Fjala e Ministres Balluku në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë:
I nderuar Kryeministër Kurti,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës,
Të nderuar kolegë,
I nderuar Kryeministër Rama,
Unë, për të thënë të drejtën, sot ndihem shumë krenare, pasi nënshkrimi i këtij memorandumi me mikun tim Liburnin është një nga hapat më konkretë që ne do të hedhim sot në këtë mbledhje, duke qenë se të dyja Qeveritë janë angazhuar konkretisht dhe financiarisht në buxhetin e tyre të vitit 2022 për të alokuar fonde përsa i përket studimit të fizibilitetit për ngritjen në të ardhmen e hekurudhës nga Durrësi në Prishtinë.
Padyshim gjithçka që përmendi kolegu im janë të rëndësishme. Ne synojmë sot që të bëhemi pjesë e korridoreve të lëvizjes brenda Ballkanit, por edhe pjesë e korridoreve të cilat na lidhin me Europën dhe sigurisht hekurudhat janë mënyra e transportit më efiçente dhe më miqësore ndaj ambientit. Megjithatë ajo çka është më e rëndësishme në këtë projekt është padyshim nxitja, shkëmbimi dhe rritja e volumeve të tregtisë që do të ketë midis dy vendeve tona. Por, gjithashtu u përmend Porto Romano, i cili është një projekt që tashmë ka nisur, është një projekt për ndërtimin e një nga porteve më moderne në zonën e Mesdheut dhe jo vetëm në Ballkan dhe unë do ti referohem disa shifrave thjesht për të theksuar edhe më tej çfarë Liburni tha. Vetëm gjatë 10 mujorit të 2021 Kosova është vendi me të cilin Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksportit të mallrave në krahasim me vitin 2020, domethënë plus 48.2%. Ndërkohë 20% e mallrave në portin e Durrësit, pra në atë që ne do të ndërtojmë në Porto Romano, kanë destinacion Kosovën, ndërkohë 35% e mallrave që eksportohen me kontenierë nga Durrësi vijnë nga Kosova.
Unë do të ndaloj edhe në një projekt tjetër mjaft të rëndësishëm që do të zhvillohet në zonën e Durrësit dhe ne shpresojmë që ta nisim brenda këtij viti që është porti ekzistues i cili kthehet në një nga marinat më të mëdha në Mesdhe, një marinë elitare, por gjithashtu edhe një pol i turizmit që nuk do të jetë vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por dhe për shqiptarët e Kosovës kështu që kjo hekurudhë, pra hekurudha Durrës – Prishtinë, nuk do të jetë e rëndësishme vetëm për transportin e mallrave dhe për krijimin e volumeve të reja tregtare, por do të jetë dhe shumë e rëndësishme pasi do të lidhë edhe portin e ri brenda qytetit të Durrësit, portin e Jahteve dhe të gjithë zonën ekonomike që do të zhvillohet aty, bazuar mbi turizmin sigurisht, me Prishtinën duke i dhënë kështu akses të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Unë nuk dua të zgjatem më tej, pasi kryeministri im nuk i ka shumë qejf fjalët e gjata, por ne jemi besimplotë se dhe ky projekt i përbashkët do të ecë me ritme të shpejta, pasi e kemi treguar që brenda këtij viti, vetëm në 4 muaj pune intensive, kemi arritur që të rakordojmë këtë projekt kaq të rëndësishëm. Kështu që ne zotohemi, po marr këtu edhe fjalën e Liburnit, ne zotohemi të dyja ekipet që të përmbyllim sa më shpejt fazën e parë, atë të prokurimit të përbashkët të specifikimeve teknike për të pasur produktin dhe më pas për të vazhduar me projektin e detajuar dhe fazën e tretë, atë të ndërtimit.
Shumë faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë