Fjala e Ministres Balluku në nisjen e punimeve për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/11/2021

Fjala e Ministres Balluku në nisjen e punimeve për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës

Fjala e Ministres Balluku në nisjen e punimeve për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës:

 

Mirëmëngjesi!

Gëzuar festën e Pavarësisë!

Është një gëzim i madh sot që ky 109-vjetor përkon me një ditë shumë të shënuar për Vlorën, por dhe për të gjithë Shqipërinë. Detyra e parë që kam marrë kur u emërova në pozicionin e Ministres, pasi kisha filluar dhe më parë të punoja për këtë projekt, nga kryeministri ishte që aeroporti i Vlorës duhej të realizohej sa më parë.

Nisëm punën, për të thënë të drejtën me shumë dëshirë, optimizëm, përkushtim e dedikim të veçantë për këtë projekt. E gjithë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të gjitha skuadrat nga Aviacionit Civil, nga Albcontrol dhe nga kudo zhvillohen projekte të aviacionit. Fatkeqësisht u përballëm me disa ngjarje të paparashikuara, siç ishte tërmeti i 26 Nëntorit dhe më pas pandemia, e cila sot e kësaj dite zgjat me efektet e saj. Por, e vetmja gjë që këto fatkeqësi arritën ishin të ngadalësonin ritmin dhe asgjë më tepër pasi në pranverën e 2021-it ne ja dolëm që të përfundonim një proces të gjatë, një proces i cili sa skurpoloz ishte dhe aq i vështirë për t’u realizuar dhe me të vërtetë gara u përmbyll në mënyrën më të mirë.

Kjo garë e një projekti kaq të rëndësishëm kombëtar, e aeroportit të shqiptarëve, e aeroportit të kryeqytetit të pavarësisë, e aeroportit ndërkombëtar i cili do t’ju japë mundësi shqiptarëve që të fluturojnë nga Shqipëria edhe në kontinente të tjera, pra jo vetëm në Europë, pasi kushtet teknike të këtij aeroporti i ofrojnë fluturimet transoqeanike, u fitua nga një konsorsium në përbërje të tij kryesisht shqiptarë, konsorsium i cili udhëhiqet nga një nga figurat më atdhedashëse, nga figurat më të shquara të kombit tonë, nga zoti Behgjet Pacolli. Kjo e bën këtë projekt edhe më të veçantë.

Ky projekt i ka të tëra elementët e kombtarisë shqiptare. Ky projekt është një projekt i të gjitha trevave shqiptare. Ky projekt na bën krenarë dhe sot më shumë se kurrë. Sot në këtë ditë të shënuar, kur të gjithë se bashku jemi këtu dhe tek flisja me skuadrat e mia nga mëngjesi po thoshim kurrë nuk kemi qenë në një kantier më shumë se ky kantier i sotëm, kur kjo balta që po shkelim edhe zhurmën e ka të bukur, edhe me të vërtetë nuk ka prishë punë fare nëse sot jemi bërë pak me baltë, ky është kantieri që kemi ëndërruar prej shumë vitesh dhe që sot ja dhurojmë Vlorës.

Kemi ndjekur të gjitha hapat pasi këtu ndodhemi në një zonë të rëndësishme. Ky është një aeroport militar, i ngritur në fillim të viteve 1900, i cili ka qenë i tillë dhe i mbrojtur nga ushtria shqiptare. Megjithatë rrethohet nga një zonë e mbrojtur dhe për këtë arsye ne na është dashur të plotësojmë të gjitha kushtet dhe kërkesat e mbrojtjes së ambientit. Këtu janë zhvilluar disa dëgjesa, të cilat janë përmbyllur me sukses dhe për më tepër unë dua të falënderoj të gjithë qytetarët e Vlorës që na kanë mbështetur gjatë këtij procesi dhe shpeshherë kanë marrë pjesë në këto dëgjesa duke shprehur dhe mendimin e tyre dhe duke treguar sesa i rëndësishëm është ky projekt për qytetin e Vlorës, sesa i rëndësishëm është ky projekt për komunitetin, se çfarë zhvillimi ekonomik do t’i sjellë Vlorës, por edhe të gjithë Shqipërisë.

Do doja që të cilësoja disa elementë të rëndësishëm të këtij aeroporti. Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti ndërkombëtar më i madh në vendin tonë, me një pistë të kategorisë 4E dhe me një gjatësi 3200 metra. Ky aeroport parashikon që të hap rreth 1 mijë vende pune dhe synimi jonë, sipas kontratës, është të dorëzohet në prill të vitit 2024 dhe sigurisht të bëhet operacional brenda vitit 2025.

Sot, me lejen e zotit Pacolli, unë do të jap edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm. Këtu së  bashku me ne ndodhen përfaqësues të aeroportit të Mynihut që unë i përshëndes dhe dua që të përcjell lajmin që sigurisht koncensionari do të ketë një nga partnerët më të rëndësishëm në aviacionin europian dhe atë botëror që është aeroporti i Mynihut, të cilët kanë marrë angazhimin për të operuar këtë aeroport menjëherë pas dorëzimit të përfundimit të punimeve.

Gjithashtu duhet thënë që ky projekt pret që vitin e parë të operimit të ketë rreth 500 mijë pasagjerë, për të vijuar më pas, sipas një biznes plani të mirëfilltë në 2.1 milionë pasagjerë dhe deri në arritjen e 10 milionë pasagjerëve në vit.

Siç ju e dini shumë mirë, Vlora është e dizenjuar si porta hyrëse për turizmin shqiptar të rivierës së jugut. Kështu që unë jam shumë e sigurt, që pavarësisht se biznes plani është bërë ose ndryshe plani i fizibilitetit, është bërë me detaje shumë të rëndësishme, unë jam e sigurt që ato detaje do tejkalohen dhe shifrat që ne flasim sot do të jenë disa herë më të mëdha edhe për shkak të interesit të të gjithë vizitorëve të huaj që kanë për vendin tonë, por edhe për shkak të investimeve të shumta që janë parashikuar tashmë në rivierën e jugut.

Do ndalesha vetëm pak sekonda për të folur për të gjithë strategjinë tonë dhe planin kombëtar të zhvillimit të aviacionit civil. E kemi nisur këtë plan kombëtar me ngritjen e kompanisë tonë flamurmbajtëse Air Albania, e cila do të zgjedhë aeroportin e Vlorës si shtëpinë e saj. Këtë e kemi deklaruar nga fillimi, ashtu siç thashë, ky është aeroporti me elementët më të fortë kombëtar dhe këtu Air Albania do të ketë bazën e saj, shtëpinë e saj. Pas krijimit të kësaj kompanie, ndryshimi në koncensionin e aeroportit të Tiranës i dha një hov të ri zhvillimi pasi aty po investohen sot që flasim mbi 90 milionë euro për zhvillimin e ri të kapaciteteve, qoftë zgjatimin e pistës apo qoftë dyfishimin e terminalit duke qenë se sot në Tiranë operimet janë shtuar me disa fish krahasuar me vitin 2019.

Dhe ja ku jemi sot në Vlorë duke nisur një projekt që ka qenë një ëndërr për të gjithë ne dhe ndërkohë jemi duke vazhduar procedurat për aeroportin e katërt, atë të Sarandës, një aeroport sezonal, turistik, por që do të luaj një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e aviacionit civil në Republikën e Shqipërisë dhe padyshim në mbështetjen e turizmit në vendin tonë.

Duke i lënë fjalën zotit Behgjet Pacolli, ju uroj dhe një herë gëzuar këtë ditë të veçantë për të gjithë kombin tonë, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe gëzuar aeroportin e Vlorës.