërohen nga një sërë hapash të tjerë në infrastrukturë, siç është ai i tunelit të Llogarasë, i cili do të shkurtojë kohën e përshkimit të atij segmenti nga 55 minuta, vetëm në 7 minuta dhe për më tepër do të rrisë sigurinë rrugore me 100%. Padyshim akset tona rrugore janë shumë të rëndësishme. Parimi ynë është sa më pak aksidente, sa më shumë siguri rrugore dhe standardet europiane të aplikueshme në çdo aks, qoftë në ato kombëtare dhe qoftë në atë të kategorisë C që lidhin qytetet. Jemi duke bërë një punë të mirë jo vetëm në ndërtimin e tyre, por që në zanafillë, që në studimin e tyre, nuk ka më asnjë garë që hapet pa pasur një projekt të detajuar. Këto projekte të detajuara bëhen përmes garave ndërkombëtare dhe ambasadorët e nderuar këtu janë dëshmitarë sesi kompanitë e huaja, si në rastin e ndërtimit të portit të ri të Durrësit, vijnë dhe marrin pjesë në gara transparente për të fituar fillimisht dizenjimin e projektit të detajuar dhe më pas për të hapur hapat e tjerë siç janë ndërtimi apo dhe supervizimi që padyshim është elementi i tretë më i rëndësishëm i një projekti.

Sot është një takim më shumë social dhe të dalë nga pandemia tek shoh të gjithë miqtë e mi këtu, edhe me mundësinë për të bërë ndonjë bisedë jashtë formalitetit që kjo foltore krijon zakonisht, unë nuk do të desha të zgjatesha më.

Dua t’ju falenderoj edhe njëherë nga zemra në emër të Qeverisë Shqiptare për të gjithë punën e vyer dhe kontributin që jepni në vendin tonë. Dua t’ju siguroj edhe njëherë jo vetëm në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por në emër të Qeverisë Shqiptare që biznesi për ne është i shtrenjtë. Ne e dimë shumë mirë kontributin tuaj dhe jemi këtu për t’ju mbështetur. Do na duhet që ta mirëkuptojmë njëri – tjetrin se jo gjithmonë gjithçka që kërkohet mund të realizohet.

Unë ju falenderoj shumë për vëmendjen dhe dera ime është e hapur për të gjithë ju dhe unë jam e nderuar që ju kam ju bashkëpunëtorë.

Faleminderit!